Krahasimi me Pronto-n, kritikohet ashpër Abdixhiku, kjo është arsyeja pas kritikave ndaj Kurtit

Politika

Krahasimi me Pronto-n, kritikohet ashpër Abdixhiku, kjo është arsyeja pas kritikave ndaj Kurtit

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 5 korrik 2021 Në ora: 10:35
Albin Kurti, Lumir Abdixhiku

Të mërkurën Qeveria e Albin Kurtit bëri 100 ditë qeverisje.

Pavarësisht vendimeve e punëve të mira për këto 100 ditë, nuk kanë munguar as kritikat nga opozita.

Lideri i LDK-së, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vlerësuar se ky duhet të jetë një nga fillimet më dëshpëruese që Kosova ka pasur ndonjëherë.

“Pritjet e mëdha për ndryshim u ballafaquan vërtetë me ndryshim - jo të problemeve të thella të vendit tonë, por të atyre që mbajnë karrige tjera sot. Mjaftuan 100 ditë për t’i parë se nuk dallojnë! Në pushtet, aktakuzat e pushtetarëve u bënë të parëndësishme më. Paradite në gjykatore, pasdite në Kuvend e Qeveri - në ligjërim për shtetin e fortë e shtetin e drejtë për të gjithë”.

Abdixhiku këtë qeveri e ka krahasuar me Pronto 2 në reprizë, duke i përmendur të gjitha ato që i ka bërë Qeverisja Kurti për 100 ditë.

“‘Kushërinjtë për dasma’, ndërsa, u bënë profesionistë ndër më të zot. Bordet e Postës, të Telekomit e të Ujësjellësit i mbushën të parat me të afërmit e vet. Të tjera ndërmarrje presin fatin e njëjtë. Votat qytetarëve, bordet familjarëve - kjo është parulla e re. Pronto 2 në reprizë. Kapja vazhdon veç kapësit ndryshojnë!”, ka thënë Abdixhiku në një deklaratë të tij.

Por, si mund të krahasohet Qeveria Kurti II me Pronton, derisa dihen të këqijat që Pronto i ka bërë Kosovës dhe vendimet e mira të kryeministrit Kurti?

Ahmeti: Deklaratat e Abdixhikut, pompoze, retorik politike boshe

Image
Hidajet Ahmeti

Lidhur me këtë, analisti Hidajet Ahmeti, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se deklarata e Abdixhikut në drejtim të Kurtit janë retorikë boshe që sipas tij, në esencë nuk ka përmbajtje reale.

“Lumir Abdixhiku nuk po mund të adaptohet në pozitën e të parit të LDK-së. Deklaratat pompoze pa bazë, argumenti dhe arsyetimi më shumë mund të konsiderohet si retorikë politike boshe, e cila në esencë nuk ka përmbajtje reale. Gjuha jo argumentuese nuk i ka hije një lideri të një partie, pasi krijon perceptim të gabueshëm prej një pjesë të qytetarëve, por edhe ndërtohet një logjikë e cila për qëllime politike përdor mjete të pamoralshme”, ka thënë Ahmeti.

Ndërsa, analisti këtë gjuhë të ashpër të partive politike ndaj Kurtit e lidh me zgjedhjet lokale, duke shtuar se fuqia që ka marrë Kurti në zgjedhjet e fundit ka qenë zhgënjyese për partitë opozitare.

“Tash kur është caktuar data e zgjedhjeve lokale, partitë opozitare do të përdorim gjuhë edhe më të ashpër ndaj Qeverisë Kurti, pasi fuqia që ka marrë në zgjedhjet nacionale është zhgënjyese për partitë opozitare. Prandaj, çdo gjuhë që përdoret edhe në këtë kontekst më shumë kanë qëllime për ta zbehur imazhin e Qeverisë Kurti se sa realisht mund të qëndrojnë”, përfundon Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.

Bytyçi: Deklarata e Abdixhikut shpifje, LDK dhe PRONTO kanë qeverisur gjatë vendin

Edhe analisti Adem Bytyçi mendon se para se të deklarohet kryetari i LDK-së për qeverisjen e Kurti, duhet të mendojë se LDK ka qeverisur së bashku me Pronton 1.

“Abdixhiku, partia e tij LDK, e cila gjatë e ka qeverisur vendin me PONTO 1, e frustruar nga humbja në mënyrën më katastrofale të zgjedhjeve të fundit të parakohshme, nuk ka si mos t'i thotë qeverisë Kurti, reprizë e PRONTO 2. Abdixhiku, para se ta thoshte këtë duhej t'i shkonte mendja në arrestimin e kryetarëve të komunave të partisë tij, të cilët u dënuan për korrupsion dhe keqpërdorimi pozitash”, ka thënë analisti.

Ai më tej ka shtuar se Abdixhiku duhet t’i eliminojë defektet brenda partisë tij, e të mos shpif për Kurtin.

“Z. Abdixhiku, para se të shpif dhe etiketojë qeverinë Kurti, për motive xhelozie dhe urrejtje do të duhej t'i eliminonte defektet brenda partisë tij, të cilat këtë parti dikur më masovikën në Kosovë tani e kanë fundosur në fund të pusit”, thotë Bytyçi.

Në fund, thotë se kjo qeveri po punon për t’i eliminuar të këqijat të cilat i kanë shkaktuar partia e Abdixhikut (LDK) dhe ajo e Pronotos (PDK).

“Qeverisja Kurti po punon natë e ditë për t'i eliminuar të këqijat të cilat partia e Abdixhikut LDK dhe partia e PRONTO-s PDK, ia kanë shkaktuar Kosovës, prandaj edhe nuk është kah merret me thashethemet e partive tjera kundër tij. Nëse vazhdon Qeveria Kurti, ta qeverisë vendin siç ka filluar, ta luftojë krimin ekonomik, korrupsionin dhe arrestimin nga Gjykatat e bartëse të këtyre të këqijave, partitë tjera do të mbesin në opozitë përjetësisht”, përfundon Adem Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat