Paqartësitë e shqiptarëve në Maqedoninë e para dhe pas 11 dhjetorit

Opinione

Paqartësitë e shqiptarëve në Maqedoninë e para dhe pas 11 dhjetorit

Nga: Fitim Dika Më: 15 dhjetor 2016 Në ora: 21:00
Fitim Dika

Se rezultatet do ishin të ngushta mes partive politike në Maqedoni, kjo vëreheshte edhe te liderët partiakë. Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, shpesh nëpër emisione dhe tubime përsëriste pyetjen retorike, “a do i fitojmë zgjedhjet?,” sikur të kërkonte ngushëllim nga frika që parandjente.

Dhe ashtu ndodhi. Në kampin politik maqedonas përballja doli 51 (OBRM) kundrejt 49 (LSDM), përkundër që kjo e fundit pretendon se një mandat i është kontestuar, ngjashëm doli edhe në kampin shqiptar ku BDI mori dhjetë mandate, po aq sa opozita shqiptare.

Në planin analitik dhe të numrave, fituesit e zgjedhjeve në kampin maqedonas ishte OBRM, që përsëri përkundër gjithë përgjimeve fitoi në shumicën e qyteteve me popullsi maqedonase, por fitoi edhe LSDM që falë votave shqiptare ju përafrua aq shumë “regjimit”. Semi-diktaturat nuk mposhten lehtë me votë.

Në kampin shqiptar vërtet fitoi BDI më shumë mandate, dhjetë, megjithatë humbi dyfishin e votave të mëpërparshme dhe kurrë në këto 15 vjet si ekziston si parti nuk ishte ndodhur aq dobët. Humbi Dibrën ku fitonte me 70%, humbi qendrën e saj Çairin ku fitonte ngjashëm, Haraçinën dhe Kumanovën ku u ngrit krenaria e saj, fitoi mezi Tetovën dhe duhet ti gëzohet vetëm fitores historike në Gostivar dhe disa fshatra - mbase edhe për pak kohë!

BESA u konsolidua në gjithë territorin me njerëz të dashur dhe pa njolla. I vetmi destinacion ku BESA akoma s’po merr veten është Struga, por kjo edhe e kuptueshme. Garonte përballë regjimit qendror, komunës së kontrolluar nga Aleanca dhe PDSH që për dallim nga vendet tjera nuk kishte kaluar pa mbështetje.

Aleanca për shqiptarët nuk gjen veten në veri të vendit. Si e tillë e ka shumë më lehtë shkatërrimin si parti sesa BESA dhe BDI. Nëse nuk ke përfaqësues legjitimë në Kumanovë dhe Shkup nuk mund të mbijetosh gjatë, ashtu si ndodhi me RDK. Sistemi zgjedhor i Maqedonisë është i disponueshëm vetëm për dy parti.

Interesante se RDK e ndarë në dysh , kësaj here “fitoi” tre mandate, më shumë sesa në kohën e liderit të saj historik Rufi Osmani dhe deputetit më të zëshëm Izet Zeqiri.

Koalicionet pas zgjedhore

BDI ndjehet e shpërqëndruar dhe dashuria e tyre për “interes” mund të shpërthejë në çdo moment. Militantët e saj kudo bëjnë matematikat: dikur bënin tifo për interes ndaj BDI, tani a duhet të kthehemi te BESA? Militantët që urrehen më shumë mes veti janë pjesë të kësaj partie. Shumica mendojnë si Joseph Fouche dikur në Francë, por s’do ia dalin si ai. BESA duhet të shqyrtojë me kujdes këta persona…

Fuqia e BDI qëndron aty se pa këtë parti nuk mund të mendohet krijimi i qeverisë së ardhshme dhe frika e saj më e madhe janë zgjedhjet e ardhshme ku s’ka si ti ik humbjes dhe krijimit të kredibilitetin ndaj shqiptarëve. Por vetë koalicioni me BDI me OBRM ose LSDM është i pamundshëm për fakt të numrave. Andaj ata domosdoshmërish kanë nevojë për një parti tjetër shqiptare.

Në këto kushte BESA nuk do koaliciononte asnjëherë, për shkak se do humbte mbështetjen gjithmonë në ngritje. PDSH dhe Aleanca për Shqiptarët kurrë nuk do bëheshin bashkë, pasi Menduh Thaçi i PDSH më shumë sesa interesin e militantëve të tij, i intereson hakmarrja ndaj “miqve të djeshëm”.

Në këto kushte më normale do dukej një qeveri OBRM-BDI-PDSH, por nuk përjashtohen mundësia edhe ndonjë koalicion me Aleancën për Shqiptarët të Ziadin Selës. Kjo e fundit pasi Ziadin Sela më shumë inatin e ka me BESËN sesa me BDI. Deklaratat e tij të fundit janë vetëm sesi të diskreditojë BESËN. Por këtu nuk do ketë sukses, pasi në kohën kur partitë tjera janë PARTI-LIDER, BESA gjithë strukturat e saj i ka të mirëorganizuara. Bile do ishte mirë që në të ardhmen kjo parti të kursejë disa “udhëheqës” që mendojnë se vlejnë me shumë se çjanë, duke i folur më gjatë se çduhet popullit nëpër tubime.

Kushti shqiptar

Në këto kushte, partitë shqiptare në qeverinë e ardhshme BDI-PDSH-OBRM, do kishte vetëm një kusht: dorëheqjen e Nikola Gruevskit dhe si kryeministër i ardhshëm do ishte Nikola Popovski. Kushtet tjera vijnë me kohë, gjithmonë nëse do ndodhte.

Normalisht që kërkesa e BESËS për qeveri teknike do ishte skenari më i mirë, pasi edhe koalicionet e mundshme mes OBRM dhe partive shqiptare (përveç BESËS) nuk do mbaronte mandatin e saj katërvjeçar. Bombat nuk janë sekrete, ata presin momemntin për të dalur në kohën kur nuk plotësohen kushtet e Zoran Zaev.

A do mbijetonte BESA kundër gjithë partive?

Ali Ahmeti dhe BDI flasin vetëm kundër BESËS, Aleanca për shqiptarët fokusohet të flasë vetëm kundër BESËS veçanërisht kohëve të fundit, por edhe ajo që ia “fali” deputetët BESËS, e përdori fjalinë për të shantazhuar BESËN. Përflitet për një parti të re, Lëvizja Socialiste, që nga vetë emri duket se në përballje do ketë Lëvizjen BESA. Të gjithë kundër BESËS.

BESA ka struktura dhe mbështetje të fuqishme, artikulim të mirë dhe akuza e vetme prej dy vjetësh që ekziston në skenë është “financimi” nga Turqia. S’flet askush kundër Zeqirija Ibrahimit, Afrim Gashit dhe Bilal Kasamit, përveç se janë praktikantë të besimit Islam dhe të financuar nga Turqia. Morali i tyre është “vrastar” për ata që cilësohen nacional-komunistët. S’janë të korruptueshëm dhe s’janë kriminel-hëpërhë. E rrallë për politikbërjen shqiptare.

Nga vetë fakti që ish nacional-komunistët janë më të përçarë se kurrë për shkak të mos ndarjes lehtë të pushtetit, BESA do mund të mbijetojë përkundër të gjithëve. Vetëm se duhet ti kursejë “pjesëtarët e shumtë”, që të pretendojnë se janë të “rëndësishëm shumë”. BESA duhet të krijojë sistemin e partive të mëparshme shqiptare, që të krijojë grupin e më pak se pesë antarëve që vendosin për gjithshka. Ndryshe vështirë se do funkciononte, fatkeqësisht.

Edhe njëherë për financimin e BESËS

Ne jemi popull i vogël dhe kurrë nuk kemi mbijetuar pa ndihma prej jashtë dhe këtu s’ka diçka të keqe. Por gjithashtu financimi ka qenën pjesë e politikave të kundërshtarëve për të akuzuar. E akuzuan Gjergj Kastriot Skëndërbeun se kishte lidhje me Napolin, Ismail Qemali u akuzua nga obori i vetë se financohej nga Greqia; Fan Noli se gjëja flirtonte me lindjen komuniste duke u quajtur edhe “kryepeshkopi i kuq;” Ahmet Zogu ishte politikan i rallë që u lidh me shumë fuqi, duke i përdorur më pas për interesa të veta, por mos harrojmë se erdhi në pushtet falë ndihmës jugosllave. Ngjashëm si Enver Hoxha, që në kryesinë e krijimit të partisë komuniste shqiptare, dy nga pesë themeluesit ishin serbë (Dragan Mugosha dhe Miladin Popovic). Mos flasim për partitë e sotme që ose vjedhin paratë e popullit ose financohet nga gylenistët, sorosistët ose ndonjë shtet. Kemi harruar sesa media kontrollohen prej ata që quhen spekulantë financiarë?

Kur jemi të figurat e rëndësishme shqiptare. Unë nuk quaj dëm të marrësh financa nga jashtë, nëqoftëse i përdor ata për implementimin e planprogramit tënd. Kjo është e pashmangshme, nëse mendon ndryshe kujto Shqipërinë e viteve 90-ta. Përjashtim ndodh kur financohesh nga armiqtë tanë.

Pastaj te shqiptarët e Maqedonisë më i respektuar është presidenti Erdogan sesa presidentët Bamir Topi, Bujar Nishani, Hashim Thaçi si dhe kryeministrat Edi Rama, Sali Berisha e Isa Mustafa. Ndiqni në rrjetet sociale sesi pritet nga popullata shqiptare e Maqedonisë, Erdogani dhe sesi priten ata që e quajnë veten “gardian i shqiptarëve të Maqedonisë.” BDI e kuptoi kurthin ku kishte rënë me akuzën e financimit nga Turqia për BESËN, kështu që gojëpashmagjet nxorën akuzën tjetër: BESA nuk financohet nga Turqia, por nga shërbimi sekret maqedonas.

Për partitë tjera nuk është problem financimi, pasi ata do gëzoheshin ndaj ndonjë akuze të ngjashme. Ata kanë hallin e mospranimit të tyre nga shoqëria, përveç kur kanë pushtetin./Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat