20 vite nga beteja e Loxhës - Bota Sot
20 vite nga beteja e Loxhës

Opinione

E shtunë, 22 shtator 2018

20 vite nga beteja e Loxhës

Nga: Fadil Hadergjonaj Më: 7 korrik 2018 Në ora: 15:01
Fadil Hadergjonaj

Mëngjesin e 6 Korrikut 1998, komandanti Tahir Zemaj dha urdhër për angazhim të trupave në operacione të drejtëpërdrejta luftarake. Me një organizim të shpejtë, strukturim të grupeve të luftimit, mbështetjes dhe forcës rezervë në gadishmëri për reagim të shpejtë, nën drejtimin e komandantëve Nazif Ramabaja, Esat Ademaj dhe Faruk Xhemajli, këto trupa marshojnë drejt fshatit Loxhë i cili ishte nën sulmin e ashpër të forcave armike. Nga detonimet, shkëmbimi i zjarrit, levizja e mjeteve të motorizuara, ndihmojnë komandantët vigjilent dhe të vendosur të përcaktojnë mënyrën më efikase të veprimit me goditje të rrufeshme dhe të fuqishme duke i paralizuar mjetet motorrike te armikut dhe shkëputur nga forcat policore e ushtarake dhe duke i bërë cak më të lehtë për goditje nga forcat tona. Në këtë përballje, forcat e armikut u gjenden përballë trupave të rregullta, mirë të organizuara, mirë të stërvitura dhe të komanduara në mënyrë profesionale, që do t'i befasoj, duke i ç'orientuar dhe krijuar panikë e shkapërderdhje totale. Kjo do të krijoj avantazh të menjëhershëm për forcat tona të cilat në mënyrë më brilante e shfrytzojnë dhe i shkaktojnë disfat klasike armikut. Ikje nga të gjitha anët dhe jashtë çdo logjike të formacioneve ushtarako-policore, të vetmin qëllim tani forcat armike kan shpëtimin e kokës së vet secili..! Në këto luftime duke tentuar asgjësimin e fortifikatës së fundit të pozicioneve të armikut, brenda shtëpisë "bunker" ku ishte futur luftëtari trim Enver Alaj, i cili nuk e vëren armikun e strukur, kalon pranë tij, armiku e qëllon befas për vdekje Enverin i cili bie dëshmori i parë i formacioneve të rregullta ushtarake të komanduara dhe drejtuara nga zingjiri institucional i Republikës së Kosovës, kurse para shtëpisë plagoset rëndë eprori Faruk Xhemajli.

Tani për të vënë situatën nën kontrollë të plotë, për të pastruar terenin nga individët e hutuar dhe çorientuar të armikut, komandant Zemaj kërkon angazhimin e forcave rezervë! Angazhohen batalioni i dytë me komandant Bajram Stojkaj dhe zëvendësi i bat. parë eprori Lumni Surdulli dhe batalioni i tretë me komandantin Fadil Hadergjonaj, si dhe stafi i komandës së brigadës pothuaj se komplet në krye me Komandant Tahirin, Sali Çekaj e Rrustem Bruqi, Shaban Dragaj e të tjerë. Me të arritur në Loxhë, te gjamia e fshatit na pret komandanti i luftimeve të paraditës, Nazif Ramabaja dhe bënë një raportim shumë përmbajtësorë dhe profesional rreth zhvillimeve të deritanishme si dhe situatën aktuale duke sygjeruar veprimet e domosdoshme të menjëhershme dhe ato pasuese.

Komandant Zemaj merr vendim për të formuar skuadren e vëzhgimit dhe pastrimin e terenit deri te rruga Pejë-Loxhë-Grabovc-Gorazhdec dhe ngarkon komandantin e batalionit të tretë me këtë detyrë. Batalioni i dytë pozicionohet nga ana e majtë e fshatit duke vu nën kontroll magjistralen Pejë -Deçan, kurse stafi komandues i brigadës do të depërtoj drejt shkollës. Pasi pastrohet tereni konkludohet se shpija "bunker" ku edhe ishte vrarë Enveri dhe plagosur Faruku është ende e rrezikshme dhe se aty ka forca te armikut të pajisura dhe mirë të stërvitura. Këtë objekt e kishte identifikuar skuadra vëzhguese dhe ishte ofruar fshehurazi dhe pozicionuar mirë për goditje dhe asgjësim. Papritmas dhe duke vlerësuar se rreziku është i ulët, në oborrin e shtëpisë shfaqen komandanti Zemaj, Nazifi, Shabani, Rrustemi, Cufa ... dikush futet brenda, kurse Rrustemi e Cufa kalojnë pranë shtëpisë nga ana e djathtë për të kontrolluar garazhat që ishin mbrapa, pas tyre ishte edhe komandanti Zemaj. Nga kulmi i shtëpisë bunker hap zjarr armiku dhe e qëllon për vdekje Rrustemin, kurse Cufa përgjigjet me zjarrë. Nën zjarrë e nxjerrem Cufën nga ajo pjesë. Tani komandant Zema me zë të lartë e thërret Rrustemin, duke mos dashur të besoj se ai kishte vdekë. Kërkoj nga unë dhe njësiti im të jemi gati të godasim me granathedhës krahu zola, RPGJ dhe të gjitha mjetet në dispozicion.

U dha ultimatum me zë armikut, që nëse dorëzohen brenda 5 min, nuk ju ndodhë asnjë e keqe por do të trajtohen si robër lufte, sipas konventave ndëkombëtare. E përsëriti dy herë, por ata u pergjigjen me zjarrë. Tani nuk kishte se çfarë të pritej dhe ne vepruam menjëherë për të neutralizuar zjarrin dhe asgjesuar armikun. Kjo përballje bëhet edhe më e vështirë duke ditur se trupi i Rrustemit ishte në mes dhe duhej tërhekur. Nga ana e djathtë e objektit, Lumni Surdulli i kishte vërejtur se nga po na vie zjarri armik dhe në tendencë për t'i asgjësuar me një mortajë krahu "Ambrus" hap zjarrë, afërsia nga ku godet predha e tij nuk eksplodon por e zbulon pozicionin e Lumniut, snajperisti armik e godet në ballë. Tani me urdhër të komandant Zemaj angazhohet edhe nje skuadër e djemve të Loxhës për mbështetje dhe ndihmë, duke sjellur edhe shishe mollotovi dhe urdhërohemi se ajo shtëpi "bunker" duhet shkatrruar plotsisht. 

Zbatohet urdhëri i komandantit, tërhiqet trupi i Rrustemit dhe të nesërmen në fshatin Isniq organizohet ceremonia e vorrimit të tre dëshmorëve të brigadave të formuara nga MMRK në krye me ministrin, kolonel Ahmet Krasniqi. Lavdi dëshmorëve të betejës së Loxhës, Lavdi të gjithë dëshmorëve të luftës çlirimtare, Respekt familjeve dhe bashkëluftëtarëve të tyre.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test