Çrregullimet psikike kosovare

Opinione

Çrregullimet psikike kosovare

Nga: Lis Bukuroca Më: 24 shkurt 2018 Në ora: 10:28
Lis Bukuroca

1. Halil Matoshi thotë se pasi të aprovohet marrëveshja për kufirin, ku Kosova humb territor, do t‘i kthehen ato troje, që i ka falur Thaçi! Pra, do të gjenden përsëri nën sovranitetin e Kosovës vetëm pasi Kuvendi me shumicë të pajtohet se i takojnë dhe se janë të Malit të Zi! Kësaj procedure i thonë, bëhu sonte nuse e Hashimit,  pastaj ta kthejnë fqinjët virgjinitetin, se ata ta kanë marrë me qira vetëm për një kohë të caktuar! E si mund të anulohet ai virgjinitet i humbur, duhet pyetur Kuvendin e Malit të Zi! 

Tregoni popullit se jeni të detyruar të nënshkruani për të shpëtuar injorancën e hazreti Hashimit  dhe të Ramushit. Kryetari i Malit të Zi nuk mund të premtojë kthimin e territoreve të fituara në tryezë, sepse edhe ai ka Kuvend dhe opozitë! Nëse një dit kthehet Ulqini me krahinat tjera shqiptare, mund të kthehen edhe këto 8.000 hektarë!

2. Matoshi thotë Ramushi urdhëroi kthimin e flamurit shqiptar te Rrethi sepse nuk dëshiruaka të dëshpërojë qytetarët! Sipas shpjegimit të tij, Rrethi nuk është institucion, kurse flamuri multientik, valon në godinat e shtetit! Domethënë vetëm pas festës, Ramushi kuptoi mashtrimin e Matoshit dhe mori vesh se Rrethi nuk është institucion.

Ramushi ka adhuruar atë flamur, por që kur ka Matoshin pranë, ai flet dhe gjykon me po atë arrogancë dhe ekskomunikim, që bënte Matoshi në përpjekjet e tija për të imponuar pikëpamje antishqitare: Në vitet e 90 me këmbëngulje për komb islamik dhe federatë islame, si i konvenonte Serbisë, tani me komb kosovar me një etnonim nga gjuha serbe, si i konvenon përsëri Serbisë! Mendimet e Matoshit lexohen në intervistat dhe vendimet të Ramushit! Matoshi fitoi dy herë deri tani. Në Tagesspeigel Ramushi pohoi se ndërtimi i kombit të ri, nuk është i lehtë dhe me heqjen e flamurit shqiptar në ditën festive.  Me flamurin shqiptar u sollën më keq se me flamurin serb.

Halil Matoshi drejton Kosovën drejt kaosit dhe implozionit. Ramushi është vetëm ekzekutues i ideve të tij. Ju kujtohet si Matoshi përligji dyfishimin e rrogës së kryeministrit: Nuk është për Ramushin, por për institucionin e kryeministrit. Përsiatje komuniste e përkryer!

3. Nuk është çudi nëse në zgjedhjet e ardhshme populli voton listën serbe! Ata e duan Kosovën dhe nuk e braktisin. Ne presim një mundësi për të ikur sa më lehtë, sa më larg, pa kthyer kokën prapë, edhe pse kemi kryetarin më të mençur në botë, natyrisht sipas konstatimeve të dy anglezëve!

4. Nuk mbet një rrugaç, një hajdut, një mafioz dhe një kriminel, që nuk u bë politikan!

5. Njerëz nuk jemi vetëm pse kemi dy këmbë. Dy  i ka edhe majmuni. Njerëz jemi, kur bëjmë vepra njerëzore, humane. Majmuni merr vetëm, sepse ndryshe nuk din. Përveç barkut të vet, të tjerët nuk i ndjen, nuk i kupton, sepse trurin e ka shumë më të vogël se qeniet njerëzore! Të jesh majmun në Xhungël nuk është turp, por të sillesh me inteligjencë majmuni në politikë, është tragjedi për ata që votojnë ata kushërinj të majmunëve!

6. Ai që i lutet zotit për vete, shkon në ferr, nëse ka njerëz, që jetojnë më keq se lutësi!

Nëse zoti është i mençur, ai nuk mund të çmojë egoistët kronikë (as ne nuk i duam)!

Lumturia dhe paqja nuk arrihet duke u lutur për veten, por duke u lutur dhe ndihmuar të mjerin! Mjerimi nuk është profesion, as komb, as fat, por ai ndërtohet dhe kultivohet nga njerëzit egoistë, që luten të kenë më shumë dhe të varfrit i japin, në dita festive fetare, sepse aty presin përfitime më të mëdha: T‘u paguhet dhjetëfish, atë që falin nja dy herë në vit!

7. Nëse shkon Hashimi në Hagë për disa ditë, në librin e ri, do të krahasohet me Adem Demaçin dhe Nelson Mandelën. Nëse del, do të krahasohet me Makiavelin dhe Tartufin! Nëse shokët i dërgon, por vet mbetet në Prishtinë, do të krahasohet me Rrahman Morinën! Nëse shikohet mirë e mirë, nuk i konvenon as të burgoset, as të mos burgoset!

8. Shtetet normale konsiderojnë sukses shtetin ligjor dhe hyrjen në BE. Në Republikën e Injorantëve sukses konsiderohet anulimi i vizave! Nëse bazohemi në aftësitë mendore për të zgjidhur një çështje kufitare, për të zbatuar kërkesat tjera të BE-së na duhet 400 vite!

9. Mërgimtar nuk bëhet askush nga dëshira, por vetëm kur i rrëmbehen të gjitha shpresat, të gjitha ëndrrat për të jetuar me dinjitet në atdhe! Si mërgimtar shpirti të mbetet diku varë në atdhe, por politikanët e vendit, ta gërditin me atë intensitet, sa e ka bërë edhe armiku! Armiku e bënte për ta rrëmbyer vendin, politikanët injorantë të heqin dheun nën këmbë duke u tallur me fatin tënd! Dhe, ne mburremi akoma me ata maskarenj të pasuruar, që varfëruan popullin duke vjedhur shtetin e vet! Shtetin e vet!!! Politikanët tanë veprojnë si qelizat kanceroze!

10. Duket se kemi më shumë doktorë të shkencave, se sa lopë! Lopët janë fisnike dhe të dobishme tërë jetën, në fund, si mirënjohje, ua hamë edhe mishin. Plagjiatorët janë kafshë grabitqare dhe të dëmshme tërë jetën. Në fund i hanë shpirtin dhe ardhmërinë një populli të tërë duke lënë pas vete vetëm viça!!!

11. Dashuria e tepruar ndaj gruas bën burrin xheloz, burgos gruan dhe i shkakton sëmundje! Nuk është problemi te gruaja, por te burri që ka frikë se ia merr dikush nga bindja se ai nuk ka vlerë, nga mungesa e sedrës: Kompleksi i vogëlsisë, i të qenit pa vlerë reale! Dashuria e tepruar e politikanit ndaj atdheut, shkatërron vendin! E ka bërë Hitleri, Musolini, Millosheviqi e shumë diktatorë tjerë! Ata janë të bindur se janë të paaftë dhe atë që kanë futur në dorë, nuk e lëshojnë deri në shkatërrim të vendit! Arsyeja? Kompleksi i vogëlsisë, i të qenit pa vlera të përnjëmendta: Mungesa e sedrës dhe vetvlerësimit të drejtë! Atdheun e dashurojnë me xhelozi edhe Thaçi, Berisha, Haradinaj dhe Basha!

12. E kritikojnë Rita Orën pse nuk  flet shqipen mirë duke jetuar jashtë vendit dhe harrojnë ta rrahin veten me shpulla gojës, se edhe duke jetuar në atdhe, dy fjali nuk dinë t‘i shkruajnë apo t‘i shqiptojnë fonetikisht pa gabime, edhe atë, nga nxënësi, deri te profesori i fakultetit! Jashtë vendit nuk flitet shqipja, shqipja ruhet brenda, jashtë përfundon me asimilim. Çdo i pesti amerikan ka origjinë gjermane. Me ditën kur braktiset vendi, nisë asimilimi, por si të arsyetohet mungesa e dashurisë ndaj gjuhës e atyre që jetojnë në atdhe duke mbaruar shkolla shqiptare? Ky është problem që duhet zgjidhur! Rita Ora ndikon pozitivisht në botë për imazhin më shumë se krejt universitetet tona! Bill Clintoni nuk është shqiptar dhe nuk flet shqip, por askush nuk ka mundur të bëjë, sa ai për lirinë e Kosovës! Gjuhën shqipe e flet edhe Pronto, edhe njerëzit si Rrahman Morina...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat