Qytetarët dhe shoqëria jonë në 10 vjetorin e Pavarësisë

Opinione

Qytetarët dhe shoqëria jonë në 10 vjetorin e Pavarësisë

Nga: Shefik Sadiku Më: 12 shkurt 2018 Në ora: 19:02
Shefik Sadiku

Askush s'e ka as më të voglin dyshim se Kosova në 10 vjetorin e Pavarësisë ka shënuar disa të arritura, por, gjithashtu, duhet të jemi realistë se të arriturat e kësaj dekade nuk janë të arritura që e garantojnë të ardhmen tonë të sigurtë dhe atë që e kemi dëshiruar dhe e kemi merituar, më në fund.

Qytetarë të nderuar, të gjithë ne, me të drejtë kemi pritur se më në fund pas gjithë atyre vuajtjeve dhe sakrificave të panumërta, kemi merituar jetë më të dinjitetshme, jetë më të begatshme, dhe , pse jo, jetë më të lumtur.

Pritjet tona kanë qenë reale, jo utopike, të bazuara në mundësitë e krijuara pas çlirimit nga robëria shekullore. Si qytetarë të këtij vendi me shumë të drejtë kemi pritur dhe kemi merituar që ta kemi një shoqëri shumë më mirë të organizuar, ta kemi një shtet shumë më mirë të konsoliduar, një shtet që do të sigurojë mundësi të barabarta për vlerat e çdo qytetari, shtet i cili qytetarëve të vet do t'u sigurojë dhe do t'u hap përspektivë për zhvillim ekonomik, për arsim cilësor, për shëndetësi efikase, për drejtësi funksionale, për administratë joburokratike, për siguri të mirefilltë, për shtet që lufton korrupsionin, krimin, nepotizmin, pabarazinë, diskriminimi etj.

Të gjitha këto ka qenë e mundur të arrihen fare lehtë, por ka munguar vullneti politik i lidershipit tonë në te dy nivelet e udheheqjes. Nuk besoj se  ka pasur njerëz, përjashto të krisurit mendërisht, që të kërkojë nga udhëheqja të pamundshmen, të paarritshmen për mundësitë tona. Njerëzit e arsyeshëm kërkojnë që e mundshmja të mos bëhet e pamundshme. Në Kosovë, mjerisht, kjo edhe ka ndodhur edhe po ndodh. 

Nuk qëndrojnë arsyetimet se gjoja të huajtë na kanë penguar, nuk qëndrojnë arsyetimet se gjoja ne jemi vend i vogël dhe i pafuqishëm ekonomikisht. Po, të gjithë ne i kuptojmë fare mirë mundësitë tona të vogla ekonomike, por për  të gjithë ne është i papranueshëm abuzimi në forma të ndryshme i asaj pafuqie të vogël ekonomike. Për ne qytetarët e këtij vendi është i papranueshëm çdo degradim që është bëre dhe po bëhet në sistemin arsimor, në shëndetësi, në drejtësi.

As  një justifikim, as një kamuflim, as një lajthitje e kujt do qoftë, nuk mund ta bind qytetarin pse mësuesi nuk gjendet në orën e mësimit kur nuk ka ndonjë arsye objektive, pse mjeku nuk ndodhet në repartin e tij deri sa ia përcakton orari, pse gjyqtari e gjuan lëndën në fund të sirtarit pa dhënë shpjegime të pranueshme, pse prokurori i mbyll sytë para veprave qartë të dukshme se ka elemente të inkriminueshme që bien ndesh me ligjin etj.

Dhe tani pas këtyre të mundshmeve a mund të themi se kanë qenë dhe janë të pamunshme? Jo, dhe jo, asnjë ndërkombëtar nuk ka thënë se mësuesit, natyrisht jo të gjithë, nuk duhet të jenë në orë të mësimit, mjekët në repartet e tyre, gjyqtarët t'i gjykojnë lëndët, prokurorët t'i ndjekin krimet, administrata të jetë më efikase.

Po ne qytetarët a e kemi kryer obligimin si qyteterë çdo herë? Natyrisht edhe ne ndonjë herë është e mundur të mos kemi qenë në nivelin e kërkuar. Pavarësisht nga fakti se ne i kemi dhënë besimin qytetar lidershipit, na takon dhe kemi obligim ta ngrisim zërin kundër deformimeve që ndodhin në shoqëri. Ne duhet të jemi më kërkues, duhet të kërkojmë llogari nga ata që u kemi besuar. Kêrkesat tona janë barometër i fuqishëm që të mos i lejojnë liderët të shkasin nga rruga për të cilën ua kemi dhënë besimin.

Ka kaluar koha, ndonëse kurrë nuk do të duhej të ishte kështu, kur liderin apo liderët i kemi fetishizuar, i kemi glorifikuar, i kemi mitizuar, sepse fetishizimi, glorifikimi dhe mitizimi i njerêzve vetëm sa mund të na e topitë mendjen për të gjykuar dhe vepruar drejt. Ne kemi nevojë për shtet të zhvilluar, për shoqëri demokratike, për ligjshmëri, për trajtim dinjitoz dhe të barabartë të  të gjithëve, për shoqëri të vlerave dhe mundësive, për udhëheqje që privilegjin e të udhëhequrit të vendit e kthen në përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe fuqinë kushtetuese që ka si lider e kthen në vendosjen e ligjshmërisë si alfa dhe omega e një shoqërie, pa të cilën shoqëria në ecjen e saj drejt synimeve do të ketë pengesa të mëdha.

Dhe pse jo, ne edhe si qytetarë, edhe si lidership kemi obligime dhe detyrime të mëdha ndaj vendit. Ne , qytetarët e këtij vendi, kemi obligim kombëtar, moral, njerëzor ta zhvillojmë vendin, të vendosim rend dhe rregull, të sigurojmë mirëqenie për të gjithë. Po nuk e bëm ne këtë askush tjetër nuk e ka këtë obligim. Të mendojmë, të punojmë, të veprojmë vetëm drejt dhe vetëm ndershëm , sepse kur mendojmë. punojmë dhe veprojmë ndershëm ardhmëria dhe e sotmja janë të sigurta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat