Vettingu i domosdoshëm/Vrasjet e tmerrshme, si të luftohet krimi në Kosovë?!

Politika

Vettingu i domosdoshëm/Vrasjet e tmerrshme, si të luftohet krimi në Kosovë?!

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 27 gusht 2021 Në ora: 19:13
Marigona Osmani, që dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj në Ferizaj

Ditë më parë Kosova u trondit nga vrasja e një vajze 18 vjeҫare nga bashkëshorti i saj. Marigona Osmani ishte viktima e radhës në Kosovë, që vdiq si pasojë e një dhune të tmerrshme nga bashkëshorti.

Dardan Krivaqa, bashkëshorti i Marigonës, është arrestuar dy ditë pasi ndodhi rasti. Në disa raporte të siguruara më parë, Krivaqa kishte probleme me ligjin edhe më parë, por që nuk është dënuar asnjëherë. Duke u lënë i lirë, ai arriti të privojë nga jeta bashkëshorten e tij me të cilën bashkëjetoi vetëm 2 ose 3 muaj.

Pas këtij rasti pati reagime të shumta, duke dënuar rastin. U bë thirrje nga drejtësia që të merret me këtë rast dhe raste të ngjashme dhe personat e tillë të mos mbeten në liri.

Lidhur me këtë ngjarje, gazeta ‘Bota sot’ ka pyetur në Ministrinë e Drejtësisë nëse përshpejtojnë procedurat për miratimin e Vettingut në drejtësi, mirëpo të njëjtit nuk kanë dhënë ndonjë koment.

Zeqa: Kriminelët e nivelit të lartë janë bërë model dhe inspirim për kriminelët e nivelit të mesëm

Ndësa, njohësi i zhvillimeve politike, Florim Zeqa, në një prononcim për ‘Bota sot’, thotë se krimi në Kosovë nuk është dukuri e re dhe e pazakontë. Sipas tij, këto të gjitha i kanë bërë pushtetet e pasluftës në Kosovë.

Image
Florim Zeqa

“"Rrushi e sheh rrushin e piqet", thotë një fjalë e urtë popullore! Lulëzimi i krimit në Kosovë nuk është dukuri e re dhe e pazakontë! Të tillë e kanë bërë të gjitha pushtetet e pasluftës në Kosovë. Kriminelët e nivelit të lartë janë bërë model dhe inspirim për kriminelët e nivelit të mesëm dhe atij të ulët ordiner të vrasjeve të njëpasnjëshme dhe të pandalshme në Kosovën e pasluftës”, vlerëson Zeqa.

Ai tutje thotë se të frymëzuar nga mosndëshkimi i kriminelëve të profilit të lartë janë në rritje e sipër edhe rastet e dhunës në familje, të cilat për fat të keq po përfundojnë me fatalitet.

“Të shpeshta janë bërë vrasjet e grave dhe vajzave të reja nga “trimat” shqiptarë, siç ishte rasti i fundit në Ferizaj! E gjithë kjo po ndodhë si pasojë e mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë, gjegjësisht policisë hetimore, prokurorisë dhe gjykatave, të cilat i mbajnë në sirtar ose i fshehin denoncimet e përditshme të dhunës në familje. Të neveritshme ishin lutjet e kryeministrit Kurti për ndërprerjen e akteve kriminale para kufomës së 18 vjeçares nga Ferizaji, por akoma më fyese për familjarët ishin poezitë e tij në mbledhjen e qeverisë për vajzën e re e cila ra viktimë e mosfunksionimit të aparatit shtetërorë”, thotë analisti.

Sipas tij, për rastin e fundit nuk duhet të fajësohen pushtetarët e mëparshëm, mirëpo të ndërmerren të gjitha masat ligjore për të motivuar prokurorët dhe gjykatësit dhe t’i bëhet më dije kriminelëve se çdo krim do të ketë të njëjtin fat.

“Për rastin e fundit kriminal në Ferizaj, kryeministri Kurti nuk duhet fajësuar pushtetarët paraprak, por duhet ndërmarrë të gjitha masat ligjore për të motivuar prokurorin dhe gjykatësin që kryerësi i veprës të merr dënimin e merituar (kapital), për t’ua bërë me dije kriminelëve tjerë potencial se çdo përsëritje e një krimi të tillë do ta ketë të fatin e njëjtë. Vetëm në këtë mënyrë do të ndërpriten vrasjet dhe dhuna e shfrenuar ndaj grave në familjet shqiptare, dukuri kjo e paprecendentë për shoqëritë e civilizuara dhe demokratike”, thekson analisti Florim Zeqa.

Duhanaj: Tema e Vettingut po përdoret për agjenda politike

Image
Leon Duhanaj

Ndërkaq, analisti tjetër, Leon Duhanaj thotë se tema e Vettingut po përdoret për agjenda politike dhe se nuk mund të ketë Vetting të pandikuar politikisht.

“Tematika rreth Vettingut, kam përshtypjen që me shumë po përdoret për agjenda politike, se sa të ketë aktivitet real rreth saj. Për mendimin tim, nuk mund të ketë Vetting profesional dhe të pandikuar politikisht, pa unitet të plotë dhe gjithëpërfshirje institucionale. Nuk mund dhe nuk guxon të përdoret Vettingu për qërim hesapesh politike siç edhe ka tendenca”, thekson ai.

Sipas Duhanajt, ‘më mirë dje, se nesër, megjithatë është me mirë kualiteti se sa shpejtësia’.

“Shqiptarët duhet të kuptojnë njëherë e mirë, se duhet të jetë ligji ai që mbron, apo ndëshkon, e jo individi, qoftë ai "i fortë, apo i ligë", qoftë ai qytetarë apo ministër. Politikanët shkojnë dhe vinë, por duhet të jetë ligji ai i cili i vë në sistem të gjithë. Kështu siç e kemi ne traditë t'i trajtojmë praktikat dhe nismat ligjore, duke projektuar vetveten brenda tij, nuk na sjellin asgjëkundi. Unitet, seriozitet, drejtësi, përgjegjësi dhe përgjegjshmëri. Vetting”, thekson analisti Leon Duhanaj për ‘Bota sot’.

Ndërkaq në fillim të këtij muaji, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se procesi i Vettingut është i pashmangshëm.

“Askush nuk ka dilemë se Vettingu në sistemin e drejtësisë është shumë i rëndësishëm. Bëjë thirrje Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial që të ndërmarrin urgjentisht hapa në këtë drejtim dhe të hetojnë të gjithë ata persona që cenojnë integritetin e institucioneve të drejtësisë”, ka thënë Haxhiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat