Të shtunën në Pejë protestë kundër demarkacionit

Peja

Të shtunën në Pejë protestë kundër demarkacionit

Më: 25 gusht 2016 Në ora: 15:17
Pamje nga konferenca

Derisa Vetëvendosje ka bërë thirrje për protestën gjithë popullore me 1 shtator për të kundërshtuar ratifikimin e marrëveshjes së pikës kufitare me Malin e Zi, një thirrje për protestë me 27 gusht është bërë edhe nga përfaqësuesit e fshatrave që janë në kufi me Malin e Zi.

Në një konferencë për media, organizuar sot në sheshin e qytetit të Pejës, Ali Lajçi nga Këshilli Organizativ  ka ftuar gjithë qytetarët e Kosovës që t’i  bashkohen protestës, duke shtuar se do ta kundërshtojnë fuqishëm demarkacionin me Malin e Zi.

Lajçi: Me 27 gusht protestë kundër demarkacionit me Malin e Zi

 “Me datën 27 gusht duke filluar nga ora 12 në këtë shesh  i ftojmë të gjithë banorët edhe gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës....Do të kundërshtohen fuqimisht nga gjithë këta përfaqësues, dhe komuniteti sepse vija e tillë kufitare cenon rëndë integritetin e vendit tonë e që nuk është i pranueshëm”, tha Lajçi.

Megjithatë ai tha se është mirë që është arritur të bëhet demarkimi me shtetet përreth por jo me këtë marrëveshje.

Ish deputeti nga qyteti i tij i lindjes u ka bërë thirrje edhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës që me 1  shtator kur duhet të votohet demarkacioni me Malin e Zi, të jenë të vëmendshëm dhe të marrin parasysh gjithë faktorët dhe analizat e qasjet e ndryshme të Komisionit Shtetëror, ku sipas tij kjo e fundit është bërë për shkaqe të pazareve politike.

Lajçi: Deputetët të jenë të vëmendshëm me votën

“Deputetët e Republikës së Kosovës janë para një dhënie të një verdikti, apo të një vote që bën ratifikimin e një marrëveshje të tillë me dy të tretat, e që i thërrasim të jenë të vëmendshëm, të marrin parasysh të gjithë faktorët, të marrin parasysh të gjitha analizat dhe qasjet e ndryshme komisioni Shtetëror është një komision politik, të cilën e kanë bërë për shkaqe të pazareve por nuk shpreh dinjitetin e shtetit të Kosovës dhe territorin e vet. Prandaj, ne e kundërshtojmë  dinjitetshëm dhe do ta kundërshtojmë, por ata duhet të kenë vëmendje eventualisht në Kuvend të Kosovës, të mos e votojnë këtë variant sepse ne jemi për demarkim, dhe shyqyr që kemi mbërri të bëjmë demarkimin e duhet të bëjmë me të gjitha shtetet përreth, por jo këtë version”, tha Lajçi.

 Mujë Rugova, derisa ka treguar se qëllimi i protestës është sensibilizimi i popullit të Rugovës, Podgurit dhe zonës së Deçanit të cilat janë të prekura nga propozimi i demarkacionit nga Komisioni Shtetëror, ka folur edhe rreth deklaratës së profesorit të gjeografisë, Tomor Çelaj i cili nj në debat televiziv ka thënë se  sipërfaqja e Kosovës nuk ka lëvizur,  por se sipërfaqja e Malit të Zi është rritur. Rugova tha se nuk mund të rritet Mali i Zi pa u zvogëluar dikush përreth , e që në këtë rast po zvogëlohet Kosova.

Rugova: O sot o kurrë, nuk kemi territor për të falë

“I them atij zotit Tomor Çela që nuk mundet të rritet Mali i Zi pa u zvogëluar dikush përreth e në këtë rast zvogëlohet Kosova. Pse nuk u rrit Mali i Zi në drejtim të Kroacisë, Parvallkës, pastaj zonës së Kotorit apo veri me Bosnjën, ose në lindje me Serbinë? Pse nuk e shtyri kufirin me Sanxhakun por kjo nuk do të shkoj...prandaj ky populli nuk do të guxoj të lejoj këtë parlament dhe ask këtë qeveri dhe këta udhëheqës shtetëror të lëshojnë territor. Rugova, Potgori, dhe zona e Deçanit janë të vendosur o sot o kurrë nuk kemi territor me falë.”, tha Rugova.

Në këtë konferencë kanë folur edhe banorët e Rugovës të cilët u kanë thirrje deputetëve që  mos ta votojnë demarkacioni me Malin e Zi.

Është bërë e ditur se në protestë kundërshtuese në Komunën e Pjesë, do të janë gjitha komunitetet përreth përfshirë komunat që i cenon vija kufitare me Malin  e Zi, si dhe partitë politike e shoqëritë civile.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat