Alarmi nga Mesiq/ Mesazhi që duhet ta marr Kosova, kështu Shqipëria e ndihmoi Serbinë

Politika

Alarmi nga Mesiq/ Mesazhi që duhet ta marr Kosova, kështu Shqipëria e ndihmoi Serbinë

Nga: P.R Më: 15 shkurt 2022 Në ora: 21:51
Stipe Mesiq

Gjatë vizitës së tij në Kosovë, ish presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq ka alarmuar shtetin e Kosovës, pasi sipas tij, Serbia po vazhdon fushatën për çnjohje.

“Ish-presidenti kroat, Mesiq, tha se duhet angazhim i shtuar në rrafshin ndërkombëtar, sepse siç tha ai, Serbia po vazhdon fushatat lobuese për çnjohjen e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit pas takimit të kryeministrit Albin Kurti me Stipe Mesiq.

E sipas doktorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, edhe shteti i Shqipërisë po i ndihmon Serbisë për çnjohje të Kosovës përmes Open Ballkanit.

“Nuk është më as informacion e as diçka lajm që Serbia po vazhdon të loboj për zhbërjen e shtetësisë së Kosovës, madje Serbia mundësoi që në bashkëpunim me Shqipërinë nëpërmjet Open Ballkan, ta zmbrapsë Greqinë drejt njohjes së Kosovës. Lobingu i Serbisë për çnjohjen e Kosovës është i shtrirë shumë fuqishëm duke shfrytëzuar çdo zhvillim në skenën ndërkombëtare dhe çdo gabim apo mosveprim të Kosovës”, thotë Kuçi për gazetën “Bota sot”.

Image
Gurakuç Kuçi

Kuçi shprehet se Kosova deri më tani nuk ka një strategji veprimi për ta ndal këtë fushatë të shtetit serb.

“Kosova, të paktën deri më tani, nuk kemi pa që ka një strategji për ndaljen e çnjohjeve apo krijimin e njohjeve të reja, ose të paktën nuk kemi pa as veprime. Në këtë terren Serbia po luan kundër Kosovës e vetme dhe Kosova po mbahet vetëm në kuadër të hijes së SHBA-së”, thekson Gurakuç Kuçi.

Për fund, Kuçi deklaron se Kosova duhet ta marr me seriozitet mesazhin e Mesiqit, pasi Mesiq e njeh mirë Serbinë.

“Paralajmërimi i ish-presidentit Mesiq, shpresoj të jetë mesazhi që pasi nuk është ndërmarrë asnjë veprim deri më tani, të reagohet pa vonesë pasi z. Mesiq e njeh mirë Serbinë dhe veprimet e tyre pasi edhe vetë Kroacia është përballur dhe përballet akoma me Serbinë si një kundërshtar i cili tani ka kaluar nga lufta e hapur në diplomaci”, përfundon për “Bota sot”.

Kujtojmë se ditë më parë, përmes një letre drejtuar Aleksandër Vuçiqit, presidenti i SHBA-së, Joe Biden i kërkoi njohjen e Kosovës.

“Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për qëllimin e Serbisë për integrimin evropian dhe ju inkurajojmë që të vazhdoni të bëni hapa të fortë përpara për të arritur atë qëllim – duke përfshirë krijimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën të përqendruar në njohjen reciproke”, thuhet ndër tjerash në letrën e Biden.

E të njëjtën, Biden e ka përsëritur edhe sot në letrën dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

“Jemi të kënaqur që Kosova po vazhdon të ndërtojë dhe forcojë marrëdhëniet e saj pozitive me vendet fqinje dhe do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet tuaja drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, të përqendruar në njohjen reciproke”, ka shkruar në letrën e tij Joe Biden.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat