Diferencimi i klasave shoqërore, epidemi në rritje

Opinione

Diferencimi i klasave shoqërore, epidemi në rritje

Më: 1 maj 2016 Në ora: 16:13

Një dukuri e cila e ka kapluar dhe është trend në rritje, që prej pas luftës së vitit 1999, padyshim qe ka të bëjë me ndarjen e personave apo grupeve të personave në bazë të të ardhurave të tyre. Ne jemi dëshimtarë se si në Kosovë mbi 40% e popullsisë jetojnë në varfëri, ku 15% janë në varfëri të skajshme, e te gjitha këto shifra ndoshta mund të jenë edhe më të larta. Si pasojë e kësaj, përveq ndonjë solidarizimi të një pjese të vogël të shoqërisë, pjesa tjetër as që don të interesohet apo të kontribuojë në qfarëdo forme, për ngritjen e mirëqenies së qytetarëve të tillë. E vetmja pikë ku pjesa e varfër e shoqërisë barazohet disi me pjesën tjetër, është koha e zgjedhjeve, ku secili peshon një votë. Edhe në këtë mes ka varietet sepse forma e blerjes së votës tek ta është më e lirë.

Ndoshta me disa kilogram miell, sheqer, kripë e vaj. Këtij populli ku edhe në kohët më të vështira, ato të luftës e okupimit, ato të varfërisë e skamjes së madhe, ato të mërgimit e shpërnguljes me dhunë, kanë ditur të bashkëjetojnë dhe të jene dorëdhënës e rrespektues karshi njeri-tjetrit, tanimë i ka humbur kuptimi. Duke dashur të imitohen kulturat kinse europiane, por që ato realisht nuk përfaqësojnë atë Perëndimin e ëndërruar, i kanë shembur të gjitha virtytet dhe cilësitë që i ka poseduar dhe trashëguar ndër breza kjo shoqëri, e cila edhe pse e pashkolluar në masë të madhe deri para disa dekadash, ishin autodidakt të asaj që quhet kulturë e mirësjelljes. Ky tranzicion dhe kapitalizëm i egër në të cilin është duke kaluar shoqëria jonë, paraqet binomin më të keq të degradimit, si në aspektin ekonomik e social, po aq edhe në atë moral dhe të mosbarazisë së ndaluar me kartat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe kushtetutën e vendit.

Në aktualitetin e përditshmërinë e sotme, më shumë se kurrë kemi të pranishëm evulimin e një pjese të shoqërisë nga llum-proletariati dhe pjesën tjetër e cila dëshiron të bëhet si ta. Si pasojë ka ardhur krijimi i dy klasave shoqërore të cilat gjenden me vite-drite larg, e gjitha kjo e përkthyer me një metaforë dhe e cila siq po duket shumë shpejt do të merr formë konkrete. Në njërën anë kemi elitën e shoqërisë e mveshur me petkun e parave, që shpeshherë nuk i’u dihet prejardhja, e në anën tjetër kemi pjesën e të varfërve, ku një grup jo i vogël jetojnë në kushte të tmerrshme dhe primitive. Arsyet se pse ka ardhur kjo gjendje e katandsiur në vendin tonë, ku klasa e mesme e shoqërisë është zhdukur, ka fill jo shumë të largët. Privatizimet e egra të ish-ndërmarrjeve shoqëroro-publike është njëra ndër arsyet se pse gjendemi në një pozitë kaq të pavaforshme shumëdimensionale. Privatizimi i tyre sa për dy grosh, e shtuar kësaj edhe përzgjedhjen e privatizuesve në bazë të favorizimit e jo meritokracisë dhe ofertës më të shtrenjtë, nuk është gjëja më e keqe që ka ndodhur.

Mospërmbushja e kritereve për mbajtjen e fuqisë punëtore dhe mosrealizimi i investimeve për një periudhë afatshkurtër paraqesin deregjen e vërtetë. Si për pasojë kemi ndërmarrje të cilat në vend se të fillonin punën, me pak riparime, e që shumë prej tyre kanë njohur deri para një kohe mijëra punëtorë në mesin e tyre, u shitën si skrap. Banaliteti më i madh qëndron në arsyetimet se si kinse sistemi i kapitalizmit nuk pranon t’a mban pronën publike apo shoqërore në menaxhimin e institucioneve shtetërore, por medoemos duhet të privatizohen apo të kalojnë në partneritet publiko-privat. Po të ndodhte kjo e fundit do të ishte një gjë shumë e qëlluar, por që ky opsion u eliminua me kohë, për aryse të ditura tanimë.

Ne e dimë që shumë vende të Evropës, që shumë më herët se ne e kanë përqafuar kapitalizmin, kanë në gjirin e tyre edhe shtresën e mesme, e cila jeton një jetë të qetë, pa shumë halle dhe është shtresa më e përgjegjshme e stabile. Si rezultat, kemi një pakicë të shtresës së varfër, e cila mbahet nga shteti.

Duke kaluar në sfondin e përditshmërisë, ne e vërejmë që mosabarazia e njerzve para ligjit e para jetës së përditshme për shkak të të ardhurave të tyre ekonomike, është neveri e madhe. Shohim se si restaurantet dhe pijetoret i privojnë nga e drejta për t’ua provuar produktin që ata e ofrojnë, për arsyen e vetme se dukja e tij e jashtme nuk përkon me njerëzit e tjerë, apo edhe mos ndoshta po u’a ndot sediljet. Kjo është një vepër që duhet dënuar rreptësisht me ligj. Eshtë një formë pothuajse e njëjtë me kohën kur “njerëzit me ngjyrë” kishin tualete të veqanta. Ka raste kur edhe autobusët ndërurban, privat, nuk ndalojnë për të marrur pasagjer vetëm se ai s’ka vlerë, sipas tyre, duke gjykuar në bazë të veshjes apo leckave siq njihet jorrallherë. Një paftyrësi e pashembullt.

Cenimi i të drejtës për të jetuar i barabartë është lënë në mesjetë, por për fat të keq disa ende kanë nostalgji për atë epokë. Edhe më keq qëndron gjendja në institucionet shtetërore, ku kësaj pjese të shoqërisë nuk i’u kryhen shërbimet njëjtë sikurse të tjerve. Ndoshta pse nuk kanë ndonjë të njohur në atë institucion, apo ndoshta pse nuk mund të paraqesin problem, ata edhe i’a vonojnë shërbimin për teke dhe kapriqo personale. Ky diferencim ndërmjet klasave nuk do të prodhoj asgjë më pakë se luftë civile, herëdokurdo. Duke dashur që këtë pjesë të shoqërisë qëllimisht t’a lënë nevojtare, sepse vetëm kësisoji mbahet vetëdija e ulët, po harrojnë se edhe këta, apo t’a quajmë më mirë ne, sepse së bashku e krijojmë të ardhmen, dijnë të revoltohen. Kjo formë e veprimit do të reflektohet përmes pakënaqësisë në masë, kundërshtimeve, dikura revoltë, e pse jo edhe forma më të ashpra të shfaqjes së pakënaqësisë. Kësisoji, sa me gjatë që ky popull mbetet i pangopur, aq më shumë do të ketë diferencim klasash dhe po aq edhe jetegjatësi të sistemit të plutokracisë.

Ky popull i përvuajtur, me aq shumë antivlera të pranishme, nuk e meriton të përballet edhe me një mosbarazi ndërmjet njerzve, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të hapur. Kësioji, në Kosovë më shumë i është kushtuar vëmendje të drejtave të komunitetit LGBT, të cilët janë të anatemuar nga gjithë rajoni , si dhe komunitetit pakicë serb i cili është ardhacak, e nga ana tjetër nuk kemi ndonjë përkrahje direkte institucionale përveq lëmoshës, për pjesën e shoqërisë që jetojnë si në vendet e botës së tretë. Mirëpo, ne e dimë që kjo pjesë e shoqërisë është ajo që më së paku i then ligjet, meqë ndihet edhe e pafuqishme, dhe që shpresën e vetme e kanë të ikin nga vendi. Kjo formë po shihet si më e afërta që do të ndodhë, përmes liberalizimit të vizave, e cila nuk garanton vende pune, e nga ana tjetër ikja e qytetarëve në vendet e Shengenit është goxha e rëndë për gjepin e një pjese të konsiderueshme të popullit. Kësisoji, për ithtarët e religjioneve, por edhe ata që sadopak janë alaik, sistemi real që funksionin në vend është DemonKracia, ku demoni i vërtetë i bie të jetë elita udhëheqëse. Ky grup është një trinom i pandashëm: Politikë-Biznese-Shtresa e pasur. Ky trinom garanton shmangie nga ligjet në fuqi, formë të gjetjes së hapësirave për shmangie nga tatimet dhe përvetësim të përthithjes së fondeve të huaja.

Andaj, në qoftëse ky sistem dëshiron të diferencojë klasat shoqërore në vend, atëherë duhet që të sjell një ligj të ri mbi taksat. Shtresa e pasur të taksohet më shumë, ndërsa të varfërit më pak, në bazë të të ardhurave mujore që i marrin. Kjo gjë është e arritshme dhe nuk duhen ekspert të veqantë që të funksionalizohet, mirëpo mungon vullneti, dëshira dhe qëllimët për të bërë mirë. Tekefundit njeriu nuk mund të punojë kundër vetes dhe interesave personale, meqë kjo mund t’i prek direkt ata që i japin formë ligjore kësaj qështje. Derisa kemi një organizim të tillë, problemet do mbijnë nga hiqi, sepse dikush nuk ka dashur t’i shoh me kohë, apo nuk ka mbartur gjyslyke transparente. Edhe të vdesësh në këtë periudhë pa pasur rezerva financiare, nuk do të mundesh dot, meqë brengë të madhe do u lësh familjarëve, e të tillët nuk do të mund t’i përballojnë shpenzimet e mortit. Këtu vihen në sprovë pyetjet të jesh apo të mos jesh dhe të kesh apo të mos kesh..

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat