A do të arrijë Përparim Rama koalicionin e gjerë me partitë opozitare?

Politika

A do të arrijë Përparim Rama koalicionin e gjerë me partitë opozitare?

Nga: A.Z Më: 9 dhjetor 2021 Në ora: 21:53
Përparim Rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ende nuk ka marrë përgjigje nga partitë opozitare për koalicion të gjerë, pas ftesës publike që u bëri gjatë betimit të tij në Kuvendin Komunal.

Këtë e deklaroi Rama në ditën e dytë të tij si kryetar i Prishtinës, pasi priti për herë të parë në vizitë kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Sipas të parit të kryeqytetit, ata janë ende në pritje.

“Ne u kemi bërë thirrje të gjitha partive politike, shoqërisë civile që të na bashkëngjiten në qeverisje. Deri më tani jemi duke pritur, e kemi stafin të koordinuar por jemi duke pritur nga partitë politike nëse kanë ndonjë propozim të tyre dhe kështu i shtyjmë procesit përpara që të krijojmë një koalicion të gjerë. Ende nuk kemi marrë ndonjë propozim por po presim”, ka thënë Rama.

Lidhur me këtë, analisti politik Hidajet Ahmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se koalicioni për Prishtinën është i nevojshëm, e në veçanti kur Rama pretendon për një qeverisje të mirë.

Image
Hidajet Ahmeti

Sipas Ahmetit, Rama është mbështetur edhe nga subjektet tjera politike por në heshtje, madje së shpejti do të shpërfaqen këto marrëveshje të fshehta.

“Koalicioni në qeverisjen në Prishtinë përveç që është i nevojshëm, është edhe i domosdoshëm, pasi shumë politika publike duhet të miratohen nga shumica e thjeshtë në Kuvendin komunal. Nëse zoti Rama pretendon për një qeverisje të mirë e në dobi të qytetarëve të Prishtinës e ka të pamundur pa një koalicion të zgjeruar. Mendoj se përveç Lëvizjes Vetëvendosje, zoti Rama ka mundësi potenciale për të futur nën ombrellën e qeverisjes subjektet tjera politike. Edhe ashtu kam një bindje të bazuar se fitorja e zoti Rama në Prishtinë është mbështetur nga subjektet e tjera në heshtje, ku shumë shpejtë do të shpërfaqen ato marrëveshje të fshehta me koalicion qeverisës që do të ndërton”, ka theksuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat