Falen kamatat për debitorët e energjisë elektrike

Shqipëria

E premte, 26 prill 2024

Falen kamatat për debitorët e energjisë elektrike

Më: 15 gusht 2016 Në ora: 00:17
Falen kamatat për debitorët e energjisë elektrike

Pensionistëve kryefamiljarë dhe familjeve me ndihmë ekonomike, që kanë aktmarrëveshje me OSHEE-­në për të paguar debinë e dritave, në muajin janar 2017 do t’u falen kamatat.

Drejtoresha e Divizionit Tregtar, Albana Ferraj, në intervistën dhënë gazetës tha se përfitues të faljes së kamatave do të jenë ato kategori që kanë respektuar aktmarrëveshjet e lidhura me OSHEE­në kundrejt pagesës simbolike 20 lekë. Sipas Ferrajt, pensionistët dhe familjet e varfra në janar duhet të paraqesin dokumentin që tregon kategorinë ku bën pjesë, në skemën e ndihmës ekonomike apo pensionist, për të përfituar faljen e kamatëvonesave.

OSHEE zhvendosi deri në dhjetor afatin për lidhjen e aktmarrëveshjeve për pensionistët kryefamiljarë dhe familjet me ndihmë ekonomike me detyrime të papaguara. Çfarë ka sjellë kjo?

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, në vijim të analizave që zhvillon për kategoritë e konsumatorëve dhe ekspozimit të tyre ndaj kompanisë, parashikon edhe masat përkatëse për reduktimin e këtij ekspozimi. Si rrjedhojë, e pa të nevojshme dhe të përshtatshme që për këto kategori të përllogaritej një këst ripagese i përshtatshëm për portofolet familjare. Në këtë analizë, gjithashtu, fokus pati edhe portofoli i privatit dhe parashikimi i aftësisë së tij paguese.

Bazuar në sa me sipër, Këshilli Mbikëqyrës vendosi që të shtyjë afatin e përfitimit për kategoritë në nevojë, që janë familjet me ndihmë ekonomike, status të veçantë dhe pensionistë, të cilëve u jepet mundësia e ripagimit me këste mujore, që shkon në 1,200 lekë në muaj, së bashku me mundësinë e reduktimit të kamatës kundrejt një pagese prej 20 lekësh, në rast se respektojnë afatet e pagesës së faturës dhe këstit. Këshilli Mbikëqyrës miratoi edhe skemën e ripagesës me këste 2,800 lekë në muaj për kategoritë e tjera të konsumatorëve familjarë debitorë, duke reduktuar këstin nga një mesatare që ofrohej prej 7,000­ 8,000 lekësh në muaj me skemat e mëparshme, në rreth 70%, duke i ofruar mundësinë e reduktimit të pagesave për energjinë nga buxheti familjar. Skema e ripagesës për kategorinë “privat” varion në bazë të shumës së detyrimit nga 12 këste në 144 këste.

Për të gjitha këto skema, është e rëndësishme që konsumatorët privatë të bëhen të vetëdijshëm që mosrespektimi i aktmarrëveshjeve do të sjellë riaktivizimin vetëm kundrejt pagesës së shumës në masën 30% të detyrimeve të prapambetura dhe nuk mund ta përfitojnë reduktimin e kamatës, në rast se nuk respektojnë kushtet aktuale, qoftë dhe një herë gjatë jetëgjatësisë së aktmarrëveshjeve. Dhe, sigurisht, mbeten në fuqi aktmarrëveshjet me ripagesë të menjëhershme kundrejt të cilave kategoria “familjar” përfiton 70% të reduktimit të kamatës dhe kategoria “privat” përfiton 50% të reduktimit të kamatës.

Sa është numri i aktmarrëveshjeve të lidhura në këtë periudhë?

Në fund të muajit korrik, aktmarrëveshjet e lidhura në total janë 437 mijë, nga të cilat 417 mijë janë familjarë dhe 20 mijë janë jofamiljarë. Në këtë grupim, rreth 217 mijë konsumatorë familjarë dhe rreth 5 mijë jofamiljarë kanë përftuar produkte të pagesës së menjëhershme dhe pjesa tjetër vijojnë të ripaguajnë detyrimet.

Ndërkaq, konsumatori familjar i kategorive të veçanta, që ka përftuar aktmarrëveshje lehtësuese me 1,000 ose 1,200 lekë kësti mujor, arrin në rreth 62 mijë klientë.

Sa është vlera e kamatave të dritave e falur deri sot?

Deri në muajin qershor, shifra totale e kamatëvonesave të zbritura nga zbatimi i skemave lehtësuese të pagesave ka arritur në 8.6 miliardë lekë ose, ndryshe, rreth 72 milionë dollarë. Nga të dhënat, rezulton se 3.3 miliardë lekë ose 27 milionë dollarë u përket abonentëve familjarë të ndihmës ekonomike, me status të veçantë, që kanë hyrë dhe respektuar aktmarrëveshjet e nënshkruara me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike deri në fundvitin 2015.

Sa interes ka pasur për shlyerjen e menjëhershme dhe të plotë të borxhit? Klientët që kanë përfituar nga pagesa e menjëhershme e detyrimeve arrin në masën 217 mijë konsumatorë familjarë, që përfaqësojnë rreth 50% të numrit total të klientëve që kanë lidhur një aktmarrëveshje me OSHEE-në. Këta konsumatorë kanë përfituar nga reduktimi një kursim në vlera monetare prej rreth 4,8 miliardë lekësh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat