Letër e hapur grupit të deputetëve të pavarur në Parlamentin e Republikës së Kosovës

Opinione

Letër e hapur grupit të deputetëve të pavarur në Parlamentin e Republikës së Kosovës

Nga: Taulant Veseli Më: 23 mars 2018 Në ora: 14:35
Taulant Veseli

Deri vonë ishit pjesë e një ideali, e një qëllimi të lartë. Iu mbështetëm në bindjen për pikësynimin kryesor të dëshirave që kemi për këtë vend.

Veprimtaria juaj dhe përpjekjet tuaja morën hov nga besimi ynë. Ne nuk ishim tifoz juaji, ishim votues, votues në vijë të drejtë, pa dredha, pa lakime e shtrembërime, së paku synimet ishin të tilla.

Mirëpo, sot, ju ndryshuat mendje! Iu kthyet një drejtimi tjetër, ndryshuat fytyrën, ndryshuat ngjyrën, ndryshuat veten, u pozicionuat ndryshe, ndërruat dhe na mashtruat! Fal votës sonë, besimit tonë, ju u zgjodhët në organin më të lartë ligjvënës, u zgjodhët anëtarë për ta ndihmuar mendimin e vetëm shpresëdhënës për vendin tonë.

Tani, ne, qytetarët e Kosovës, këmbëngultas, ua kërkojmë votën tonë mbrapsht, gjegjësisht, kërkojmë dorëheqjen tuaj nga pushteti dhe detyrat zyrtare që ua dhamë. Thjesht, largohuni nga Parlamenti, nuk është juaji po është yni.

E nëse nuk jeni të gatshëm ta bëni një gjë të tillë, na tregoni atëherë çka të bëjmë me ju, edhe këtë mundësi e keni, të na tregoni vërtetë çka të bëjmë me ju ose si t’ia bëjmë me ju. Gjithnjë ta dini, besimin tonë nuk e keni më, dhe nuk do të dorëzohemi për ta vënë drejtësinë në votën tonë.

Nga kjo kërkesë, mos u ndiheni të kërcënuar, por ndihuni të obliguar të jepni dorëheqje.

Vota ishte jona, e qytetarit me shpresë për ndryshime, ju e tradhtuat, e për këtë duheni dhënë llogari. Mundësinë ta rregulloni këtë mashtrim e keni ju, vetëm ju.

Unë nuk jam aktivist i LVV, por vetëm votues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat