Refugjatët iknin valë-valë!

Opinione

Refugjatët iknin valë-valë!

Nga: Gani Mehmetaj Më: 2 prill 2018 Në ora: 19:15
Gani Mehmetaj

Në rrugëtimin tonë të pakokë, askush nuk e dinte nga shkonim. Kur e kaluam rrugën magjistrale pamë kolona të tjera makinash që s'bënin para as prapa. Diku duhet t'i ketë bllokuar policia, por asnjëri nga udhëtarët nuk dilte jashtë makinës. Athua të ketë filluar fundi i botës me dëbimin tonë? 

Me gjithë paralajmërimet ogurzeza të shkrimeve serike, emisioneve televizive e filmave të Hollivudit, pak ditë më parë na rrëmbeu besimi i patundur se fundi i botës do të niste gjetiu, nëse duhej të realizoheshin parashikimet e fallxhorëve, apo ithtarëve të apokalipsit. Më shumë besonim se ishte çështje e fantazisë së artistëve apo e industrisë së filmit, që paralajmëroi disa herë fundin e botës me seri filmash, por gjithnjë dilte një hero që e shpëtonte botën. Në fatkeqësinë që na pllakosi nuk doli asnjë hero, nuk pati as njerëz që do t'i prinin turmës, që do ta orientonin, apo që do ta shtynin tutje. Secili ecte pavetëdijshëm, shkelte në gjurmët e atij para tij, vazhdonte pa e ngritur kokën nga shkonte.  

Pak orë më parë nuk na shkonte ndër mend se do të na dëbonin nga shtëpitë, do të na shpërngulnin nga vendi, më shumë druanim se do të na vrisnin në grupe, në shenjë hakmarrjeje, do t'i mbushnin burgjet e tyre, por për pjesën tjetër besonim se do t'i linin në vatrat e tyre. Por armiku ynë gjithnjë ishte i paparashikuar në veprime, bënte ashtu si nuk ta merrte mendja.

Ecja në bishtin e kolonës, duke fantazuar, sepse nuk doja t'i kthehesha realitetit. Dikur nisa të shqetësohesha, nuk i shihja askund prindërit e  mi, ndërkaq takova disa fqinjë.

Ata ishin të sigurt se babai e nëna nuk dolën nga shtëpia. Të tjerët ma thanë që i panë në kolonat e të dëbuarve, por në cilin drejtim u nisën, askush nuk dinte të ma thoshte. U përshëndeta me mikun e banesës, Gimin, e braktisa kolonën dhe u ktheva mbrapshtë, në kërkim të prindërve. Ata vazhduan tutje në kohën me shi e fërfëllizë që ua fshikullonte fytyrën e trupin. 

Rrugicave të rrahura më pak mbërrita para shtëpisë. S’kishte frymë njeriu. Heshtja e lagjes më trishtoi. Shtëpia e prindërve ishte plaçkitur, rraqe të hedhura tutje: mobilie të thyera, karrige të përmbysura. Nuk ndenja. Lagjja qe braktisur, shtëpia qe plaçkitur.  

Më brente ndërgjegjja pse i braktisa. Sikur të rrija me ta, do t'u ndihmoja, mbase do t'i ngushëlloja. Nuk e keni idenë çfarë ndjesie është të ballafaqohesh me shtëpinë në rrëmujë, në vend se të dëgjosh zërat e dashur. Heshtja torturuese më pikëllonte. Pendimi ma zinte frymën. Më zgjoi nga përhumbja një mace e fqinjit që mjaullinte. Më shikonte në sy, mbase kërkonte ndihmën time, mbase më pyeste në gjuhën e saj për pronarët që e lanë vetëm dhe ikën. E shikova i dëshpëruar në bebëzat e syve të saj, por e hoqa shikimin, sepse e dija që ajo s’mund të më jepte asnjë përgjigje për prindërit e munguar, as unë s'kisha ç'i jepja për ushqim, s'mund t'i thosha asgjë për pronarët. Nëpër mend e sillja tronditjen e prindërve kur e braktisen shtëpinë. Kanë bërë një jetë në vatrën e tyre, kanë shpresuar që këtu do ta ngrysin jetën, kur befas u  thanë: "Mbathja, lini të gjitha!"

Prindërit shihnin si u qëndronin mbi kokë kërcënueshëm policët: - Keni kohë pesëmbëdhjetë minuta. - Ashtu u thanë atyre që ecnin me mua në kolonën e refugjatëve, ashtu duhet t’u kenë thënë edhe babait e nënës, para disa orësh. Ndonjëri përpiqej t’u sqaronte se afati është tepër i shkurtër, gati e pamundur të bëhesh gati, por polici shikonte orën, një herë ta lëshonte një shikim të zemëruar, që mezi e mban veten të të mos hidhej në grykë. Ndonjë polic nuk e përmbante veten e godiste fatkeqin këmbëngulës me tytë pushke duke e lënë pa frymë. 

Mjaullima e një maceje që e ndiqte tjetrën më paralajmëroi se isha në vendin e gabuar. Mund të më qëllonte ndonjë snajper apo të më vriste ndonjë civil i armatosur, sepse ato ditë secili banor i kombit të tyre mund të të vriste dhe të mos jepte përgjegjësi.

Në heshtje ia lashë lamtumirën shtëpisë, e mbylla derën, e dija se pas disa orësh, ose më së largu të nesërmen, do ta thyenin e do ta plaçkitnin atë që kishte mbetur. Nuk mora asgjë me vete. Më sëmbonte. "Ku mund të kenë shkuar pleqtë e gjorë?

Te refugjatët nuk u ktheva, nga qyteti s’kisha si të dilja. Policët rrinin para çdo udhëkryqi, civilë të armatosur ruanin lagjet. Pas valës së parë të dëbimeve, policë e rezervistë të mobilizuar u shpërndanë nëpër udhëkryqe  e rrugë me rëndësi. U nisa drejt një furriku në çatinë e godinës shumëkatëshe, sipër banesës nga na dëbuan. Nga çatia mund të vrojtoja disa rrugë e një udhëkryq. Isha më i sigurt se kudo tjetër, askujt s'do t'i kujtohej ky qymez i braktisur. Spektaklin e bombardimeve natën e parë e të dytë nga këtu i ndoqëm.

Kështu për disa muaj mbeta peng, brenda një hapësire të ngushtë nga as nuk dilja dhe as nuk lëvizja. Nuk isha i lumtur që u shkëputa nga kolona. Mbase shpëtova nga marshimet e pafundme. Mbase hoqa barrën e vuajtjeve kolektive të kolonës, ndërsa nuk u ndihmoja dot, më pikonte në zemër kur pashë foshnja të mardhura, fëmijë të frikësuar e gra të tmerruara. Nuk mora vesh asgjë për fatin e kolonës nga e cila u shkëputa, nuk mora vesh asgjë as për shokun tim, që shpresonte të kalonte kufirin e të dilte në Shqipëri. Por e di që herë-herë ua pata zili. Shpesh e kam përsëritur: “Të lumtë ata që i kaluan me kohë portat e qytetit, mjerë ne që mbetëm brenda dhe pamë lemeri që as t’i përshkruajmë nuk dimë”.  Po të parafrazoja gjyshen time, do të thosha "lmerën që e pashë do t'ia kallëzoj vetëm natës së vorrit!" Sa herë më kujtohen ato që përjetova, lëkura e kafkës më rrëqethet, sa herë më përftojnë në gjumë pamjet e luftës, një klithmë e frikshme më zgjon nga kllapia. Gurmazin mu kishte tharë.

I dëshpëruar me ato që më panë sytë, i vetmuar në furrikun tim të ri, shihja zbraztë në horizont, përpiqesha të kapja nga ia mbathën kolonat e pafundme të refugjatëve, sepse që nga çasti kur kapërcyen portat e qytetit, ata u bënë refugjatë pa asgjë, pos shpirtit e ndonjë anëtari të familjes që e nxorën shëndosh nga kthetrat e policisë e të njësive speciale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat