Pyetje publike për Kryetarin e Malishevës Ragip Begaj?

Opinione

Pyetje publike për Kryetarin e Malishevës Ragip Begaj?

Nga: Kushtrim Gashi Më: 28 shtator 2016 Në ora: 14:38
Kushtrim Gashi

Një ndër fushat kruciale pa të cilat nuk mund të sendërtohet një shtet dhe e cila paraqet gjendjen e atij shteti dhe populli është arsimi.

Arsimi është bazë për shëndetësi, është bazë për ekonomi, për drejtësi dhe mbi të gjitha është bazë për formësimin e personalitetit të shendosh tek brezat e ardhshëm.

Kur një shtet brenda saj ka njerëz të edukuar dhe të dijshëm, atëherë nuk do të bëhej fjalë më për rritjen e mirëqenies ekonomike, por do të shkojmë edhe me tej, duke u preokupuar për arritjet në maratona ndërkombëtare të shkencës, teknologjisë dhe astronomisë.  

Nuk po them që gjendja e arsimit në Kosovë është e shkëlqyeshme e as shumë e mirë, por ajo se çfarë dua të them është se në çdo vend tjetër në Kosovë, arsimi është në gjendje të shkëlqyeshme në krahasim me komunën e Malishevës.

Qeverisja lokale në Malishevë ka politizuar skajshmërisht shkollat dhe mësuesit, duke i kthyer në shërbëtor të pushtetit. Ata të cilët nuk iu nënshtruan qeverisjes së Ragip Begajt u mënjanuan, u depërtuan dhe u kryqëzuan.

Rasti më eklatant dhe më i fundit që vlen të përmendet është ai i profesorit Gezim Kryeziu, të cilit iu bë presion i vazhdueshëm nga pushteti lokal që të bëhet pjesë e partisë Nisma. Para dy vitesh profesorit Gëzim iu murrën orët e tij profesionale dhe iu dha lënda e Matematikës edhe pse me profesion ishte ekonomist e jo matematicient dhe iu bë me dije që në rast se nuk bëhet pjesë e Nisma-s do të largohet nga puna, por ai nuk iu nënshtrua këtyre presioneve. Kërcënimet dhe shantazhet vazhduan kur profesorit Gëzim iu murrën edhe ato orë që i kishte dhe e lan me 5 orë një vit me parë, ku i thanë që nëse nuk bëhet pjesë e Nisma-s publikisht, do të largohet nga puna, por ai prapë nuk u dorëzua dhe u rezistoj kërcënimeve të Nisma-s. Ndërsa ketë vit edhe këto 5 orë iu murrën dhe e lan pa punë. Kjo është fytyra e vërtetë Ragip Begajt dhe qeverisjes se tij.

Kryetari Begaj a keni dëgjuar për familjen e Dr. Naim Kryeziut dhe kontributin e tyre?

A keni dëgjuar për Dr. Naim Kryeziun, i cili gjatë luftës ka shpëtuar me qindra e mijëra qytetarë të Malishevës?

A keni dëgjuar për Januz Kryeziun, babain e Dr. Naim Kryeziut, i cili ishte veteran i arsimit?

A e dini se profesori Gëzim Kryeziu, të cilit i bëri shantazh dhe e kërcënoj partia juaj dhe e largoi nga puna është djali i Januz Kryeziut dhe vëllai i Dr. Naimit?

A e dini se profesori Gëzim Kryeziu është mbajtës i familjes dhe tanimë familjen e tij e keni len pa bukë?

A e dini se Shpejtim Kryeziu, vëllai i Gëzim Kryeziut në vitet 90-ta ka punuar profesor në SHMP “Lasgush Poradeci” pa asnjë cent.

Si do ta ndjeni veten kur do ta takoni Dr. Naim Kryeziun, kur vëllain e tij e keni len pa bukë?

Si e ndjeni veten ju si besimtar i ‘devotshëm’ kur familjen e Gëzim Kryeziut e keni len pa bukë?

Meqë jeni haxhi a thotë Zoti se duhet të hakmerreni dhe të leni familjen e Gëzim Kryeziut pa bukë?

Drejtori Sami Toplana në shkollën e Kijevës vetëm në një reagim ka bërë mbi 204 gabime gjuhësore, a do të thotë kjo që shkollat në komunën e Malishevës po drejtohen nga analfabetet?

Sipas një dokumenti të nxjerr nga inspektorati i arsimit në Gjakovë konstatohet se një numër i madh i militantëve të Nismës të punësuar pa konkurs në SHMP “Lasgush Poradeci” marrin paga pa punuar, a është ky “ligji” i partisë tuaj me të cilin po qeverisni?

A e dini se gjendja e arsimit në Malishevë është një bombë e kurdisur që pritet të shpërthej?

A e dini se po i largoni profesorët që kanë punuar me vite të tera dhe po i zëvendësoni me militant partiak që nuk iu nënshtrohen asnjë kriteri, e aq më pak kriterit moral e profesional?

A e dini se qindra profesor në shkollat e Malishevës ju i mbani me diploma false, ndërsa i largoni nga puna profesorët e kualifikuar dhe të devotshëm sikurse Gëzim Kryeziu?

A e dini se këta analfabetet pa diploma po ju shesin “mend” nxënësve edhe pse nuk kanë çfarë të ofrojnë?

A e dini se viktimat e vetëm që janë duke pësuar dhe që ju nuk e qani hallin e tyre  janë nxënësit? Ata po konsiderohen vetëm si lëndë e parë për t’ua mundësuar punësimin e analfabeteve pa diploma.

E gjithë kjo është një e vërtetë absolute dhe nuk mund të përgënjeshtrohet me asnjë lloj mënyre dhe me asnjë lloj argumenti.

Arsimi në Malishevë po vuan nga mungesa e drejtuesve profesionist dhe të përkushtuar sepse drejtuesit aktual kanë të ngritur me dhjetëra aktakuza në prokurori, duke bërë shkelje ligjore të njëpasnjëshme, andaj edhe arsimi është në gjendjen që është, për shkak të keqqeverisjes se Ragip Begajt.

Ato vende që kanë pasur prioritet arsimin dhe shkencën, gjithmonë kanë ecur me sigurt drejtë zhvillimit. Meqenëse arsimi është politika më e mirë ekonomike dhe juridike, për të pasur një vend me të zhvilluar ekonomikisht dhe sundim të ligjit, atëherë duhet bërë dekriminalizimin, departizimin, skanimin e mësimdhënësve dhe eliminimin e analfabeteve pa diploma nga shkollat.

Dhe vetëm kështu mund të punojmë dhe të vejmë në funksion një rënd ligjor dhe të drejtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat