Padia për gjenocid ndaj Serbisë/ Ja paralajmërimi i fortë: Kjo është lidhja e rrezikshme për Kosovën, ky është aleati kryesor

Politika

Padia për gjenocid ndaj Serbisë/ Ja paralajmërimi i fortë: Kjo është lidhja e rrezikshme për Kosovën, ky është aleati kryesor

Nga: P.R Më: 1 korrik 2021 Në ora: 18:48
Foto ilustrim, Kurti, Vucic dhe masakrat serbe në Kosovë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka përsëritur zotimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se Kosova do ta paditë për gjenocid Serbinë.

Por sipas Haxhiut, këtë mund ta bëjë Shqipëria në emër të Kosovës.

“Padia për gjenocid do të jetë padyshim një ndër dokumentet kryesor. Zyra e kryeministrit është duke punuar me një kujdes të shtuar, me seriozitet, me hapa të kujdesshëm, dhe është në bashkëpunim të plotë me institucione të tjera, sidomos me institucionin e presidentit, presidentes Osmani dhe kryetarit të kuvendit, për herë të parë në republikën e Kosovës, pas sa viteve, e kemi në të njëjtën faqe, në të njëjtin zë, presidenten, kryeministrin dhe kryetarin e kuvendit”, është shprehur ditë më parë Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

E lidhur me paralajmërimin e qeverisë Kurtit për padinë për gjenocid ndaj Serbisë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

“Iniciativa Kurti-Osmani për të paditur Serbinë për krime lufte dhe gjenocide në Kosovë është një ndër aksionet politike më të guximshme dhe më të favorshme për të drejtën dhe garancinë e paqes e të sigurisë në Kosovë e në të gjithë rajonin. Ky fakt e bën Beogradin që ta zhvendosë lojën e saj politike nga sulmi në mbrojtje. Pra kryeministri dhe presidentja e Kosovës e zhvendosën lojën në sulm, që do të thotë se kanë krijuar avantazhin e fitores në favor të së drejtës në dialogun Kosovë-Serbi”, thotë Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Supas tij, padia kundër Serbisë është një nga premtimet e dyshes Osmani-Kurti.

“Por a është e mundur të arrihet kjo. Zonja Osmani shquhet për respektimin e parimit të mbajtjes së fjalës së dhënë. Ajo me të drejtë ka kritikuar Lidhjen Demokratike për mos mbajtjen e premtimeve në kursin politik të saj, duke theksuar se mbajtja e fjalës e bën faktor një politikan. Deri tani shoh se ajo dhe zoti Kurti po i mbajnë premtimet edhe në adresë të dialogut. Padia kundër Serbisë është një nga këto premtime”, shprehet Bytyçi.

Por a mundet që Shqipëria ta paditë Serbinë në emër të Kosovës, ashtu siç ka paralajmëruar Ministrja Haxhiu?

“Sa kohë që Kosova nuk do të jetë anëtare e OKB-së është e vështirë që ajo të bëjë padi kundër krimeve serbe ndaj shqiptarëve. Por nuk është e pamundur. Shqipëria do të ishte natyrshëm e interesuar për një gjë të tillë. Megjithatë kryeministri i saj, Edi Rama, është shprehur kundër politikës së akuzës ndaj Serbisë. Shkurt në këtë çështje ai mban anën e Beogradit. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e përshëndeti qëndrimin e zotit Rama gjatë një fjale që ai mbajti në Kuvendin e Serbisë. Ai u shfaq i lumtur që Tirana zyrtare e Edi Ramës në këtë rast, si shumë herë tjera, është në krah të interesave serbe dhe mbron me këmbëngulje këto interesa”, thekosn Bytyçi.

“Lidhja Rama-Vuçiq është shumë e rrezikshme për Shqipërinë, për shqiptarët, por sidomos për Kosovën. Ndaj dhe qeveria në Kosovë nuk duhet të mbajë shpresë se nëpërmjet qeverisë Rama do të mund ta çojë padinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Për këtë arsye duhet të hedh vështrimin diku tjetër”, nënvizon profesor Bytyçi.

Më tej, Bytyçi deklaron se aleati më i mirë për Kosovën që ta paditë Serbinë për gjenocid, është shteti i Kroacisë.

“Për mua, aleati më i mirë i Kosovës dhe i shqiptarëve në rajon është Kroacia. Nuk e di nëse do ta pranojë një propozim të Prishtinës për ta denoncuar Serbinë në Hagë për krimet e saj në Kosovë. Por jam i bindur se nga pikëpamja gjeopolitike dhe politike ajo do të ishte e gatshme ta bënte këtë. Sepse shqiptarët dhe kroatët kanë të njëjtat interesa në rajon. Zagrebit i duhet garanci se aleanca midis tij dhe Prishtinës do të jetë e qëndrueshme. I duhet dhënë gjithashtu akses në investimet në Kosovë si dhe në marrëdhëniet tregtare e ekonomike. Nëse merr këto garanci dhe avantazhe, besoj se do ta pranonte sfidën e ngritjes së akuzës kundër Serbisë”, thekosn Bytyçi për “Bota sot”.

Por çfarë nëse edhe ky variant nuk funksionon?

“Atëherë duhet me patjetër që qeveria të ndajë fonde dhe t’u krijojë kushte që mijëra familje e kryefamiljarë të dëmtuar në Kosovë t’i çojnë paditë e tyre individualisht në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Le të dërgohen atje mijëra e dhjetëra mijë video e regjistrime tjera, si dhe fotografi dhe dëshmi të shumta për vrasjet, masakrat, të pagjeturit, shkatërrimin e djegien e Kosovës, përdhunimet, dëbimet, e gjithçka tjetër që regjimi serb ka kryer në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Kjo mënyrë është më e vështira, por jo e pamundura. Ndërkaq është më e suksesshmja në arritjen e suksesit dhe ndëshkimin e Serbisë, sepse do të duheshin kamionë e trena me dokumente e dëshmi për t’i ngarkuar në Kosovë e për t’i shkarkuar në Hagë”, thotë Bytyçi.

Për fund, Bytyçi deklaron se iniciativa për ta paditur Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid kundër shqiptarëve, ka ngjallur shqetësim edhe te ndërkombëtarët.

“Emmanuel Macron është ndër më të shqetësuarit dhe më të angazhuarit që ta parandalojë këtë iniciativë. Prandaj dhe telefonatat e bisedat e tij me Albin Kurtin kanë zënë një vend të veçantë. Por më shumë se Macron i shqetësuar për këtë është Edi Rama. Ky i fundit nuk pranon as të bisedojë, si Macron, me Albin Kurtin. Thjesht jep urdhra nga maja e Olimpit shqiptar ku ka hipur. Nuk është se nuk është i shqetësuar, madje është I tërbuar! I dhimbset tej mase miku e vëllai i tij në Beograd, Aleksandër Vuçiq. Nuk dëshiron që presidenti i Serbisë të dështojë në projektin e tij për krijimin e Serbisë së Madhe në Ballkan”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat