Fundi i kështjellës - 1479 vjet pas Krishtit

Opinione

Fundi i kështjellës - 1479 vjet pas Krishtit

Nga: Gani Mehmetaj Më: 13 gusht 2018 Në ora: 14:22
Gani Mehmetaj

Nuk ia thashë asnjëherë togerit, dyshimet për mosqenien e varrit, sepse druaja që do të më bindte në qafë, do të më kërkonte informacione të tjera. Por edhe sikur t’ia thosha, nuk do ta zbythja nga kërkimet. 

Në një letër më shkruante se do të shikonte terrenin e Krujës sipër Kështjellës, pastaj poshtë murit rrethues, në humnerë. Ai niste letra sa herë e ndiente nevojën të më thoshte diçka, pavarësisht se kurrë nuk ia ktheva përgjigjen. Ai e dinte që isha afër, besonte që ia përgjoja lëvizjet, prandaj në një mënyrë apo tjetër donte të më sfidonte, sikur përpiqej të më thoshte, ja pa ndihmën tënde do të bëj zbulime epokale, të njëjta me zbulimet e Shlimanit. Këtë eksplorues ma përmendte shpesh. Nuk doja t’ia prishja imazhin e idhullit të tij, i cili gjatë hulumtimeve në shekullin e kaluar bëri dëme në shtresa të tëra arkeologjike. 

Për fillimin e gërmimeve afër Kështjellës së Krujë më treguan besimtarët që kaluan nga famullia. Ata habiteshin me hapjen e sondave, gropave katrore, ashtu sikurse habiteshin me gjakftohtësinë time. Vinin të mbushur frymë, kërkonin ndërhyrjen time, ndërsa unë rrudhja supet, isha i pafuqishëm të pengoja çka do qoftë. 

Në këtë kohë të shqetësimeve kontinentale asgjë nuk më qetësonte sesa kronikat e vëllezërve të mi françeskanë.

“Imazhi i pushtimit të kështjellës më mbërthente si makth. Më fanitej natën. Kërceja nga shtrati i trembur si të më ndiqnin lukuni ujqish. Të njëjtat pamje më përsëriteshin shpesh, të njëjtat klithma më ushtonin në vesh, më bëhej se m’u kishin futur në rrashtën e kokës. Imazhet më përsëriteshin. Mure gjysmë të rrënuara, tymi që dilte nga shtëpitë, trupa të gjymtuar nga gjylja e topit, ushtarë të shkalafitur nga betejat tremujore që s’reshtën ditë as natë. Banorëve të drobitur e të uritur mund t’ua numëroje brinjët nën këmishët dikur të bardha që nuk u dihej ngjyra nga zhgjyri e pluhuri. Qyteti nuk i ngjante vetes. Përtej bedenave vëreheshin lëvizje të armikut. Trupat e tyre përtëriteshin.

Kështjellarët me buzët shkrumb nga vapa shihnin e prisnin, duke shtrënguar nofullat. Ishte vështirë të mbrohej kështjella, uji shteroi, pasi u prenë burimet nga jashtë, rezerva të ushqimit s’kishte tash disa javë. 

Dikush tha se kreu i kështjellarëve dërgoi delegacionin të merreshin vesh me rrethuesit për kushtet e dorëzimit. Athua çfarë kushtesh? Qe vështirë të diktonim kushte, sepse s’paraqitnim forcë rezistuese. Trupat elite ranë në dy përpjekjet e fundit, kur e sprapsën mësymjen e ushtrisë turke. Por se kush e tha, kjo ishte fitore e Pirros. Një mësymje të re s’do ta përballonim. Delegacioni u kthye me lajmin që nuk e inkurajoi askënd: komandanti i trupave turke premtoi se të gjithë ata që do të dorëzoheshin gjatë ditës së sotme, do të faleshin. Pra, do të kurseheshin gratë e fëmijët. Të tjerët nuk shpresonin në falje. Disa u panë me dyshim, nisën të mblidhnin plaçkat. Shumë prej tyre u gëzuan që do të iknin nga ky varr, sepse kështjella u bë varri i tyre dhe i familjeve të tyre. 

“Ma merr Zot shpirtin e m’i mbyll sytë përgjithmonë, të mos e shoh këtë mner!”, dëgjoheshin lutjet si të qenë grahmat e fundit. Dikush përpiqej t’u jepte zemër, t’ua ngjallte shpresat se do të bëhej mirë, por askush nuk e besonte këtë gjë. 

Kolona e dërmuar me ngathtësi të zombit ecte drejt portës kryesore së kështjellës. Asnjëri nuk e ktheu kokën prapa, si të turpëroheshin që po e braktisnin qytetin e rrethuar. Disa druanin se me t’u kthyer do t’i braktiste atomi i fundit i energjisë, do të binin shakull në vend. Grupi i parë ia behu në hyrje të portës kryesore të kështjellës. Dukej kortezhi i gjatë, i përmotshëm. Dyshimi i brente të gjithë. 

“Je i sigurt që ata do t’i përmbahen marrëveshjes?!”, i tha njëri nga kështjellarët Lajmëtarit, sepse delegacioni i bisedimeve u shkri në turmën e shkalafitur. 

“Ashtu më thanë, ashtu ua dhashë kumtin”, - ia priti i zymtuar Lajmëtari. “Se mos patën rrugë tjetër? Mbase mund të shpëtojnë gratë e fëmijët. Për ta kërkuam mëshirë. Por atyre asnjëherë nuk u dihet, ndryshe të thonë e ndryshe bëjnë... ”, e paraqiste Lajmëtari mëdyshjen e vet. 

Nuk e përfundoi fjalinë, kur një shigjetë ia përshkoi qafën, duke ia lanë fjalën në gjysmë. Ai që e pyeti pak më parë, pa me frikë Lajmëtarin, që mbulohej në gjak, në pamundësi të ngopej me ajër. Shoku i tij nxori shpatën, mori pozicion mbrojtje, ndërsa lukunia e ushtarëve armiq që pak më parë rrinin në të dyja anët e rrugicës në dalje të Kështjellës së Krujës, mësynë me një britmë ngjethëse. U bë rrëmujë. Klithma, britma luftarake. 

“Kujdes gratë e kalamajtë, gratë e kalamajtë...! ”, -mbaja në mend fjalët e fundit të dikujt që ende jepte urdhra. 

Klithmat e tmerrit ma çanin timpanin e veshit. Koka më ushtonte, ndjeva goditje të shurdhër, nuk e di në cilën pjesë të trupit as me çfarë arme. 

M’u errësua çdo gjë...” 

Më ngjethi përjetimi i kronistit. Dikush do të ketë mbetur gjallë, përveç tij, nisa ta ngushëlloja veten.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat