Skenari që mund ta pret Vetëvendosjen, kështu mund të shpallet e pavlefshme fitorja e Kurtit – thirrja urgjente nga profesori për kreun e VV-së

Politika

Skenari që mund ta pret Vetëvendosjen, kështu mund të shpallet e pavlefshme fitorja e Kurtit – thirrja urgjente nga profesori për kreun e VV-së

Nga: N. H Më: 6 shkurt 2021 Në ora: 13:26
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ditë më parë ka shpallur 110 emrat e kandidatëve të VV-së për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Në një postim në Facebook, Kurti ka thënë se është zgjedhur nga Vetëvendosje si kandidati për kryeministër i Kosovës, dhe se e ka për nder ta përmbush këtë detyrë.

Edhe pse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka certifikuar Kurtin, dhe disa emra të tjerë të VV-së, ata nuk janë hequr nga lista.

Lidhur me këtë çështje, për gazetën “Bota sot”, ka folur njohësi i çështjeve politike.

Analisti politik, Sulejman Mehazi, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se nëse lideri i Vetëvendosjes nuk tërhiqet nga gara, ka gjasa, gjithnjë sipas tij, që KQZ-ja të shpallë të pavlefshme fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Kujdes, nëse Albin Kurti nuk tërhiqet nga lista e deputetëve, KQZ-ja mund të shpallë të pavlefshme fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje, e të kënaq partitë tjera konkurruese. Fushata për zgjedhjet e 14 shkurtit filloi në Kosovë, partive konkurruese politike ju dëshirojmë kampanjë të qetë e të mençur zgjedhore duke bindur qytetarët e votuesit e tyre jo me ofendime, sharje e shpifje ndaj partive konkurruese, po me programet katërvjeçare qeverisëse”, ka deklaruar fillimisht Mehazi.

Mehazi shprehet se përkundër se sondazhet e rendisin si të parën partinë e Kurtit, lehtë mund të ndodhë që kjo fitore e Vetëvendosjes të kthehet në humbje juridike nga KQZ-ja.

Image
Sulejman Mehazi

“Sondazhet e deritanishme tregojnë se LVV-ja e Albin Kurtit do marrë një fitore të jashtëzakonshme e madhështore si kurrë më parë, mirëpo shumë lehtë mund të ndodhë që kjo fitore e Vetëvendosjes të kthehet në humbje juridike nga KQZ-ja e cila nuk e pranon Albin Kurtin si bartës i listës së deputetëve të LVV-së”, ka thënë ai.

Tutje, Mehazi ka shpjeguar edhe se si mund të shpallen votat e pavlefshme për Lëvizjen Vetëvendosje.

“Edhe pse Albin Kurti nuk është në listën e KQZ-së për deputet, mirëpo ai nuk tërhiqet nga lista e deputetëve e qytetarët do ta votojnë, atëherë KQZ-ja ligjërisht votat e Albin Kurtit e të Lëvizjes Vetevendosje do t’i shpallë të pavlefshme, dhe ja inati i LVV-së, fitoren madhështore do ta kthejnë në humbje vetëvrasëse”, ka shtuar Mehazi.

Kurse, krejt në fund, ai ka bërë një thirrje publike për kreun e VV-së, që për të mirën e partisë së tij, për të mirën e votuesve, të tërhiqet emri i tij si bartës i listës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

“E lusim zotëri Albin Kurti që për të mirën e partisë së tij, për të mirën e votuesve e qytetarëve që do ta votojnë të tërhiqet emri i tij si bartës i listës së deputeteve të Lëvizjes Vetëvendosja se oponentët politikë, ligji e KQZ- ja me qejf presin që LVV-ja të bëjë gabime e shkaqe të vogla zgjedhore që fitoren e LVV-së ta shpallin si jolegjitime e ta kthejnë në humbje dëshpëruese për LVV-në e qytetarët e Kosovës në përgjithësi”, tha krejt në fund, njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat