Nuk është mesazh vetëm për Adriatik Llallën!

Opinione

Nuk është mesazh vetëm për Adriatik Llallën!

Nga: Mero Baze Më: 17 shkurt 2018 Në ora: 21:01
Mero Baze

Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi publikisht në faqen zyrtare të sekretarit të Shtetit, se i ndalon hyrjen në SHBA, ish- prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe familjes së tij, bazuar në informacionin se ish-zyrtari është përfshirë në korrupsion të përmasave domethënëse…

Kjo është hera e parë që një zyrtar i lartë shqiptar, ka vëmendjen individuale nga sekretari i Shtetit i SHBA, si një person i padëshirueshëm në SHBA, për shkak të rolit negativ që ka luajtur në vendosjen e drejtësisë në Shqipëri dhe përfshirjen në korrupsion dhe shkelje të të drejtave të njeriut.

Qëndrimi zyrtar i SHBA në fakt është paralajmëruar muaj më parë. Ambasadori i SHBA në Shqipëri, Donald Lu, e ka përmendur disa herë rolin minues të ish- prokurorit të Përgjithshëm në reformën në drejtësi, dhe ka theksuar se ai dhe zyrtarë si ai, kanë frikë nga vendosja e drejtësisë në Shqipëri.

Por beteja më e fundit ka qenë beteja për zëvendësimin e prokurorit të Përgjithshëm, pas mbarimit të mandatit të tij kushtetues në javën e parë të dhjetorit. SHBA dhe BE u angazhuan zyrtarisht në respektimin e Kushtetutës së Shqipërisë, për zëvendësimin e kryeprokurorit, duke përdorur dispozitat kalimtare që ishin vendosur nga reforma në drejtësi, tek ligji për prokurorin e Përgjithshëm.

Por çfarë ka ndodhur?

Për shkak të qëndrimti konstant të SHBA dhe BE për zëvendësimin e Adriatik Llallës, opozita në Shqipëri tentoi të shkaktojë krizë politike dhe revolta të dhunshme në parlament, për të bllokuar zgjedhjen e tij. Parlamenti u zhyt në flakëhedhëse, nën breshërinë e çizmeve, rrëmbimin e kartave dhe përpjekjen për ta bllokuar fizikisht zëvendësimin e Adriatik Llallës. Kryeprokurorja e re, u ofendua publikisht ende pa e njohur dhe pa e ditur si do të punonte, edhe pse i përket një familje të djathtë historikisht dhe politikisht.

Pas dështimit në Kuvend, beteja u tentua të kalojë në rrugë, por dështoi nga braktisja e qytetarëve.

Ambasadori Donald Lu u shpall pothuajse “person non grata” nga opozita, duke u akuzuar së bashku me ambasadoren Vlahutin, se heqja e Adriatik Llallës ishte vepër personale e tyre dhe se nuk përfaqësonin SHBA dhe BE.

Sot Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë publikuar një dokument zyrtar, që konfirmon githë qëndrimet e ambasadorit Donald Lu për reformën në drejtësi dhe zotin Llalla në veçanti.

I vetmi zë që ka folur në parlament për këtë çështje sot, është nje deputet i shumicës, Taulant Balla, por dhe deklarata e tij ka humbur mes humorit që shkakton përpjekja e opozitës për të mbuluar krizën “Salianji”.

Qëndrimi i SHBA është zyrtar, dhe është në faqen e sekretarit të Shtetit. Tani opozita ose duhet të tërheqë mbrapsht gjithë akuzat që ka bërë për ambasadorin amerikan në Tiranë dhe atë të BE, ose duhet ta konfirmojë atë qëndrim, duke institucionalizuar anti-amerikanizmin e saj, si qëndrim zyrtar. Pasi me qëndrimin e saj, opozita më shumë se sa e ka mbrojtur, e ka përdorur rastin Llalla për të shpikur kauza kundër reformës në drejtësi.

Ndoshta Adriatik Llalla nuk do të ishte ndëshkuar deri këtu, sikur opozita ta linte atë të qetë e të ikte në hallin e vet, dhe të mos i vinte zjarrin Shqipërisë për ta mbajtur me dhunë në karrige si garant të “halleve” të saj. Ai u përdor si “kokë turku”, jo vetëm duke qëndruar në atë detyrë, por dhe kur ai në fakt nuk kishte më dëshirë të rrinte asnjë orë më aty.

Ishte pikërisht halli i opozitës dhe jo i Adriatik Llallës, beteja në parlament kundër ikjes së tij, fishekzjarret, çizmet dhe beteja e forcës para Kuvendit.

Duke folur në emër të Adriatik Lallës dhe duke injoruar qëndrimin e SHBA dhe BE në këtë pikë, puna arriti që SHBA të detyrohet për herë të pare në historinë e saj, të ndëshkojë publikisht dhe zyrtarisht, një zyrtar të lartë shqiptar. Adriatik Llalla po paguan tani haraçin e shërbëtorit dhe të njeriut që nuk i tha dot kurrë “stop” keqpërdorimit që i ka bërë Sali Berisha dhe pushteti i itj, si garant të krimeve të tyre.

Sot është dita që opozita ose të konfirmojë qëndrimin e saj kundër SHBA, ose qëndrimin e saj kundër Adriatik Llallës. Se ky nuk është mesazh vetëm kundër Adriatik Llallës, por mbi të gjitha kundër atyre që deshën t’i vënë zjarrin vendit për ta mbrojttur atë si garant të tyre. Është mesazh se SHBA e ka kuptuar ku qëndron problemi me betejën për të mbrojtur politikisht Adriatik Lallën. Dhe akoma më shumë, është një sinjal se nëse nuk do reflektohet, lista mund të vazhdojë!/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat