Pa të majtën europiane Kosova nuk do të ishte çliruar më 1999

Opinione

Pa të majtën europiane Kosova nuk do të ishte çliruar më 1999

Nga: Enver Robelli Më: 24 shtator 2017 Në ora: 17:49
Enver Robelli

Mbi injorancën e pafundme të kryeministrit të Kosovës. Dhe mbi një debat të shpifur.

Prezantimin e kandidatëve të partisë së tij për kryetarë të komunave të Kosovës kryeministri Ramush Haradinaj e shfrytëzoi sot për ta argëtuar keq opinionin me dijen e tij tejet të kufizuar mbi historinë e konfliktit të Kosovës dhe intervenimin perëndimor. Kur nuk ke pothuaj asnjë kandidat të hairit për kryetar komune, atëherë merresh me sqarime qesharake mbi të majtën politike. Këtë e bëri sot Haradinaj. Nga fjalimi i tij mediat e cituan me këto fjalë: «Lëvizjet e majta kanë përkrahur Millosheviqin. Kanë hy borxh në adresa të gabuara. Kanë marrë përkrahje prej qendrave të gabuara».

Një politikan serioz do të duhej të sqaronte se për cilat lëvizje të majta e ka fjalën konkretisht. Duke folur kuturu Haradinaj krijoi hapësirë që fjalimi i tij të interpretohet nga mediat. Dhe mediat e interpretuan këtë fjalim si përpjekje të tij për të sulmuar Lëvizjen Vetëvendosje, e cila u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës me shtetësi gjermane dhe me banim në Gjermani që të marrin pjesë në zgjedhjet e së dielës dhe të votojnë Partinë Socialdemokrate (SPD). Me sa duket Haradinaj mendon se kjo parti e ka përkrahur Millosheviqin. Për këtë marrëzi do të shkruajmë më poshtë në këtë tekst.

Fillimisht disa fjalë sa i përket komunikatës së Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo parti me orientim të qartë majtist së pari u bëri apel kosovarëve gjermanë që të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike dhe të marrin pjesë në zgjedhje, së dyti VV me të drejtë alarmon bashkëatdhetarët që të kenë parasysh se në zgjedhjet e së dielës mund të forcohet e djathta ekstreme në Gjermani – dhe së treti VV u sugjeroi kosovarëve gjermanë të mbështesin SPD-në për arsye se programi i saj politik është potencialisht me dobiprurës për të huajt apo ish të huajt, të cilët tani kanë shtetësi gjermane. Nëse ndokush e gjen në komunikatën e VV-së një fjalë të vetme që sugjeron që kosovarët të votojnë kundër partisë së kancelares Angela Merkel, atëherë le të lajmërohet për të marrë një dhuratë.

Mbi forcimin e pritshëm të së djathtës në zgjedhjet e nesërme mediat gjermane kanë shkruar me ton shqetësues në javët e fundit. Në Twitter për çdo ditë gazetarë prominentë gjermanë shkruajnë se kanë frikë nga e diela, kur partia «Alternative für Deutschland» mund të bëhet forca e tretë politike në Bundestag.

Lidhur me poteren se përse VV i këshillon bashkëatdhetarët të votojnë SPD-në duhet thënë vetëm kaq: kjo është një stuhi në gotë. Një stuhi artificiale. VV e sheh veten si pjesë të Internacionales Socialiste, aty ku SPD-ja gjermane luan rol të rëndësishëm dhe ku njëri nga nënkryetarët e shumtë të kësaj organizate është edhe Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë dhe shefi i Partisë Socialiste (PS). Është praktikë që partitë simotra të përkrahin njëra-tjetrën. Deputetë të SPD-së gjermane kanë marrë pjesë në tubime të VV-së, rrjedhimisht është e pritshme që edhe VV t’u kërkojë së paku mbështetësve të saj në Gjermani të votojnë partinë simotër (gjermane).

Nëse VV ka bërë ndonjë mëkat me apelin e saj të fundit, atëherë edhe CDU e Merkelit ka bërë të njëjtën gjë. CDU si parti konservatore që është, në Kroaci e mbështet HDZ-në dhe jo socialdemokratët, por SDP-ja kroate përkrahet nga SPD-ja gjermane. Njëjtë është edhe në Tiranë. Fondacionet e partive gjermane këshillojnë partitë simotra. Fondacioni Friedrich Ebert (i afërt me SPD-në) mbështet socialistët e Ramës, fondacioni Konrad Adenauer (i afërt me CDU-në) anon nga Partia Demokratike (PD) e Lulëzim Bashës. Në Kosovë CDU e konsideron LDK-në si parti simotër, meqë të dy partitë janë pjesë e Partisë Popullore Europiane (EPP), një trupë që bashkon partitë konservatore, të djathta të Europës. Këto gjëra janë aq të thjeshta sa duhet vetëm pak vullnet për t’i kuptuar.

Nëse ndokush mendon se apeli i VV-së do ta lë pa gjumë Angela Merkelin, atëherë mund të vazhdojmë të shikojmë ndonjë edicion të Stupcave. Viteve të fundit kush ka dashur ka mundur të jetë dëshmitar i fushatave të egra të shtypit grek kundër kancelares Merkel, në disa raste madje duke e nxjerrë në ballinë me uniformë naziste dhe me mustaqe të Hitlerit. Greqia ende është në BE, po vazhdon t’i paguajë borxhet dalëngadalë dhe sivjet miliona gjermanë kanë pushuar në plazhet greke. Raportet mes shteteve nuk varen nga një komunikatë, aq më pak nga një komunikatë e parëndësishme, e cila apelon për të marrë pjesë në zgjedhjet gjermane një grusht kosovarësh.

Gjatë ditës komunikata e VV-së është dredhur e përdredhur nga njerëz që duan të lënë ndonjë gjurmë me shkrim ndokund në mediat sociale apo digjitale. Është thënë, për shembull, se VV ka kërkuar që kosovarët të votojnë partinë Die Linke (E majta), e cila është kundërshtare e pavarësisë së Kosovës. Kjo është një rrenë. Një rrenë e madhe! Autorët dhe autoret e kësaj rrene nuk meritojnë asnjë vëmendje nga opinioni. Po të kishte bërë një gjë të tillë VV, do të kishte reagime shumë të ashpra menjëherë pas publikimit të komunikatës së VV-së.

Sidoqoftë, thashethemet e Prishtinës u përmblodhën si lajm nga një portal në Tiranë me pyetjen sugjestive: «A i shërben Albin Kurti aleatëve të Millosheviqit?» Për gazetarët që operojnë pa fakte, përgjigja është e qartë: po, po, Albin Kurti i shërben aleatëve të Millosheviqit dhe, në fakt, nuk është e vërtetë që ka qenë në burgun e Pozharevcit, bile duhet ta qortojmë Halil Matoshin, i cili e ka dezinformuar opinionin duke thënë se ka qenë në burg bashkë me Albin Kurtin. Nuk është as e vërtetë që Kurti është dënuar nga një gjykatë serbe.

Nëse u qëndrojmë besnik fakteve sa i përket komunikatës së fundit, atëherë gjërat janë të pastra si loti: VV ka përkrahur SPD-në, e cila ndonëse parti me orientim të qartë të majtë dhe pacifist, ka mbështetur intervenimin e NATO-s në Kosovë. Në qarqet e të majtës ekstreme gjermane, por edhe në mesin e konservatorëve prorusë (siç është Willy Wimmer i CDU-së së Helmut Kohlit dhe Angela Merkelit) politikani që akuzohet më së shumti për përkrahjen e intervenimit në Kosovë është socialdemokrati Rudolf Scharping, i cili më 1999 ka qenë ministër i Mbrojtjes i Gjermanisë. Mbi luftën e Kosovës ai ka shkruar edhe një libër. Është ndër të vetmit politikanë të Europës perëndimore që ka alarmuar opinionin mbi ekzistimin e Planit Patkoi të qeverisë së Slobodan Millosheviqit mbi zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët. Në ditarin e tij Scharping më 7 prill 1999 shkruan: «Është e llahtarshme. Këta mizorë dhe kriminelë po vrasin njerëz pa dallim, po i plaçkitin viktimat, po i dëbojnë ose po i dhunojnë gratë. Është shumë e papërgjegjshme që disa sërish po kërkojnë publikisht ndërprerjen apo një pauzë të sulmeve ajrore». Po më 7 prill Scharping shkruante: «Tashmë e kemi analizën e planit operativ Patkoi. Më në fund kemi dëshmi se që në dhjetor 1998 ishte planifikuar spastrimi sistematik i Kosovës dhe dëbimi i shqiptarëve të Kosovës, me të gjitha hollësitë dhe duke përmendur njësitë jugosllave që do të angazhoheshin».

Me akuzën e tij paushalle, me llafet e tij të thëna me hamendje, me marrëzitë e tij pseudoretorike se lëvizjet e majta e kanë përkrahur Millosheviqin, Ramush Haradinaj sot e ka fyer edhe Republikën Federale të Gjermanisë dhe sidomos Partinë Socialdemokrate të Gjermanisë. Me ton polemik Ramush Haradinajt ndokush mund t’i thotë se Kosovën sot e sundon me vota të pinjollëve politikë të Vojislav Sheshelit. Prej Aleksandar Vuçiqit e deri te pjesa më e madhe e krerëve të Listës Serbe janë «prodhime politike» të Sheshelit. Këto «prodhime politike» më 1999 i ka bombarduar e majta e mirëfilltë gjermane. Joschka Fischeri, edhe ky një majtist (madje militant dhe i dhunshëm në vitet ’70), ishte sulmuar me një konservë me ngjyrë ndërsa në kongresin e Partisë së Gjelbër më 1999 po mbronte bombardimet e NATO-s. Detaje që Haradinaj nuk i di, nuk është i interesuar t’i dijë dhe, me gjasë, nuk ka as kush t’i thotë se llomotitja e budallallëqeve e bën edhe më joserioz.

Kush është i interesuar të mësojë pak të vërtetën, mund të lexojë tekstin e Matthias Geiss në gazetën «Die Zeit», të botuar më 2009, në 10-vjetorin e sulmeve të NATO-s kundër Serbisë. «Lufta e majtë» – kështu e ka titulluar shkrimin redaktori me ndikim në opinionin gjerman dhe në vijim ka theksuar se ishte një qeveri e kuqe dhe e gjelbër, e cila i dha fund traditës pacifiste të Republikës së Bonnit.

Më 1999 Kosova nuk do të ishte çliruar pa të majtën europiane. Ishte një orë e fatit të madh. Në Britaninë e Madhe ishte në pushtet Tony Blair, i cili i kishte përzënë në opozitë konservatorët proserbë. Në SHBA Bill Clinton, një majtist modern, u bë përkrahës i doktrinës së intervenimit humanitar.

Nga perspektiva e sotme nuk mund ta dimë nëse Helmut Kohli do të përkrahte intervenimin e NATO-s në Kosovë. Ndoshta po. Ngurrimi i tij për të pranuar pavarësinë e Kroacisë dhe Sllovenisë gati i pati çmendur gazetarët e «Frankfurter Allgemeine Zeitung», të cilët i bënin presion t’u dalë në ndihmë popujve viktima të agresionit serb. Gjatë viteve ’90 si konservatorët ashtu edhe të majtit jo vetëm në Gjermani, por edhe në vende të tjera të Europës kërkonin vetëm një autonomi të zgjeruar për Kosovën. Gjatë vizitës në Tiranë në vitin 1995 kryetari gjerman Roman Herzog (anëtar i CDU-së konservatore) tha se vendi i tij përkrahte vetëm një autonomi për Kosovën.

Rrethanat historike dhe ndryshimet politike në shumë vende të Europës e bënë të mundshme çlirimin e Kosovës. Në këtë mrekulli edhe Ramush Haradinaj ka meritat e veta. Kjo pjesë e biografisë së tij do të duhej ta obligonte të mos flasë budallallëqe. Por, tash është kryeministër dhe duket se ky është edhe shansi i tij për t’u tallur me opinionin, duke manipuluar faktet historike për zhurmën e politikës ditore. Më shumë prej tij nuk mund të pritet. Për fatin e keq të Kosovës. / dialogplus.ch

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat