Foto lajm me rastin e ditëlindjes së at Gjergj Fishtës

Opinione

Foto lajm me rastin e ditëlindjes së at Gjergj Fishtës

Frank Shkreli Nga Frank Shkreli Më 24 tetor 2016 Në ora: 18:16

E Diela e 23 Tetorit shënoi 145-vjetorin e lindjes së At Gjergj Fishtës. Flamuri i kombit valvitet pranë bustit të vetmuar dhe të autorit të Lahutës së Malcisë të harruar, para shtëpisë gërmadhë ku dikur banonte poeti kombëtar, At Gjergj Fishta – dhe siç shihet në fotografinë më poshtë, në shkatërrim e sipër.  Megjithse shteti shqiptar shtëpinë e Fishtës e kishte përcaktuar, sa për sy e faqe, me statusin “Monument Kulture” ç’prej vitit 1991 por i lënë pas dore për një çerek shekulli të të ashtuquajturës demokraci shqiptare – duke venë në dukje urrejtjen e turpshme shekullore të qeverisë komuniste të shekullit të kaluar dhe të qeverive post-komuniste shqiptare të këtij çerek shekulli, ndaj At Gjergj Fishtës. 

Veni re kontrastin e theksuar të lënjes pas dore nga qeveria shqiptare, të shtëpisë ku jetoi Fishta -- me lajmin që u përhap të djelën, në ditën e 145-vjetorit të lindjes së Gjergj Fishtës, sikur donin tia fusnin gishtin në sy Fishtës – se Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro me “enturazhën” shoqëruese të ministrave dhe deputetve të zonës ishin për vizitë në Gjirokastër për të parë zhvillimin e një numër projektesh.  Dhe jo vetëm çfardo objektesh, por projekte që synojnë, në “Restaurimin dhe rijetëzimin e banesave të Shkrimtarëve, Gjirokastër”, projekt ky i cili parashikon, ndër të tjera, ndërhyrje në strukturën e brendshme dhe të jashtme në 20 banesa të trashëgimisë materiale, për të evidentuar dhe konservuar vlerat historike dhe artistike të tyre, bazuar në modelin e shtëpisë së Kadaresë, njofton media shqiptare.  Zonja Kumbaro ka pohuar se përveç kësaj, “Kemi një projekt tjetër për të restauruar 20 shtëpitë që ju i keni njoftuar tashmë, që i kemi quajtur Rrjetin e Shtëpive të Shkrimtarëve, sipas modelit të shtëpisë së Kadaresë.       

Image
Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ministrja e Kulturës, Kumbaro të djelën në GJirokastër për të parë nga afër zhvillimin e projektit të, “rijetëzimit të shtëpive të shkrimtarëve në Gjirokastër”.

 

Lexuesi arrinë vet tek përfundimi se sa të përkushtuara janë institucionet e qeverisë dhe të shtetit shqiptar ndaj ruajtjes së kulturës shqiptare dhe ndaj kujtesës së atyre që e bënë këtë kulturë – trashgimtarëve të kulturës arbërore dhe mbrojtësve të vlerave dhe interesave të kombit shqiptar – trashgimtarëve, siç është At Gjergj Fishta i harruar. 

Ndoshta është pak e rëndë ta them, por fatkqesia e këtij kombi është se përfaqsuesit e saj politikë, me entuziazëm, kanë kërkuar dhe kërkojnë pajtimin me sllavët, me grekët, me turqit me rusët, me kinezët, me italianët, me gjermanët, madje Enver Hoxha I dha shtjelm edhe Zotit për të adhuruar djallin. Duket sikur, shqiptarët janë vëllëzër me të gjithë, ndërkohë që nuk mund të pajtohen me At Gjergj Fishtën, i cili për ‘ta vazhdon të jetë gjithnjë “tradhtar”, “fashist”, ndër të tjera – por shqipot nuk mund të pajtohen as me njëri tjetrin, fatkeqsisht. 

Kjo situatë, me të vërtetë kërkon një reflektim të thellë shpirtëror, nevojitë një rishqyrtim historik e të thellë të udhëkryqit ku gjënden sot shqiptarët për rivendosjen e vlerave morale dhe atdhetare por edhe të përcaktimit të ineteresave afatgjata të kombit, bazuar në këto vlera dhe në kujtimin e bartësve historikë të kombit shqiptar të këtyre vlerave, siç ishte At Gjergj Fishta.

Kujdes se kini humbur rrugën në oborr, siç thotë fjala popullore!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat