Kur u bombardua Serbia nga NATO, për ta shpëtuar Kosovën, ku ishte Rusia?

Opinione

Kur u bombardua Serbia nga NATO, për ta shpëtuar Kosovën, ku ishte Rusia?

Nga: Sherif Ramabaja Më: 30 korrik 2017 Në ora: 11:35
Sherif Ramabaja

Këtë javë sanksionet më të reja të propozuara nga Kongresi Amerikan i aprovoi të martën edhe Senati. Tash ky dokument ndodhet në tavolinën e presidentit Trump. Edhe pse presidenti Trump ishte deklaruar kundër sanksioneve në të reja ndaj Rusisë, do ta ketë vështirë që mos t`i aprovojë, kur dihet se ndaj tij janë në shqyrtim, kontaktet e ekipit të tij me Rusinë në kohën e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale.

Presidenti rus Putini, ndodhet për vizitë zyrtare në Finlandë dhe ndaj sanksioneve më të reja amerikane reagoj me tone mjaft të ashpra. Ai tha se do të reagojë ndaj kësaj "Histeria antiruse që po përhapet në Amerikë". Jemi të indinjuar dhe kundër kësaj "Pafytyrësie që rregullisht kundër nesh po bëhet, do të jemi të kujdesshëm dhe të durueshëm, po në një kohë të caktuar do të reagojmë", tha ai. Në realitet shumë shpejt u bë e ditur se që nga 1 shtatori, si kundërmasë do të zvogëlohet personeli në ambasadat dhe konsullatat amerikane në Rusi. Një masë të tillë e kishte ndërmarr ish-presidenti Obama ndaj Rusisë, kurse Putini mundohej të paraqitej zemërgjërë që të mos përgjigjej me të njëjtat veprime. Tash si duket „ zemërgjërësia „ iu tret.

Sanksionet më të reja amerikane janë si përgjigje ndaj aneksimit të Krimesë dhe përzierjes kibernetike të Rusisë në zgjedhjet presidentsiale Amerikane. Ndaj sanksioneve më të reja reagoi edhe Gjermania, ngase vëhet në pikëpyetje edhe ndërtimi i gazë sjellësit nga Rusia në drejtim të Evropës, pikërisht për në Gjermani, duke e shmangur Ukrainën. Vitet e fundit, furnizimi me gaz ishte vështirësuar, sepse Ukraina s`kishte mundësi t`ia paguajë borgjet e gazit Rusisë, kurse ajo Ukrainës si reagim ia ndërpriste furnizimin, e me këtë rast edhe shteteve të EU-së.

Amerika dhe EU-ja reagonin se Rusia gazin po e përdorë si armë kërcënuese dhe shantazh për qëllime politike. Vërejtje të njëjta dhe reagime se Rusia do të veprojë në të njëjtën mënyrë si edhe më parë, po japin Polonia dhe Ukraina.

Kryetari Putin që di ta luajë rolin e engjëllit dhe viktimës, ka arsye të jetë i nervikosur, ngase po pengohet një investim që atij i sjell profit të madh financiar. Ai di të flet për të drejtën ndërkombëtare dhe angazhohet për "Drejtësi" në botë, kurse në realitet është lajkatar "Hedh gurin dhe e fsheh dorën“.  Çdo iniciativë që ndihmon në zgjidhjen e problemeve  ai e pengon ose e bllokon. Kjo shihet më së miri në punën e OKB, ku Rusia çdo iniciativë perëndimore që propozohet dhe është për zgjidhjen e problemeve, apo daljen nga kriza qëllimisht e bllokon.

Së fundi reagoj Gjermania ngase 4 Turbina që i kishte blerë Rusia nga Gjermania, personalisht Putinit i ishte bërë me dije se kurrsesi nuk pajtohen që të përdoren në Krime. Putini kishte premtuar se vetëm në Rusi do të përdoren. Tash Gjermania e ka vërtetuar se turbinat pikërisht në Krime janë vendosur.

Amerika gjithnjë ka potencuar se Rusia po i armatos organizatën terroriste, talibanët në Afganistan. Tash në perëndim u vërtetua me inçizimet e fshehta që janë bërë, se pikërisht Rusia qëndron prapa një armatimi të tillë. Se sa angazhohet Rusia për "Paqë" dëshmojnë përpjekjet për destabilizimin e Ballkanit.

Së pari u tentua grusht shteti në Mal të Zi. Në Maqedoni e tërë bota demokratike angazhohej që presidenti maqedonas të caktojë mandatarin që i kishte fituar zgjedhjet dhe të zgjidhet kriza shtetërore që e kërcënonte të tërë rajonin, kurse Rusia bënte të kundërtën.

Në Kosovë e nxiti Serbinë për futjen e trenit me parulla nacionaliste vetëm për të nxitur konflikt. Provokimi tjetër është armatosja e Serbisë dhe baza ushtarake në qytetin e Nishit. Serbia mundohet të ulet në dy karrige dhe të hajë me dy lugë. Si duket i ka mbetur ëmbël nga Titoja që i shfrytëzonte perëndimin, lindjen dhe shtetet e pa inkuadruara. Më vonë u vërejt se të tëra i mbetën në fyt, ngase ngatërrohen lugët dhe mund t'i mbesin ne fyt. E njëjta mund ti ndodh edhe Serbisë. Është mirë t`ia dijë hallin vetes dhe t'i kthehet realitetit e të mos jetojë me ëndrra. Rusia e përdor Serbinë për qëllime të veta, kur vetë e ka ngushtë nuk i bie ndër mend për te. Mjafton vetëm një ta përmendim. Kur u bombardua Serbia nga Nato, për ta shpëtuar Kosovën, ku ishte Rusia?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat