Said Kryeziu-Atdhetar e largpamës

Opinione

Said Kryeziu-Atdhetar e largpamës

Nga: Gani Perolli, New York Më: 3 maj 2016 Në ora: 16:56

Me 16 maj të vitit 1993 në New York ndërroi jetë Said(Riza)Kryeziu, intelektuali, luftëtari dhe atdhetari i cili tërë jetën ia kushtoj çështjes kombëtare. Lajmi mbi vdekjen e tij jehoi pikllueshëm në diasporë, në Shqipëri e Kosovë. Në varrimin e tij merrnin pjesë qindra veta: Familjar,të afërm dhe ata që kishin respekt për kontributin e tij dhënë çështjes kombëtare.

Said Kryeziu deri në ditët e fundit të jetës ishte i lidhur ngusht me fatin tragjik të popullit shqiptar, ashtu siç ishte e lidhur edhe familja e tij. Babai,Riza bej Gjakova,sipas Dhimitër Zografit ishte prijës i delegacionit Kosovar në shpalljen e pavarësisë me 1912 në Vlorë.

Riza bej Kryeziu ishte i njohur në historiografinë shqiptare si njëri ndër organizatorët për
çlirimin e Shkupit me 1908 si dhe nismëtarë i shpalljes së pavarësisë në Shkup siç thekson Fan Noli në gazetën “Dielli” të Bostonit. Për veprimtarin e tij patriotike,me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ish presidentja e Kosovës znj. Atifete Jahjaga e dekoroj me dekoratën URDHRI I LIRISË për kontributin e tij të lartë për lirinë e Kosovës.

Vëllai i tij Ali Beg Kryeziu ishte bashkëluftëtar i Ismajl bej Qemalit, deputet nga Kosova në parlamentin e Perandorisë Osmane dhe anëtar i Komitetit të Stambollit që në përleshje me një patrull të ushtrisë serbe u vra në Lumë me 1917. Vëllai tjetër Rada Beg Kryeziu përkrah të atit Riza Beut dhe Bajram Curit luftoj në Rozhaj kundër forcave malazeze për mbrojtjen e kufijëve të Kosovës ku edhe u zu rob nga Malazezët.

Vëllai tjetër Ceno bej Kryeziu sipas historianit Tanush Frashëri si fëmijë 15 vjeçar luftoj përkrah të atit Riza beut për mbrojtjen e Shkodrës, ishte ministër i punëve të brendshme të Shqipërisë dhe dhëndër i Ahmet Zogut (u vra në Pragë me 1927).

Ndërsa Gani beg Kryeziu ishte ndër luftëtarët e parë që me armë në dorë e kundërshtoi okupatorin nazifashist në luftë për një Shqipëri etnike pro perëndimore. Ai, gjatë luftës së Dytë Botërore burgoset, por me intervenimin e Winston Cherchilit te Titoja dënohet vetëm me 5 vjet burgim. Në përfundim të mbajtjes së dënimit, helmohet nga sigurimi dhe vdes në burgun e Mitrovicës së Sremit.

Për veprimtarin e tij patriotike me dekretin nr.969 të 25.11.1994 dekorohet nga ish
presidenti i Shqipërisë dr.Sali Berisha me Urdhrin e Flamurit Kombëtar të Kl. I-rë me motivacion: “Pjesëmarrës në Luftën Nacional-Çlirimtare si Nacionalist. I internuar nga Fashistët Italianë, Luftoj Kundër Gjermanëve në Malësinë e Gjakovës dhe u Vra nga Forcat Jugosllave”.

Me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, në solemnitetin e mbajtur në Tiranë, Kuvendi i Shqipërisë dekoroj Gani Bej Kryeziun për kontributin e tij dhënë në rezistencën kundër fashizmit dhe komunizmit. Me atë rast, Kryetarja e Kuvendit znj. Jozefina Topalli familjarëve të tij ua dorëoj botimin special të Kuvendit të Shqipërisë ”Aktet e Themelimit të Shtetit Shqiptar”.

Në fjalën e rastit kryetarja e kuvendit në mes tjerash tha: Në këtë 100 vjetor të pavarësisë
jemi mbledhur në tempullin e demokracisë për të nderuar me përulje dhe mirënjohje, bijtë
e Shqipërisë që në themelet e shtetit vendosën pa droje shpirtin, pasionin dhe jetën e tyre.
Vëllai tjetër Hasan Kryeziu, po ashtu luftoj kundër okupatorit, me 1944 burgoset pabesisht
nga komunistët dhe me 26 luftëtarët e vet përsekutohet dhe vritet mizorisht. Kufoma e të cilit hudhet në puset e malit të Hereqit. Për veprimtarin e tij patriotike me dekretin nr. 1130 me 21 qershor 1995 dekorohet nga ish presidenti i Shqipërisë dr.Sali Berisha me Medaljen”Martir i Demokracisë” me motivacion: ”Trim dhe Patriot i Shquar që Dha Jetën për një Shqipëri të Lirë dhe të Bashkuar”
Vëllezërit: Gani, Hasan dhe Said Kryeziu ishin të vetmit nacionalistë gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, të cilët ranë dakord me gjithë shpirt që të ndërtonin të ardhmen e Shqipërisë duke luftuar gjermanët, shkruan Regjinald Hibbert në librin e tij ”Albania’s National Liberation Struggle”.
Said Kryeziu lindi në Gjakovë me 10.04.1911.Mësimet fillore i kreu në vendlindje, gjimnazin e kreu në Prizren,ndërsa doktoroi në shkenca politike në Universitetin e Sorbonës në Francë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore u kthye në atdhe dhe luftoj heroikisht kundër okupatorëve nazifashist, përkrah forcave nacionaliste të kryesuara nga i vëllai Gani bej Kryeziu. Siç dihet tani më, aleatët anglo-amerikan, më vonë në konferencën e Jaltës iu shmangën premtimit që i kishin dhënë forcave nacionaliste. Ata tradhtuan idealet e popullin shqipëtar dhe shumë popujëve tjerë liridashës të Evropës Lindore, gjë që i dënoj ata popuj të vuajnë nën thundrën komuniste për 45 vjetë me radhë.

Said Kryeziu e arrestuan gjermanët dhe e dërguan në një kamp të tmerrshëm nazist. Më vonë, ata e dorëzuan te italianët të cilët e internuan në kampin e Ventotenes. Pas kthimit në atëdhe nga ky kamp, menjëherë rroku armët në dorë kundër okupatorit, për të vazhduar luftën për një Shqipëri etnike, të lirë, me formë qeverisëse demokratike.

Komunistet, të cilët njërin ndër qëllimet kryesore kishin asgjësimin e grupeve nacionaliste, pra në këtë kuadër edhe grupin nacionalist të udhëhequr prej vëllezërve Kryeziu, e arrestuan në malin Dobrej së bashku me intelektualin Llazar Fundo me 20.09.1944.Mirëpo, me ndërhyrjen e Misionit Anglez, u lirua dhe me aeroplan u largue nga Shqipëria për në Itali, ku vazhdoj me aktivitetin e tij politik në favor të luftës për rrëzimin e diktaturës komuniste.

Me 1949,Said Kryeziu formoi Komitetin Kombëtar”Shqipëria e Lirë” së bashku me Mithat Frashërin, Abas Kupin, Zef Palin dhe Nuci Kotten.Qëllimi i formimit të këtij Komiteti ishte rrëzimi i sistemit komunist në Shqipëri, formimi i një qeverie demokratike dhe bashkimi i trojeve shqipëtare. Siç theksuam më lartë, komunistët serbo-sllav pos tre vëllezërve ia vran edhe 5 nipa të cilët me armë në dorë kishin luftuar për një Shqipëri etnike:Xhevat Kryeziun, doktor i shkencave juridike të përfunduar në Itali, intelektualin-juristin Dervish Kryeziu, sekretar i gjimnazit Bedri Pejani në Pejë, Murteza dhe Sefedin Kryeziu të bijtë e Sylejman Beg Kryeziut, Kryetarit të Bashkisë së Gjakovës për shumë vite me rradhë dhe bashkëthemeluesin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Së fundi UDB-a Jugosllave ia vrau edhe djalin e mbesës Ifakete Kryeziut, Enver Hadrin në Belgjik i cili poashtu jeten ia kushtoj çështjes kombëtare. Said Kryeziu ishte njeri ndër politikanët më të aftë që kishte raca shqipëtare brenda dhe jashtë trojeve të atdheut.Njeri largpamës,përparimtar,me virtyte të larta morale,i dashur për të gjithë, poliglot njohës i 6 gjuhëve botërore (Anglisht, Frangjisht, Italisht,Spanjolisht, Turqisht dhe gjuhëve sllave), ky ishte pra Said Kryeziu. Ai ishte i informuar në të gjitha aspektet e jetës: Në politik, letërsi, muzikë dhe art. Nuk kishte lëmi për të cilin nuk mund të bisedoje me te.Ai ishte i gjithanshëm, demokrat e tolerant, ishte shqiptari më i civilizuar që kam njohur ndonjëherë. Mjerisht, kombi ynë nuk e pati fatin të udhëhiqej nga një patriot i tillë i rrallë. Për veprimtarinë e tij patriotike, ish presidenti i shqipërisë dr.Sali Berisha me dekretin nr.1130 të dt.21.06.1995 e dekoroj me Urdhërin “Për Veprimtari Patriotike të Kl. I-rë me motivacion: ”Intelektual dhe Nacionalist i Shquar dha Jetën për një Shqipëri të Lirë dhe Etnike”. Njëherit ish presidentja e Kosovës znj.Atifete Jahjage me rastin e 8 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës e dekoroj “Lëvizjen Kryeziu” me dekoratën “Urdhëri I lirisë”
Në spital, pak ditë para vdekjes Said Kryeziu i fton të afërmit për nga ideali në mes tjerëve edhe artikullshkruesin dhe ju le amanet që mbetjet e tij mortore në një moment të përshtatshëm pas çlirimit të Kosovës të bartën nga New Yorku në vendlindje në Gjakovë ku edhe duhet të prehen.
Ky amanet fatkeqësisht akoma nuk është realizuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat