A ishin gratë e mbuluara viktima të dhunës në familje? - Bota Sot
A ishin gratë e mbuluara viktima të dhunës në familje?

Opinione

E mërkurë, 19 shtator 2018

A ishin gratë e mbuluara viktima të dhunës në familje?

Nga: Gani Mehmetaj Më: 14 shkurt 2018 Në ora: 16:02
Gani Mehmetaj

Vlora nga periferia e Prishtinës ishte vajzë 16 vjeçe kur e braktisi shtëpinë. Rrethanat e ikjes ishin dramatike. Vëllai i madh dhe babai donin ta mbulonin më shami arabe, ta ndanin nga shoqet, ta ndalonin nga shkolla, kurse ajo kishte ëndrra tjera. Vlora nuk pranoi me asnjë kusht mbulesë, as ndalesa fetare. U përpoqën ta bindin me fjalë, pastaj kërcitën shpullat e grushtet, prapë nisën përgjërimet e nënës, por vajza e re një herë u strehua te të afërmit, pastaj e kërkoi ndihmën e shoqatave humanitare.

Rrëfimi i saj me lot e ngashërime që ia zinin frymëmarrjen kur e tregoi para auditorit të shushatur që qante me te, ishte i ngjashëm me rrëfimin e Meritës 15-vjeçare. Familja e saj mu si familja e Vlorës ishte e varfër. Edhe ajo tregon se si nisën të vinin ca arabë të frikshëm të shoqatave humanitare, që të hanin me sy, kur të shikonin. Vëllai e babai dilnin e ktheheshin me ta. Gjendja jonë u përmirësua, nuk kishim mungesa, por për ramazan filluam të agjëronim, ndërsa kurrë nuk e kishim bërë më parë. Vëllai i madh lëshoi mjekër, babai nisi të shkonte në xhami, ia kërkuan nënës të mbulohej, ajo nuk rezistoi, megjithëse i afrohej të pesëdhjetave. E pashë që nuk e bëri me zemër, madje dy herë qau para meje, por athua kishte zgjidhje tjetër?  Pastaj thanë se duhej të mbulohej edhe vajza...   

Image

   

Kështu, Vlora e Merita mbetën pa familje sherri i arabëve të shoqatave humanitare. Drama të tilla kishte jo pak para më shumë se dhjetë vjetësh, por fare pak janë nxjerr në shesh. Kam dëgjuar edhe për fuqinë e vullnetit të dhjetëra vajzave e grave që nuk pranuan të mbulohen me shami arabe. Vajzat e reja kanë ikur nga familjet që t’i shpëtojnë mbulesave, të tjerat ikën, sepse nuk donin të shkonin nëpër mejtepe e medrese. Disa patën fatin të gjejnë strehim në mjedise të shoqatave humanitare, të arsimohen e të gjejnë punë të dinjitetshme, shumë të tjera nuk e patën këtë fat. E braktisën atdheun apo kanë rënë viktima të babëzisë së kohës, është vështirë të dihet. Edhe Qendrat për strehimin e grave janë ballafaquar me raste të tilla. 

Kanë kaluar më shumë se dhjetë vjet nga drama e Meritës e Vlorës. Ato kanë shpëtuar nga mbulesa e grave, i kanë realizuar ëndrrat e tyre, e kanë mbaruar fakultetin dhe jetojnë të lumtura. Me njërën është pajtuar familja, kurse me tjetrën marrëdhëniet rrinë të ngrira. Vlora dhe Merita janë disa nga shembujt e ndritshëm që shpëtuan nga kthetrat e dhunës mesjetare arabe. Por sa vajza e gra nuk e patën forcën e vendosmërinë e Vlorës e Meritës që t’i shpëtojnë errësirës arabe e dhunës familjare? Me dhimbsen vajzat e reja të mbuluara, kur i detyrojnë nga Medreseja e kryeqytetit të dalin në shëtitoren "Shenjtorja Terezë" që t’i bëjnë reklamë islamit, ndërsa të rinjtë i shohin për përçmim , u hedhin fjalë në stilin: -shih, shih ninxha breshkat, apo - mos fol se po kalojnë popadinkat (duke aluduar në përngjasimin me veshjet e murgeshave serbe, që dikur u shquan për shpifje të frikshme kundër shqiptarëve). Vajzat e mbuluara, pos uniformave,  nuk kanë asgjë të përbashkët me popadinkat (murgeshat serbe), e megjithatë janë objekt i përbuzjeve pa fajin e tyre.

A janë në agjendën e Shoqatave për barazinë e gjinive gratë e vajzat e mbuluara? A ka bërë kush anketë me to?        

Mbulimi i grave e vajzave nisi në Shqipëri, ku zbarkuan shoqatat islamike arabe e turke si mizat në pleh. E goditën me egërsi Shkodrën, simbolin kombëtar të te gjithë shqiptarëve, nuk e kursyen Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë, e gllabëruan pastaj tërë shtetin shqiptar, që nuk e lëshojnë, gati ia kanë zënë frymën.

Ndërkaq, shqiptarët e Maqedonisë të hutuar me shtetin amë që u kthye me lehtësi në mesjetën islamike, të goditur me shpërfytyrimin e identitetit të tyre, të dëshpëruar që nuk u dhanë mbështetje kombëtare në Shqipëri e në Dardani për ta mbrojtur identitetin kombëtarë, ndërsa na e kërkuan me përgjërim, të lodhur e të vetmuar nga lufta e vazhdueshme për shqiptari, nisën të dorëzohen para pushtimit të dhunshëm të shoqatave arabe e turke që e kishin mbështetjen e qeverisë e të shërbimit të fshehtë të Shkupit. 

Në Dardani kohë më të gjatë i rezistuan kësaj mortaje, dardanët kokën e mbanim nga Evropa, sepse pos që i  takonim këtij kontinenti, ushtritë e tyre na shpëtuan nga shfarosja me 1999.  Por pastaj shteti ua hapi dyert e dritaret veprimit rrënimtar të shoqatave islamike.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test