Kadri, eshtrat e Prishtinës i ke në tokë të sigurtë. Ruaje tokën e eshtrave të Boletinit nga Hashimi

Opinione

Kadri, eshtrat e Prishtinës i ke në tokë të sigurtë. Ruaje tokën e eshtrave të Boletinit nga Hashimi

Çim Peka Nga Çim Peka Më 17 gusht 2018 Në ora: 15:19
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Kadri Veseli është një nga shqiptarët më të njohur, mes gjeneratave të 3 dekadave të fundit në Kosovë dhe më gjerë.

Ai ka lindur dhe është rritur deri në rininë e hershme në zonën veriore të qytetit të Mitrovicës, pikërisht aty ku përçmimi dhe klasifikimi i shqiptarëve si, ‘njerëz që lindin me bisht’, nga serbët merrte kuptimin më të plotë.

Prandaj edhe rioshi Veseli u bë një nga protagonistët e lëvizjeve shqiptare rinore dhe popullore të fundviteve 80-të kundër shtypjes serbe, në të gjithë dimensionet që njeh historia botërore e gjenocideve.

Prandaj braktisi arsimimin e mesëm për veteriner dhe ju fut punës në universitetin e Prishtinës, për studimin e gjuhës shqipe. Prandaj ishte nga të parët që ju bashkua edhe lëvizjes së armatosur në mes të viteve 90-të, për tu bërë deri ‘gjeneral’ në UÇK, ku drejtonte shërbimin sekret.

 I ka bërë të gjitha këto, sepse Kadri Veseli është një mitrovicas me trashëgimi brez pas brezi si patriot shqiptarë dhe natyrisht, i tillë është edhe sot pas kaq vitesh që shijon të mirat e pakufi të pushtetit, në një Kosovë tashmë shtet i pavarur.

Por  në këto ditë të nxehta Gushti, kur në Shqipëri e Kosovë, `temperaturat` janë rritur edhe më shumë pas zjarrit të madh që kalli Hashim Thaçi në rolin e relatorit publik të një plani gati masonik, për ndarjen e Kosovës, Kadri Vesli, na u shfaq ditët e fundit sërish si një ‘gjeneral’. Këtë herë jo si në kohë të luftës për punët e fshehta të udhëheqjes së UÇK-së, por si gjeneral i ‘gjeneralëve të vdekur, të kombit shqiptarë’.

Pikërisht në zemër të kësaj histerie të rikonfigurimit të kufijve me Serbinë, e cila po bëhet çdo ditë e më shumë çështje ndërkombëtare, kur Rusia fërkon duart për të qenë edhe njëherë protagoniste në një ‘Konferencë Londre’ të dytë; kur presidenti Thaçi po shfaqet pa frikë si një mbret që nuk njeh parlamentin, partinë nga ka dalë, faktorët e tjerë kombëtar shqiptarë dhe as ata me peshë të rëndë ndërkombëtare si kancelaria Merkel, Kadri Veseli, ka vendosur të merret me zhvarrime e varrime!

Kur Shtatori po afron dhe Thaçi deklaron i palëkundur se do të paraqesë gjatë bisedimeve me homologun serb, Aleksandër Vuçiç, planin për rishikimin e kufijve mes dy vendeve, kryeparlamentari dhe kryetari i partisë që ka shumicën qeverisëse, PDK, pas disa shfaqjeve duke luajtur futboll lëndinave, del se ka qenë mjaft i angazhuar për të hartuar një letër për qeverinë shqiptare, nëpërmjet së cilës i kërkon që të dorëzojë eshtrat e një prej figurave më të shquara të shqiptarisë, Hasan Prishtinës.

Tani kemi shtet, jo shaka- thotë Veseli- prandaj Hasan Prishtina bën mirë që të prehet në vendlindjen e tij, në Vushtri. Deri këtu nuk ka ndonjë gjë të keqe, por ka një dilemë të madhe. A e ka parë hartën e re që ka vizatuar Vuçiç me Thaçin e plakun Soros, Kadri Veseli?!

Nëse jo, patjetër që ndërkohë që bënte pauza gjatë qëndisjes së letrës për Ramën (që hesht, si peshk në akuarium), me idenë dhe dëshirën madhore; transferimin e eshtrave të Hasan Prishtinës nga Kukësi në Vushtrri, patjetër i ka dëgjuar e parë lajmet, për këtë temë.

Tani jemi në një situatë të bërë tashmë zyrtare, kur miku i Kadri Veselit, bashkëpunëtori në luftë e pushtet të pakufi, Hashim Thaçi, duket se ka gëlltitur lugën e çorbës së prishur dhe me idenë se është duke bërë një pazar për fatin personal në Gjykatën Speciale, kërkon që të lërë jashtë Kosovës edhe varrin e shqiptarit dhe luftëtarit  tjetër të madh, Isa Boletini, në Boletin të Mitrovicës Veriore.

 Kadri Veseli bën sikur nuk e ka mendjen, që plani Soros- Vuçiç-Thaçi-Rama lë jashtë shtetit ku e mbajnë si ‘figurë të madhe’, edhe shtëpinë ku ka lindur vetë në Mitrovicë, edhe rrugët ku u frustrua me të drejtë në rini, sa të vendoste të merrte armët pasi serbët e trajtonin si qenie që gjendet në bisht të zinxhirit natyror të gjallesave.

Kadri Veseli ulet, përpilon plane për zhvarrime e varrime patriotike-krahinore brenda trojeve shqiptare, për të cilat luftoi njësoj Hasan Prishtina dhe harron, se në horizont shokët e tij po ju dorëzojnë serbëve, Isa Boletinin, që nuk kishin shans ta kapnin dot kurrë, në të gjallë.

Është një histori legjendare, sa e dhimbshme aq edhe e turpshme, ajo e eshtrave të Isa Boletinit. I ndjeri presidenti i madh i shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rrugova, arriti që nëpërmjet një plani të fshehtë të transferonte eshtrat e tij nga Mali i Zi ku e vranë serbët, në Kosovë. Në atë kohë serbët kryen një operacion policor spektakolarë, për të bastisur trenin me të cilin transportohej Boletini, por nuk mundën dot të shtinin në dorë eshtrat e luftëtarit, që ju kishte treguar vendin me një trimëri që u bë legjendë edhe në kancelaritë evropiane të kohës.

Hashim Thaçi e Kadri Veseli me shokë, pasi e lanë Isën për vite të tëra brenda një thesi në bodrumet e xhamisë së Mitrovicës, vetëm në vitin 2015 u kujtuan që ta varrosnin në vendlindjen e tij, me nderet që i takonin atij shqiptari të madh. Tani pas 3 vitesh, eshtrat e luftëtarit të madh e sigurt, që kanë nisur të kërkëllijnë sërish!

Tani imagjinojeni, se në çfarë situate jemi; ‘Gjeneral’ Hashim Thaçi që po pëlcet nga të mirat e pushtetit vetëm se morri pjesë në luftën që e përmbylli me sukses SHBA dhe NATO, në tavolina të fshehta e të hapura me Vuçiçin e Daçiçin e Sllobodan Milosheviçit, përball një gjenerali të vërtetë si Isa Boletinit që shkriu pasurinë dhe jetën, por është ende i ‘shpallur në kërkim’ edhe pas vdekjes nga serbët.

‘Gjeneral’ Kadri Veselin, që bën sikur nuk dëgjon nga veshi ku i thonë se po copëtohen trojet shqiptare, përballë gjeneralit tjetër të shqiptarisë Hasan Prishtina, i cili shkriu edhe ky jetën e pasurinë, për lirinë e trojeve shqiptare, kreu i Delegacionit të Kosovës në Konferencën e Parisit në vitin 1918, për të mbrojtur ato toka që sot po ju dhurohen serbëve.

‘Gjeneral’ Veseli në vend që të merret me transferime eshtrash të gjeneralëve të vërtetë nga Shqipëria në Shqipëri, bën mirë që të bëjë detyrën e tij si politikan dhe shqiptarë nëse ende e ndjen dhe të bëjë atë që ka në dorë, për të ndalur turravrapin e Thaçit drejt prehrit të Vuçiç.

 Të mbledhë urgjentisht parlamentin dhe të thërrasë presidentin që të shpjegojë përpara deputetëve të popullit, se çfarë kuptimi kanë gjëegjëzat që shqipton, me korrigjim kufijsh, e ‘mos ndarje’ territoresh!

Nëse Thaçi  nuk e dëgjon dhe se llogarit fare, sepse është aty ku është thjesht si një kukull, atëherë le të ulet dhe të shkruaj ato që di për kohën e luftës dhe veçanërisht pas saj dhe le ti thotë ‘Gjarprit’ president, që na qenka bërë ‘Kone’ për serbët; ndal se...

Një ditë këto ‘kujtime’ është e sigurt, që do t`ja kërkojë edhe Gjykata Speciale, por bën mirë që t`ja kujtoj që tani mikut të tij, nëse vërtet i dhimbset Mitrovica e tij me gjithë Isa Boletinin, Hasan Prishtinën e mijëra gjeneral të tjerë të vërtetë që dhanë gjithçka në luftë me pushtuesit serbë e të tjerë, për atë Kosovë e këtë shqiptari!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat