Qeveria Kurti duhet me urgjencë të intervenojë në zbutjen e jetës së rëndë

Politika

Qeveria Kurti duhet me urgjencë të intervenojë në zbutjen e jetës së rëndë

Nga: A.Z Më: 29 mars 2022 Në ora: 16:33
Qeveria Kurti

Në seancën e të hënës në Kuvendin e Kosovës, deputeti i LDK-së Avdullah Hoti, e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për vonesa në subvencione, derisa ka thënë se jeta e qytetarëve po vështirësohet. Hoti ka dhënë 3 propozime, në emër të LDK-së, për Qeverinë e Kosovës.

“Masa 1 – të bëhet indeksimi i të gjitha skemave të ndihmave sociale, së paku për të mbuluar çmimet e produkteve ushqimore bazike.

Masa 2 subvencionet në bujqësi. Rritja e kostove të produkteve bujqësore është rritur. Kemi verifikuar këtë në terren. Ftoj qeverinë të konsiderojë rritjen e menjëhershme të subvencioneve në bujqësi. Edhe kjo mbulon 1/3 e familjeve në vend.

Masa 3 është t’i ktheheni debatit për pagën minimale. Duhet rritur sa më parë paga minimale, në mënyrë që sektori publik dhe privat ta ndjejë rritjen. Të gjitha këto masa janë të përballueshme për buxhetin e shtetit”, u shpreh Hoti.

Lidhur me këtë, analisti politik Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se Hoti pas dështimeve të tij të shumta, tani po kërkon nga Qeveria aktuale që të bëjë hapa konkret, madje Mehmeti, thekson se Kosova asnjëherë nuk ka pasur qeveri më të paaftë se ajo e Hotit.

Image
Faton Mehmeti

Ai shtoi se “Qeveria Kurti duhet me urgjencë të intervenojë në zbutjen e jetës së rëndë tek qytetarët, nuk ka kohë të pritet të intervenohet sa më parë”.

“Natyrisht se ka nevojë që Qeveria të bëjë hapa konkretë për të zbutur sado pak gjendjen e vështirë ekonomike, konkretisht pas rritjes së çmimeve. Kjo përfshinë edhe ligjin e pagave dhe një sërë masash që duhet ndërmarrë, mirëpo, siç thotë populli “mos shiko çka po thotë po kush po të thotë”. Kjo vlen në rastin konkret, ku një ish-kryeministër, të cilit 10 herë i dështoi miratimi i pakos ekonomike kërkon nga qeveria të bëj hapa konkret, thuajse vet kishte shkëlqyer. Qeveri më të paaftë se qeveria Hoti ky vend nuk ka pasur asnjëherë, andaj, në emër të LDK-së duhet të flas dikush që nuk ka dështuar në qeverisje, jo soji Dullës, që edhe pse burrë i mirë, është dështim total në politikë. Gjithsesi, po rikthehem prapë, qeveria Kurti duhet me urgjencë të intervenojë në zbutjen e jetës së rëndë tek qytetarët, nuk ka kohë të pritet të intervenohet sa më parë”, potencoi Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat