Lumiri, mister abstenimi, dorë e zgjatur e Isa Mustafës

Politika

Lumiri, mister abstenimi, dorë e zgjatur e Isa Mustafës

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 13 mars 2021 Në ora: 19:53
LDK; foto ilustrim nga "Bota sot"

Mister abstenimi, kështu mund të jetë emërtimi më i duhur për Lumir Abdixhikun. Kandidati për kryetar të LDK-së, sipas parashikimeve edhe favorit për të qenë kryetar i LDK-së, Lumiri, dikur i pëlqyer nga anëtarësia e gjerë e LDK-së, duket se më nuk e ka shkëlqimin e dikurshëm. Megjithatë, Lumriri i ndihmuar edhe nga klani i Isës, mund të jetë kryetar i LDK-së nga e diela e tutje. Pyetje e parë dhe krejt logjike është: a është Lumiri kryetari më i përshtatshëm për të nxjerrë LDK-në nga agonia ku ndodhet, a është Lumiri personi që pritet ta rikthejë besimin e të dëshpëruarve nga LDK dhe mbi të gjitha, a mund ta rikthejë Vjosën me Listën e saj në LDK ?!

Këto dhe shumë pyetje duhet t’ia bëjnë vetes të gjithë delegatët e LDK-së të dielën, jo vetëm për Lumirin, por edhe për tre kandidatët tjerë. Për të kthyer LDK-në në parti fituese, duhet po ashtu një projekt fitues, të cilin nuk e ka shfaqur Lumiri. Mbi të gjitha, për të realizuar një projekt fitues, duhet të ketë njerëz të guximshëm pas saj, jo njerëz që nuk kanë guxim, zgjedhin abstenimin si mënyrë. Në dy momente kruciale kur është dashur të shfaq guximin, intelektual mund të jesh por pa guxim je gjysmë intelektuali.

Në dy momente kryesore Lumriri ka abstenuar, në ato moment kur abstenimi lexohej si votë servilizmi, ashtu siç e përmendi edhe vet Isa Mustafa. Për Isën kam shumë vërejtje, por në raport me elektoratin Isa ka qenë më i ndershëm se Lumiri. Se abstenimi është mungesë guximi e tha edhe Isa duke potencuar se “abstenimi është mungesë e qëndrimit, blerje kohe, në stilin ta shohim si del”, kishte shkruar Mustafa, pasi Abdixhiku kishte thënë se nuk u dëgjuan zërat brenda partisë. Si mund të dëgjohej kur nuk e ka ngritur kurrë zërin, njeri pa qëndrim është ai që më së paku i duhet partisë, LDK-së. Tani shfaqet si shpëtimtar i partisë njeriu që s’ka pasur kurrë guxim ta kundërshtojë apo së paku të kërkojë reforma, dhe tani me gjoja “platforma që do të prezantojë, është zgjedhja e duhur për LDK-në. Duhet ndryshim. Nuk besoj që ka anëtarë të LDK-së që janë të kënaqur me gjendjen e tanishme”. Ky është vetëm një mashtrim i radhës nga mister abstenimi, meqenëse nuk ka paraqitur kurrfarë platforme.

Tani, me një vit vonesë që nga rrëzimi i qeverisë, iu paska kujtuar Lumirit se duhet ndryshim. Pse zotëri nuk fole atëherë për ndryshim, por je fshehur si pulë nën strofullin e Isës. Soji i Lumriri, përfitues, servil, janë ata që më së paku duhet të jenë në krye të partisë.

Besiani, edhe pse më i ri në moshë, nuk është bërë servil i Isës. Lumriri i përshtatet shumë Isës të zgjidhet në krye të partisë, e ka në dorë, e kontrollon. Lumiri s’ka guxim ta kundërshtojë Isën, si një femër kur ta merr zemrën dhe nuk mund t’i thuash kurrë jo.

Edhe pas të dielës, Isa do të jetë kryetar nën hije i LDK-së, nëse Lumiri apo Luta zgjidhen kryetar të saj sa për sy e faqe. Njëri edhe pse i ri në moshë, nuk ka guxim të kundërshtojë asgjë, e vetmja mënyrë e tij është abstenimi. Tjetri, argat i Hashimit dhe Isës, tanimë i konsumuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat