Ish deputetët e LDK-së jashtë Kuvendit, tkurrje dhe boshllëk për Grupin Parlamentar

Politika

Ish deputetët e LDK-së jashtë Kuvendit, tkurrje dhe boshllëk për Grupin Parlamentar

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 21 shkurt 2021 Në ora: 07:58
Ish deputetët e LDK-së

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë gjithsej 103 mijë e 507 vota, apo 13 për qind. Ky është rezultati më i dobët në historinë e LDK-së dhe sipas këtij rezultati, kësaj partie i takojnë vetëm 15 deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës, në legjislaturën e kaluar ka pasur 29 deputetë. Por, në zgjedhjet e sivjetme kjo parti ka arritur t’i sigurojë vetëm 15 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Deri më tani, pa numërimin e votave të diasporës, kandidatët e LDK-së që kanë arritur t’i marrin votat për t’u bërë deputetë janë: Avdullah Hoti, Kujtim Shala, Lumir Abdixhiku, Anton Quni, Armend Zemaj, Ekrem Hyseni, Agim Veliu, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Marigona Geci, Besian Mustafa, Lirije Kajtazi, Vlora Dumoshi, Valentina Bunjaku Rexhepi.

Ndërkaq, deputetët e LDK-së në legjislaturën e fundit të Kuvendit dhe disa edhe në ato të kaluarën, sipas  rezultateve të deritanishme (pa përfshirë votat nga diaspora dhe ato me kusht) që nuk kanë arritur t’i sigurojnë votat e mjaftueshme për të qenë pjesë e Kuvendit janë Driton Selmanaj, Arban Abrashi, Fetah Rudi, Frashër Demaj, Ilir Ferati, Shkëmb Manaj, Ardian Shala, Rrezarta Krasniqi, Shkelzen Hajdini, Doruntinë Maloku, Hatim Baxhaku e të tjerë.

Lidhur me këtë, për deputetët të cilët nuk kanë mundur t’i sigurojnë votat për të qenë përsëri pjesë e Kuvendit, kanë komentuar edhe disa prej analistëve.

Kështu, analisti Fatmir Bajraj, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se Parlamenti do të jetë më i varfër pa LDK-në dhe se në këto zgjedhje LDK-në e kanë ndëshkuar rëndë duke përgjysmuar Grupin Parlamentar, fuqinë politike si dhe tkurrjen e potencialit politik dhe akademik të Parlamentit.

“Rezultat ndëshkues, gabimet që i kushtuan LDK-së ! Parlamenti i ri i Republikës së Kosovës, do të jetë më i varfër më një LDK të përgjysmuar numerikisht, së cilës iu faturua padrejtësisht çmimi i gabimeve, dështimeve dhe keqqeverisjeve të mëparshme, edhe pse LDK-ja, ishte e keqja më e vogël. Zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, për LDK-në, janë zgjedhjet, rezultati i të cilave ndëshkon rëndë atë, duke përgjysmuar Grupin Parlamentar dhe më këtë rast edhe fuqinë politike në vendimmarrje dhe në tkurrjen e potencialit politik, intelektual dhe akademik të Parlamentit të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Bajraj.

Më tej, ai ka theksuar se mbetja jashtë Parlamentit siç është Driton Selmanaj, Fetah Rudi, Shkëmb Manaj, Arban Abrashi, është një humbje kapitale për tempullin e demokracisë parlamentare. 

“Mbetja jashtë Parlamentit të Republikës së Kosovës, e më se gjysmës së emrave të përveçëm nga sa kishte Grupi Parlamentar i LDK-së, së legjislaturës së fundit, siç janë: Driton Selmanaj, Arban Abrashi, Fetah Rudi, Frashër Demaj, Ilir Ferati, Shkëmb Manaj, Ardian Shala, Rrezarta Krasniqi, Shkelzen Hajdini, Doruntinë Maloku dhe Hatim Baxhaku, është jo vetëm një tkurrje drastike e LDK-së në Parlament, por është njëkohësisht edhe një humbje e ndjeshme dhe pse jo edhe kapitale për tempullin e demokracisë parlamentare dhe misionin e tij historik”, shtoi ai. 

Sipas tij, mungesa e emrave të shquar, siç është deputeti Fetah Rudi, paraqet një humbje të tmerrshme për vlerat e demokracisë parlamentare. 

Bajraj thotë se me mungesën e këtyre do t’i mungojë imazhi dhe kontributi Parlamentit të Kosovës, mungesë e cila nuk do të lë vetëm boshllëk por edhe cilësi profesionale.

“Mungesa e emrave të shquar në organin përfaqësues të sovranit, emra të spikatur të politikës, në politikë-bërje dhe në shtet-ndërtim, dhe me bagazh të jashtëzakonshëm në fushën e dijes, shkencës dhe botës akademike në njërën anë, si dhe në anën tjetër, bija dhe bij të heronjve të Kosovës së lirë dhe sovrane në krye me heroin e gjallë, ish deputetin Fetah Rudi, të afirmuar dhe të promovuar fuqishëm në kurorëzimin e projektit nacional: Kosova shtet sovran dhe demokratik, paraqet një humbje të tmerrshme për cilësitë dhe vlerat sublime të demokracisë sonë parlamentare, 21 vite pas çlirimit dhe 13 vite pas pavarësimit të vendit nga Serbia. Parlamentit të Republikës së Kosovës, do t'i mungojë imazhi dhe kontributi enorm i të mbeturve jashtë tij, nga radhët e LDK-së, mungesa e të cilëve, jo vetëm së le boshllëk, por do të reflektohet katërcipërisht në cilësi profesionale, kulturë politike dhe në mision të vet tempullit të demokracisë parlamentare, Kuvendit të Republikës së Kosovës”, theksoi Bajraj.

Ai shtoi se vendet e tyre do t’i zënë të zgjedhurit e ri të sovranit, por duke kërkuar nga ta, përmbushjen e obligimeve dhe mbështetjen e qytetarëve. 

Sipas tij, LDK-ja edhe pse e tkurrur, e ka për obligim dhe detyrim institucional-shtetëror mbrojtjen e vlerave politike dhe shtyllat boshtore të qenësisë dhe identitetit nacional-historik.

""Zëri i popullit, zëri i zotit", thotë një maksimë e vjetër sa vet njerëzimi ! Vendet e tyre në Legjislaturën e re, të dalë pas zgjedhjeve të lira dhe demokratike të 14 shkurtit 2021, do t'i zënë të zgjedhurit e ri të sovranit, vullnetit të cilit i bindemi dhe i subordinohemi detyrimisht, por duke kërkuar prej të zgjedhurve të tanishëm sikur se gjithherë dhe gjithmonë, përmbushjen e obligimeve të marra dhe zotimeve të dhëna para elektoratit me rastin e kërkimit dhe mbështetjes qytetare, si dhe besimin e tyre të shprehur me votën e lirë të shprehur në kutitë e votimit. LDK-ja, në Parlamentin e Kosovës, edhe pse e tkurrur dhe e gjymtuar në numra, e ka obligim qytetar dhe detyrim institucional-shtetëror mbrojtjen e vlerave politike, si parti djathtiste-nacionale dhe konservatore-tradicionale të tri shtyllave boshtore të qenësisë dhe identitetit tonë nacional-historik, siç janë: Kosovo-centrizmi, Orientimi pro-perëndimor, dhe Miqësia permanente me SHBA-të”, ka potencuar ai.

Krejt në fund, analisti Bajraj i uron Grupit Parlamentar të LDK-së, të jetë unik në ushtrimin e funksionit opozitar, kështu LDK-ja përmes këtij Grupi Parlamentar do të dijë të japë shembullin më të mirë në politikë-bërje si trashëgimi Rugoviane.

Por, ai shpreson që të mos përsëritet rasti siç ishte me Vjosa Osmanin dhe Haxhi Avdylin që dëmtuan LDK-në.

“Grupi Parlamentar i LDK-së, kuptohet pas certifikimit dhe konstituimit të Parlamentit të ri, urojmë që të jetë unik dhe konsistent në ushtrimin e funksionit opozitar, pushtet të cilin i ndau Sovrani, dhe këtë pushtet moral, ta ushtroj fort dhe fuqishëm në korrektimin e pushtetit real dhe ofertën e alternativave qeverisëse në interes të qytetarëve dhe të vetë Republikës së Kosovës, sikurse të jetë dhe luan rolin konstruktiv dhe konvencional në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të arritura dhe në avancimin e atyre në proces. LDK, përmes GP në Parlament, do të dijë të jap shembullin më të mirë në politikë-bërje, të asaj politike largpamëse dhe të urtë, si trashëgimi Rugoviane, me shpresën se ky GP, nuk do përsërit shkarjet e të mëparshmëve në kuptimin e kontrabandimit të votës së LDK-së, për subjektet e oponencës, siç ishte ky i fundit me rastin e Vjosa Osmanit dhe Haxhi Avdylit, të cilët dëmtuan LDK-në dhe kauzën e saj politike në interes të shtetit”, përfundoi Bajraj për “Bota sot”.

Ndërsa njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti, ka thënë se figurat e LDK-së të mbetura jashtë, janë ata që nuk kanë  pasur qëndrimet personale kur është dashur të dëgjohet zëri i tyre, kështu janë pare të panevojshëm dhe nuk janë votuar.

Image
Faton Mehmeti

“Figurat e mbetura jashtë Kuvendit nga LDK-ja, janë kryesisht ata që nuk kanë pasur qëndrime të tyre personale në momente kur është dashur të dëgjohet zëri i tyre. Pasiviteti i tyre, abstenimi nga çdo gjë që ka ndodhur i ka bërë të duken në sytë e qytetarëve të panevojshëm, dhe si të tillë nuk janë votuar. Realisht, kanë mbetur jashtë edhe në atmosferën e zymtë që ka kapluar LDK-ja”, tha Mehmti për “Bota sot”.

Mehmti tutje ka theksuar se këto figura nuk kanë qenë të interesuar për reforma në parti, kështu si arsye për mos votimin e tyre është pasiviteti ndaj degradimit që ndodhte brenda partisë.

“Këto figura, të gjitha pa përjashtim, nuk janë interesuar asnjëherë për reforma në parti, e të cilat do të ndikonin që LDK-ja mos të binte këtu ku janë, por janë pjesë e shembjes së kalasë, e cila i zuri edhe vet ata. Janë çmimi që po paguajnë nga pasiviteti i tyre ndaj degradimit që po ndodhte brenda partisë, andaj edhe qytetarët i kanë ndëshkuar me mosvotim. Kjo është e vetmja arsye logjike, pse nuk kanë fituar votat, besimin e qytetarëve”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat