Ku gaboi Arben Vitia dhe çka tutje?

Politika

Ku gaboi Arben Vitia dhe çka tutje?

Nga: A.Z Më: 27 gusht 2021 Në ora: 21:35
Arben Vitia

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës Donika Gërvalla, ka lavdëruar ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, lidhur me menaxhimin e situatës me Koronavirus, ajo tha që Vitia e ka menaxhuar në mënyrën më të mirë situatën me pandeminë.

“Me përkushtimin, profesionalizmin, zellin, modestinë dhe qetësinë që e karakterizojnë, Arben Vitia menaxhoi në mënyrë shembullore sfidat me të cilat u ballafaqua Kosova gjatë pandemisë, shumë nga afër i kam përcjellur betejat e tij të shumta, të vogla dhe të mëdha, në Kosovë dhe jashtë saj, për sigurimin e vaksinave kaq të nevojshme për Kosovën’’, ka deklaruar Gërvalla.

Lidhur me këtë, analisti Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se nga Ministria e Shëndetësisë ka munguar kujdesi, madje janë bërë edhe lëshime të panevojshme.

Por, sipas Qarrit, me sukseset dhe të metat e Vitisë, do të duhej të merreshin personat profesionist, por jo Gërvalla.

“Në fakt sa i takon kujdesit dhe marrjes së masave adekuate paraprake nga Ministria e Shëndetësisë, kundër virusit Covid-19, shihet qartë se ka munguar kujdesi i mjaftueshëm dhe janë bërë lëshime të panevojshme të cilat, ka pasur mundësi të mënjanoheshin me kohë, apo të paktën të kufizoheshin qoftë edhe pjesërisht. Këtë e vërteton edhe vet evazion i vrullshëm, në përmasa të frikshme me mijëra të infektuar menjëhershëm, në Kosovë, ndaj me punën sukseset dhe të metat e ministrit Arben Vitia, do duhej të merreshin personat profesionist dhe specialistët e dikasterit në fjalë dhe jo ministrja e punëve të jashtme, me gjithë respektin për zonjën Gërvalla”, tha ai.

Më tej ka shtuar se nuk i takon Gërvallës të thurë lëvdata Vitisë, sepse, sipas tij, Gërvalla nuk është eksperte e menaxhimit të situatave me virus.

Qarri theksoi se pas zhvillimeve të fundit me virus, nuk mund të thuhet se Vitia, e ka menaxhaur mire situatën pandemike në Kosovë.

“Nuk i takon ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës që t’i thurë lëvdata kolegut të saj, ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia, pasi që këtë nuk e lejon as situata aktuale me pandeminë në vend si dhe për faktin se zonja Gërvalla me sa di unë, nuk është eksperte për menaxhimin e situatave me Koronavirus, ndaj në rastet si ky, gjendja me pandeminë mund të sanohet vetëm me punë dhe jo me lëvdatat e ministres së Punëve të Jashtme, kushtuar Ministrit të Shëndetësisë. Ministrja e Punëve të Jashtme, mund ta heqë “kapelën” sa herë të dojë, para kolegut të saj, për ndonjë suksese a arritje tjetër, por pas zhvillimeve të fundit me Koronavirusin në Kosovë, nuk mund të thuhet se kolegu i saj, paska menaxhuar mirë, madje edhe mënyrë shembullore, ballafaqimin me pandeminë në Kosovë,”, shtoi Qarri.

Ai më tej ai ka potencuar se tani pas rritjes së rasteve, LVV duhet të shqyrtojë me kujdes kandidaturën e Vitisë për kryetar të Prishtinës.

Sipas Qarrit, kryeministri Kurti duhet ta emërojë një ministër tjetër shëndetësor.

“Për aq më tepër, pas rritjes së rasteve të infektimit në mënyrë kaq dramatike në një vend kaq të vogël, me numër të më pak se dy milion banorëve si Republika e Kosovës, ku infektimi i popullsisë me virusin Covid-19 ka vërshuar në përmasa alarmante, LVV duhet ta shqyrtojë edhe njëherë me kujdes kandidaturën e Arben Vitisë për Kryetar të Komunës së Prishtinës, kur vendi ndodhet para një shkalle të tillë alarmante me pandeminë, apo të pakën kryeministri Kurti të emërojë qoftë edhe përkohësisht një ministër tjetër të shëndetësisë, në vend të ministrit Vitia, gjë që ka kohë, që po kërkohet publikisht edhe nga opozita dhe organizatat civile dhe ato jo- qeveritare në vend”, tha ai.

Qarri tutje ka thënë se në fushata elektorale mund të rritet numri i të infektuarëve. Andaj sipas tij, nëse Vitia dështon në këto zgjedhje, atëherë do e humbas edhe postin që tani e mbanë.

“Kjo për vet faktin se në raste si ky me pandeminë, pritet të fillojë edhe fushata elektorale, me tubime parazgjedhore ku tubohen numër i madh i njerëzve nëpër komuna, në mënyrë që të mos rritet edhe më tepër numri i të infektuarve dhe të shtohen rastet në mënyrë edhe më rapide me shifra rekorde të COVID-19, të cilat edhe në nivelin aktual, janë të tepërta dhe për disa herë më të larta se sa në vendet më të mëdha të rajonit. Ndaj duke pasur parasysh gjendjen me pandeminë në vend, me gjithë dronë e z. Vitia se nëse të dështon në zgjedhjet për Kryetar të Prishtinës, do ta humbë edhe postin ministror që aktualisht mbanë,”, shtoi ai.

Më tej, Qarri potencoi se Vitia duhet të vendos se cilën detyrë ta mbajë, sepse, sipas tij, ai e di se nuk ka kapacitet që edhe të udhëheqë Ministrinë e Shëndetësisë dhe të zhvillojë fushatë, në veçanti tani kur numri është i madh i të infektuarve.

“Ai vet duhet të vendos ose të rri në detyrën që ka, ose të jap dorëheqje edhe nëse rrezikon ta humb postin e Ministrit të Shëndetësisë, ngase është në pyetje shëndeti i një populli të tërë dhe qytetarëve të gjithë vendit. Madje edhe vet z.Vitia, e di mirë, se në situata të tilla të jashtëzakonshme, nuk ka kapacitete që njëkohësisht të udhëheqë Ministrinë e Shëndetësisë dhe të zhvillojë fushatë parazgjedhore, veçanërisht në gjendjen aktuale me pandeminë dhe numrin e madh të të infektuarve me Covid -19, që sa vije e rritet për çdo ditë dhe pritet të shtohen rastet edhe më tepër, pas zhvillimeve elektorale të kësaj vjeshte në Kosovë”, ka përfunduar Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat