Rruga për në BE sot e tutje kalon nga `Big Mack-u` Rama- Basha

Opinione

Rruga për në BE sot e tutje kalon nga `Big Mack-u` Rama- Basha

Nga: Pirro Prifti Më: 23 maj 2017 Në ora: 20:54
Pirro Prifti

U shkruajt shumë për marëveshjen e shumë pritur të datës 18 maj 2017, kur në orën 1.22 minuta të kësaj datë të dy shtalartët e politikës shqiptare dolën para kamerave të mediave të Tiranës , me buzëqeshje të ndrojtura midis seriozitetit të dy kryetarëve të Partive më të mëdha dhe dy Kryetarëve të Koalicioneve më të mëdha. Rezultati ishte më në fund një kompromis i domosdoshëm duke i dhënë fund konfliktualitetit të vazhdueshëm midis  tyre. Rezultati u pa pak më vonë tek populli shqiptar i cili mori frymë lirisht ndoshta për herë të parë pas katër viteve të trazura suksesi për Koalicionin e majtë dhe dështimesh sipas Koalicionit Opozitar.

Opinioni Mediatik (përfshi dhe mua) u përfshi gjatë gjithë kësaj kohe qoftë duke llogaritur ndershmërisht rezultatet e qeverisjes së Koalicionit të Majtë, qoftë duke akuzuar me pagesë të njëjtin koalicion nga opinionistët tashmë të pabesueshëm, qoftë duke dhënë përgjigje nëpër portalet, Facebooku, e më pak Twitter, rëndësia e të cilave është tashmë e padiskutueshme në raport me gazetat që lexon Bashkimi tek News 24 tv, dhe të tjerët në tv e tjera private apo Tv shqiptar i cili me thënë të drejtën është përmirsuar jashtzakonisht me ato shtatë kanalet e saj. 

Sot pas 6 ditësh, situata është më e qetë dhe njerëzit më në fund po shohin realitetin në vënd të internetit, po shohin punën e tyre në vënd të debateve mllef nxjerrëse, po vërejne me kujdes se ndërkombëtarët BE dhe SHBA janë realisht të interesuar që Shqipëria të jetë në BE dhe pjesë e familjes së madhe Europiane, po kuptojnë se britmat e vetmuara kundër disa individëve përfaqësues  të familjes Europiane, ishin si britmat e një të sëmuri pashpresë që fajëson këdo përveç fatit të tij të keq që mbeti në karakterin e tij si ish-spiun, apo servile i shefit të vjetër e të ri, apo amoral në gjithë kuptimin e plotë të fjalës.

Sot po shohim se Associimi në BE është më afër se kurrë, dhe se paskësh qënë fare e thjeshtë në se vetë liderët kryesorë politikë do të kishin vënë si prioritet Shqipërinë dhe jo tepsinë e privilegjeve politike dhe materiale.

Por, më mirë vonë se kurrë; me ndihmën e BE dhe të SHBA sidomos të ``buldozerit`` Jee , i cili vuri pikat mbi `i` opozitës, Dy përfaqësuesit e Politikës konfliktuale shqiptare që bartnin jo për faj të tyre të tërë difektet e drejtimit të Shqipërisë, arritën të bënin Kompromisin që shuan  urrejtjen, Kompromisin që venit shpresat e armiqve të brëndëshëm e të jashtëm të Shqpërisë, Kompromisin që inkurajon shpresat për një të ardhme më të mirë të Shqipërisë dhe shqipëtarëve, Kompromisin që mund ta  bëjë Shqipërinë një vënd normal.

Mund të thuhet pa frikë se paketa e Kompromisit `Big Mac` arriti që të mundësojë për herë të parë zgjedhje të ardhshme të pakontestuara, fillimin e veprimit të Vettingut, rregullimin e KQZ, dhe disa ndryshime të mundshme kushtetuese, por për më tepër populli shqiptar i majtë  apo i djathtë, i qëndrës apo lara-lara, i politizuar deri në palcë dhe vënde vënde i indoktrinuar që prej 26 vitesh, mund të shohë se përtej  konfliktualitetit paska dhe qetësi, paska mirekutim, paska shprese se `të paprekshmit` do të mund të preken ligjërisht, se investimet mund të vijnë më të shumta, se BE dhe SHBA e kërkojnë Shqipërine medoemos në familjen e madhe europiane perëndimore, dhe shqetësohen seriozisht nëse konfliktualiteti pengon këtë integrim.

Mbrërmë, në mënyrë zhgënjyese dëgjova një politikan e deputet që deshte të bënte fushatë në parlament për partinë e tij duke çvendosur qëllimisht objektivat e Kompromisit me problemet e pa zgjidhura të Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke ngatërruar dhe mbivendosur  problemet e grumbullara prej vitesh të papunësisë dhe emigracionit me përgjegjësite e Koalicionit drejtues, kanabisin me Kryetarët dhe ish Kryetarët e Partive, varfërinë me përfaqësuesit parlamentarë. Shkrepsja e urrejtjes nuk ndezi mbrëmë, sepse të dy përfaqësuesit e Partive kryesore i dhanë një përgjigje të merituar, madje vetë Krye-konfliktuesi prej vitesh Berisha, u soll për herë të parë si një Krye-paqedashës me batutën e tij (dashuri-xhelozi politike), dhe përfaqësuesi i LIBRA-s, për herë të parë humbi pothuajse të gjitha pikët që kishte fituar këto muaj në kurriz të partisë mëmë të cilën e tradhëtoi si një Don Zhuan i vjetër pa asnjë brerje ndërgjegjeje, megjithë vrerin e trashë të derdhur porsi ajo Kobra në kohë vere, duke përdorur poshtërsisht dhe pa asnjë kuptim disa vagje të Nolit me katundarë dhe puntorë, e cila bëri efekt të kundërt.

Shpresojmë që ky  kompromis i dy Partive më të mëdha të vëndit, të vazhdojë të qëndrojë edhe pas zgjedhjeve, madje edhe me një Koalicion pas zgjedhor midis PD dhe PS i cili duhet të vazhdojë deri në përfundimin dhe realizimin e të gjitha detyrave të shtëpisë të lëna nga BE, pra deri kur BE të japë miratimin për associimin e Shqiërisë në të, pra integrimin përfundimtar të Shqipërisë në BE.

Më vonë le të bëhen zgjedhje të reja kur lufta politike të hyjë në hullinë normale të rotacionit politik demokratik.

Mendoj se kjo periudhë ku pavarësisht fitores ose jo të njërës apo të tjetrës Parti Kryesore,të vazhdoje për hir të integrimit të Shqipërisë të drejtojnë vëndin me këtë koalicion  PS-PD, në dukje të pazakontë të ardhshëm por të domosdoshëm për integrim.

Opozita për këtë periudhë le të bëhet nga LSI dhe parti të tjera, të cilat gjatë gjithë kohës nuk kanë qënë të sinqerta në luftën e tyre politike për një ohë të gjatë, duke nxitur apo bërë hipokritin vetëm e vetëm që të përfitonin pjesë të tepsisë së privilegjeve dhe të posteve, në dëm të Shqipërisë.

Aq më tepër që LSI ka gati 10 vjet në pushtet dhe e ka të domosdoshme të rrijë në Opozitë jo vetëm për tu rifreskuar politikisht por edhe për të projektuar një Program real për të luftuar e fituar në zgjedhjet e ardhsme dhe jo duke bërë pseudo-programe copy-paste me ato të PS.

Së fundmi mendoj se Vettingu dhe reformat e tjera duhet të vazhdojnë fuqimisht, në mënyrë që burimi nga i cili rrjedh ujë i pastër, të mos ndotet poshtë, por në rradhë të parë të mos ndotet aty tek burimi, në të cilin deri më sot kanë futur hundët dhe e kanë ndotur për 26 vjet plot `të paprekshëm`,  `të fortë`, gjykatës e prokurorë, minitra e kryeministra, apo dhe kryetarë kuvëndi e president.

Është e qartë se, BE dhe SHBA nuk presin as republike të re apo republikë të leshit por- ndryshimin dhe integrimin për në BE.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat