“Fuçia e barutit”/ Skenari serbo-rus kundër Kosovës – Doktori i Shkencave të Sigurisë flet për armatimin e FSK-së

Politika

“Fuçia e barutit”/ Skenari serbo-rus kundër Kosovës – Doktori i Shkencave të Sigurisë flet për armatimin e FSK-së

Nga: N.Sh Më: 3 nëntor 2021 Në ora: 23:28
Ushtria e Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ndarë 100 milionë euro për Ushtrinë e Kosovës.

Kështu ka njoftuar Kurti në prezantimin e Projektligjit për Buxhetin e vitit 2022 tha se “kësi buxheti nuk ka pasur kurrë”.

“Ushtrinë e kemi projektin tonë madhor, andaj për herë të parë kemi ndarë buxhet prej 100 milionë eurosh apo 1,3 për qind të bruto produktit vendor. E synimi është që brenda mandatit ta sjellim 2 për qind të bruto produktit vendor, aq sa e kërkon standardi i NATO-s”, tha Kurti në prezantimin e planit buxhetor për vitin 2022.

Kjo shumë e ndarë për Ushtrinë e Kosovës, është më e madhja që i është ndarë ndonjëherë Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në kohën kur Kosova po kërcënohet pothuajse çdo ditë nga Serbia e Rusia, forcimi i Ushtrisë është shumë me rëndësi.

Së fundmi, Kosova është kërcënuar edhe nga qeveria ruse përveç asaj serbe.

Edhe në kohën kur kryeministri shqiptar Edi Rama po shpeshton takimet e tij me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, një takim që sonte është duke e zhvilluar në Serbia, kjo e fundit, nuk ndalet me kërcënimet ndaj Kosovës.

Qeveria ruse, ka paralajmëruar një konflikt të afërt në Ballkan për Kosovën.

Maria Zaharova, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, ka deklaruar se “fuçia e barutit” siç është quajtur gjithmonë Ballkani, është ndezur dhe është gati të shpërthejë.

Zaharova ka bërë një deklaratë në faqen e saj, në rrjetin social Telegram, ku thekson se Perëndimi po kontribuon në përkeqësimin e situatës në Ballkan, prandaj ekstremistët e Kosovës në çdo moment mund të provokojnë konflikt në gadishull.

“Situata në Ballkan po përkeqësohet, fitili i fuçisë ballkanike të barutit mund të ndizet në çdo moment për shkak të veprimeve të ekstremistëve të Kosovës, me bashkëfajësi apo inkurajim të drejtpërdrejtë të padronëve perëndimorë”, shkruan Zaharova.

Duhet theksuar se, ushtria serbe së bashku me atë ruse po vazhdojnë të stërviten në Serbi tash e një vit.

Skenari serbo-rus parashikon një ndërhyrje të shpejtë ushtarake në komunat e veriut, ku përveç xhandarëve serbë të kazermës së Vranjës, pritet të përfshihen edhe trupa ruse që janë instaluar në Nish, në mënyrë që KFOR të mos veprojë, pasi mund t’i druhet një konflikti me Moskën.

Image
Avni Islami

Për investimin në Ushtrinë e Kosovës, Doktori i Shkencave të Sigurisë, profesor Avni Islami thotë se është çështje thelbësore, dhe nuk është çështje politike.

“Investimi në Ushtri të Kosovës nuk është çështje politike, është çështje thelbësore ku forca e sigurisë në Kosovë ka nevojë për aftësimin e saj që në një të ardhme jo të largët ta mbroj sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit dhe në të njëjtën kohë në aspiratat e saj të bëhet pjesë e aleancës veri- atlantike”, thotë profesori.

Islami u shpreh se investimi në ushtrinë e Kosovës nuk paralajmëron asnjë rrezik momental.

“Asgjë nuk ka të bëjë më rreziqet momentale lidhur me Kosovën, nëse rrezikohet apo jo. Çështja e investimit në Ushtrinë e Kosovës është çështje primare e secilit shtet duke pasur parasysh sasinë e mjeteve të ndara, numrin e mjeteve të ndara për ushtrinë, qoftë në rajon edhe më gjerë ku një pjesë bukur e madhe e mjeteve shkojnë për modernizimin dhe aftësimin për mbrojtje dhe siguri të shtetit. E njëjta është duke ndodhur edhe për Kosovën, sepse Ushtria e Kosovës është në formim e sipër, në konsolidimin e saj me të gjitha profilet si dhe në aftësimin profesional të burimeve njerëzore”, përfundon Islami.

Ndryshe, në vitin 2017, për Forcën Mbrojtëse të Kosovës ishin ndarë 47 milionë e 600 mijë euro.

Në vitin 2018 janë ndarë 49 milionë e 700 mijë euro.

Në vitin 2019 buxheti për FSK ishte 54 milionë e 500 mijë euro.

Në vitin 2020 ishte 65 milionë e 100 mijë euro, kurse në vitin 2021 ishte 63 milionë e 100 mijë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat