Kuorumi për Osmanin presidente, si pritet të veprojnë 4 deputetët e LDK-së?

Politika

Kuorumi për Osmanin presidente, si pritet të veprojnë 4 deputetët e LDK-së?

Nga: A.Z Më: 31 mars 2021 Në ora: 16:37
Vjosa Osmani

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka pranuar që të marrë pjesë në ditën kur do të votohet për president të vendit, e që për këtë post kandidate është Vjosa Osmani.

Por, përkundër vendimit të Kryesisë për t’ia bërë kuorumin Osmanit për Presidente, të paktën 4 deputetë të LDK-së mund të mos qëndrojnë në sallë, duke rrezikuar kështu zgjedhjen e saj për këtë post.

Lidhur me këtë, analisti Leon Duhanaj ka thënë për “Bota sot” se kur është fjala për raporte në mes Osmanit dhe LDK-së, duke pasur parasysh që Osmani ka dëmtuar subjektin, ka krijuar edhe përçarje në mes njerëzve.

Duhanaj thekson se Osmani sa ishte në LDK i ka dhënë të drejtë LVV-së, gjë që edhe e ka dëmtuar LDK-në. Sipas tij, kjo ka qenë edhe arsyeja e fitores së tyre.

“Kur flasim për raportet në mes të znj. Vjosa Osmani dhe LDK-së, përkatësisht disa nga deputetët aktual, atëherë duhet pasur parasysh një raport mjaft të tensionuar. Nëse analizojmë sjelljen e znj. Osmani përgjatë një viti, atëherë nuk mund të themi që ka qenë të paktën moralisht në rregull, pasi që përpos që ka dëmtuar subjektin duke qenë pjesë e tij, përderisa punë e ka bërë për një subjekt tjetër, ka krijuar edhe përçarje mes njerëzish gjithandej strukturave. Një gjë nuk duhet harruar asnjëherë, se nëse znj. Osmani do të deklaronte largimin nga LDK-ja dhe shkuarjen në LVV, menjëherë pas prishjes së koalicionit me LVV-në, atëherë besueshmëria ndaj Albin Kurtit dhe kauzës së tij, kishte me qenë shumë më e vogël. Fakti që znj. Osmani ka qëndruar në LDK, por duke i dhënë të drejt LVV-së e ka dëmtuar LDK-në dhe ka forcuar bindjet qytetare se duhet dhënë mbështetje Albinit dhe për mendimin tim ky ka qenë edhe çelësi i fitores së tyre”, ka deklaruar Duhanaj.

Më tej ka thënë se Osmani ka bërë deklaratë përçarëse, dhe është e pandershme të pres nga Veliu apo Selmanaj të jenë argat në këtë situate.

Ai shtoi se pas vendimit të LDK-së, mund të bëjnë kompromis me veten e tyre, por që sipas Duhanaj, do të jetë punë e vështirë.

“Tani, përveç kësaj, znj. Osmani si U.D e Presidentit, nuk është që ka bërë shumë imazh të pranueshëm në LDK, qoftë edhe me subjekte tjera në vend. Posaçërisht me disa nga deputetët aktual të LDK-së, hendeku ka qenë i madh dhe është goxha e pandershme prej saj të pres nga Agim Veliu apo Driton Selmanaj t'i bëhen argat në ketë situatë. Të paktën një pajtim intern ishte dashur të ndodhë, para se të pritej diçka e tillë. Megjithatë mendoj që, pasi LDK-ja, ka marrë vendim mbështetjen e saj, si shenjë uniteti partiak, mund të ndodhë që të apostrofuarit të bëjnë kompromis me veten e tyre, por që do të jetë punë e vështirë”, përfundoi Leon Duhanaj për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat