Kosova kurrë më nën ombrellën e Serbisë kolonialiste

Opinione

Kosova kurrë më nën ombrellën e Serbisë kolonialiste

Nga: Prof.Dr.Mehdi Hyseni Më: 14 qershor 2017 Në ora: 06:10
Prof.Dr.Mehdi Hyseni

*** Pavarësisht se kush do të emërohet kryeministër i Kosovës, dhe se çfarë strukture përbërëse, do të kenë qeveria dhe parlamenti i Kosovës pas zgjedhjeve të parakoshme parlamentare të Kosovës (11 qershor 2017), Beogradi zyrtar nuk do të ketë asnjë shans që të ndërlikohet në çështje të brendshme të Kosovës, ashtu sikurse nën mandatin e qeverive të mëparsheme të Hashim Thaçit (2008-2017).
* *   *
Nëse Serbia dëshiron të aderojë në BE, së pari, duhet ta ndryshojë Kushtetutën (2006) dhe së dyti, ta njohë Kosovën e pavarur (17 shkurt 2008).
Kjo do të ishte strategjia racionale dhe objektive e Serbisë demokratike, jo të fokusohej në interesat e saj të dikurshme nacionale dhe shtetërore të hegjemonizmit dhe ekspansionizmit, duke pretenduar copëtimin dhe kolonizimin e territoreve të Shqipërisë Etnike (duke përfshirë edhe  Kosovën e pavarur, si dhe Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën), sepse në këtë mënyrë, një strategji e tillë e gabuar, do të çonte në konfrontime, në konflikte dhe në luftëra të reja në Ballkan. 

Për të evituar një rrezik të tillë të përsërtijes së luftërave të përgjakshme me  shqiptarët dhe me vendet fqinje, Serbia, duhet ta heqë sa më parë Kosovën nga Kushtetuta e saj(2006) pa kurrfarë konsultimi dhe negociatash me lidershipin politik shqiptar të Kosovës, sepse Kosova, tanimë është më vete dhe sovran jashtë Serbisë kolonialiste.As më shumë e as më pak.
 
Presidenti Vuçiq është sovran për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë, nuk i duhet kurrfarë pëlqimi nga homologu i tij, Hashim Thaçi!
 
Pra, presidenti i ri i Serbisë , Aleksandar Vuçiq ka të drejtën legale dhe kushtetuese, që të kërkojë dhe të propozojë ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë, por bën bën gabim, kur thotë se  për këtë qëllim, duhet përfhirë edhe lidershipin e Kosovës, duke qenë se  shteti i Kosovës nuk është çështje e brendshme e Serbisë, por  de fakto dhe de jure është shtet i pavarur dhe sovran, që nga 17 shkurti 2008, i njohur nga 114 shtete të OKB-së, i cili, në asnjë aspekt nuk i përket Serbisë kolonialiste (1912-1999).

Këtë argument të rëndësishëm historik, politik dhe juridik, duhet ta marrë parasysh presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sepse Kosova shqiptare kurrë nuk do të kthehet nën vargonjtë e hekurt të tiranisë së Serbisë kolonialiste (1912-1999).

Natyrisht, lidershipi  shqiptar i Kosovës është i gatshëm dhe i vullnetshëm të bisedojë me përfaqësuesit legjitimë të Serbisë për të gjitha problemet  nëse ato  rëndojnë në marrëdhëniet midis dy shteteve. Mirëpo, kurrë nuk do negociojnë për statusin politik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës, sepse kjo çështje është mbyllur më 17 shkurt 2008.

Me gjithë dëshirat, motivet dhe me qëllimet e strategjisë politike, nacionale dhe shtetërore të Serbisë, presidenti i ri Aleksandar Vuçiq nuk duhet ta mashtrojë popullin serb e as të manipulojë me faktorët relevantë ndërkombëtarë (Amerika, NATO dhe BE) se gjoja, tani ka ardhur koha e përshtatshme, që të hapen negociata të reja për zgjidhjen e  çështjes së Kosovës, sepse kjo sipas presidentit Vuçiq “ i përket Serbisë”.

Mirëpo, shqiptarët kurrë nuk do të jenë gati dhe të vullnetshëm që të nebociojnë për ndryshimin e statusit politik të shtetit të tyre të pavarur dhe sovran, të cilin deri tani e kanë njohur 114 shtete të Kombeve të Bashkuara (2008-2017).

Këtë argument të qartë dhe racional, duhet ta marrë në konsideratë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sepse realiteti i ri historikdhe politik I Kosovës nuk mund të ndryshohet duke u thirrur dhe duke përdorur mitet nacionalshoviniste mesjetare, si dhe duke u mbështetur në gjenocidet ataviste  për shfarosjen e shqiptarëve, me qëllim të grabitjes dhe të pushtimit të Kosovës, përkatësisht të territoreve të  Shqipërisë Etnike(1912-1999). 

Gjithashtu, presidenti i ri i Serbisë, A.Vuçiq, duhet të dijë faktin se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dhe shqiptarët e Kosovës (1989-1999) nuk kanë luftuar kundër invaduesve serbë, që në kohë paqeje, të “rikthehen në greminën koloniale  dhe nën gjenocidin shekullor të Serbisë (1912-1999), por kanë luftuar për ta çliruar,  për ta pavarësuar  dhe për ta bërë sovrane Kosovën, duke mos e njohur më kurrë Serbinë kolonialiste(1912-1999).
 
Këtë të vërtetë të çlirimit dhe të pavarësimit të plotë të Kosovës shqiptare nga Serbia, në librin e tij, e ka pohuar edhe ish-sekretari shtetëror, diplomati dhe profesori i shquar amerikan Henry S. Kissinger : “Shqiptarët nuk kanë luftuar për autonomi, por për pavarësi, dhe me siguri jo që të ngelin nën suzerenitetin jugosllav.” ( Shih: Does America need a foreign policy? New York, 2001, p.270).
 
Prandaj, si presidenti A. Vuçiq, ashtu edhe shteti dhe populli serb, duhet ditur se populli dhe territoret e kolonizuara shqiptare nën Serbi, kurrë nuk do bëhen pronë e ligjshme e  popullit serb e as të Serbisë. 

Këtë, së fundi, më 1999 të shekullit XX, e vërtetoi, edhe rasti i Kosovës, e cila u çlirua dhe u pavarësua nga Serbia kolonialiste në saje të luftës çlirimtare kombëtare dhe antikoloniale të UÇK-së së ndihmuar nga Amerika dhe nga NATO-ja.

Gjithashtu, raste të vendeve dhe të popujve të kolonizuar ka pasur edhe në Afrikë, në Azi dhe në Amerikën Latine, të cilat dikur ishin koloni qindravjeçare (ashtu sikurse Kosova nën Serbi, 1912-1999) të Spanjës, të Portugalisë, të Franës, të Belgjikës, të Holandës, të Britanisë së Madhe, por, sot janë të pavarura dhe sovrane.

Këtë fenomen të shkolonizimit të territoreve të shqiptarëve, duhet ta kuptojë, edhe presidenti Vuçiq dhe të gjithë serbët, si dhe Kisha Ortodokse Serbe, sepse nuk do të kenë fuqi, që shqiptarët dhe tokat e tyre autoktone, t’I mbajnë përgjithmonë nën sundimin e tyre të egër kolonial, antiligjor dhe anticivilizues.

Nëse presidenti Vuçiq dëshiron që ta dëshmojë veten si një shtetar i madh i Serbisë dhe si një demokrat i madh i Evropës, atëherë, është e domosdoshme, që tani, ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, ashtu sikurse  e kanë njohur 114 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara.

Pra, për të realizuar këtë objektiv politiko-strategjik të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duhet të mbështetet në të drjetën historike dhe legjitime të shqiptarëve mbi Kosovën, duke ndjekur shembullin karaktersitik të Presidentit dhe Gjeneralit historik të shquar të Franës, Charles de Gaulle,  i cili pas 130 vitesh, Republikës së Algjerisë ia njohu të drejtën e pavarësisë dhe të sovranitetit, në saje të “Marrëveshejeve të Evianit”, të nënshkruara   në Evian-les-Bains të Francës, më 18 Mars 1962”.

Vetëm kjo politikë e drejtë, demokratike dhe paqësore e Serbisë ndaj Kosovës, Serbinë (pas 3 gjenocideve: 1990-1999), do ta rikthente në BE, si dhe do ta shpëtonte  nga problemet ekzistuese ndërterritoriale, që ka me shqiptarët dhe me Shqipërinë, si dhe me vendet e tjera fqinje (Hungarinë, Rumaninë, Bullgarinë , me Kroacinë, me Novi Pazarin).

Ndryshe, nëse Serbia vazhdon me politikën e vjetër ekspansioniste qindravjeçare ndaj vendeve fqinje, ka gjasë, që të jetë turbulluesi  dhe shkaktari kryesor për destabilitetin e sigurisë dhe të paqes në Ballkan dhe në Evropë (këtë frikë dhe skepticizëm tonin, e paralajmëron edhe instalimi i bazave ushtarake të Rusisë në territorin e Serbisë, në kufi me Kosovën dhe me Hungarinë).
 
Pra, nëse Amerika me aleatët e saj evro-perëndimorë (NATO dhe BE) nuk marrin masa të menjëhershme të diplomacisë preventive për ta penguar Serbinë në ambiciet e saj të pretendimeve territoriale ndaj Kosovës, ekziston rreziku, që Beogradi zrytar të shërbehet me shembujt e dikurshëm të përdorimit të forcës (gjithnjë duke u mbështetur në faktorin ushtarak dhe diplomatik të Rusisë) , përkatësisht të jetë shkaktar i shpërthimit të Luftës së Tretë Botërore, ashtu sikurse që ishte shkaktari dhe fjatori kryesor  i shpërthimit të Luftës së Parë Botërore (1914-1918) për shkak të vrasjes së Arkidukës së Austrisë, Franc Ferdinand dhe  gruas së tij në Sarajevë, më 28 qershor 1914 nga terroristi serb Gavrilo Princip, anëtar i organizatës terroriste serbe “Dora e Zezë”,  i urdhruar, i mbështetur dhe i sponsoruar nga Serbia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat