Shkupi, një histori ilire apo e vërteta e mohuar

Opinione

Shkupi, një histori ilire apo e vërteta e mohuar

Nga: Mr. Delvina KËRLUKU Më: 26 prill 2016 Në ora: 15:00

Para pak kohësh teleshikuesit, patën rastin dhe mundësinë të shohin në ekranin e televizionit “Top Channel”, dokumentarin e rrallë të gazetarit të njohur Marin Mema. Ishte dokumentari më i ri i kësaj shtëpie televizive që tërhoqi vëmendjen e spektatorit akoma pa u shfaqur. Me titullin intrigues, por edhe joshës, “SHKUPI, NJE HISTORI ILIRE”, pa tjetër që do ngjallte kërshërinë e shikuesit, aq më tepër kur dokumentarët e tillë mungojnë me të madhe, sidomos në ekranet e televizioneve të Shkupit.

Materiali filmor kishte për qëllim të jap dëshmi të rëndësishme për historinë ilire të kryeqytetit tonë. Dikush mund të thotë se televizioni nuk solli diçka të re, të panjohur, të paditur. Po, po. Kështu është, por e vërteta kur nuk ripohohet, kur atë e mbulon pluhuri i harresës, kur atë mundohet ta përvetësojnë të tjerët, sidomos ku ata TË TJERËT, kanë mungesë rrënjësh autoktonie dhe kur kanë pretendime mbizotërimi etnik, atëherë këto lloje të rikujtimit janë të mirëseardhura.

Pastaj, mos e harrojmë edhe një fakt tjetër, shumë të rëndësishëm, popullata jonë shqiptare nuk e ka nivelin e lakmueshëm arsimor, e lëre më njohurin e duhur mbi historinë e vet, dokumentari si ky ishte dhe është aq i nevojshëm. Popullata jonë, ta themi të vërtetën sado e hidhur qoftë, mjaftohet me historitë dhe bëmat historike që pasqyrojnë këngët folklorike, që transmetohen përmes çiftelisë.

Sa do të rëndësishme të jenë këto, ato nuk mund t’i zëvendësojnë faktet historike, siç i pasqyronte dokumentari në fjalë, meqë fuqia e dy telave të çiftelisë, aq është. Ky dokumentar erdhi në një moment të caktuar, në momentin kur ngjarjet politike po bëhen kryefjala e ditës.

Bile kohëve të fundit me polarizime të forta ideologjike të partive politike. Në këtë luftë të ashpër për drejtësi shoqërore, kundër keqpërdorimeve dhe hajdutërisë makute, partitë shqiptare ndihen si të jenë mysafire në këtë sofër. Ato as për së afërmi nuk i përdorin faktet, siç është ai demografik dhe historik. Dokumentari i Martin Memës sikur do t’u thotë: ju i keni rrënjët thellë në histori, prandaj mos u dorëzoni përpara furtunave të vogla. Tregoni se kush jeni. Mos u shitni për një paqetë cigare se historia nuk harron dhe nesër u nxjerr të zbuluar.

Është një dokumentar që të trimëron, të bën krenar, të mbush me besim. Ne nuk mund të rrimë pa pyetur përse ky lloj shpalimi i të vërtetave tona ose mungon fare, ose bëhen me një lloj turpi, njëlloj frike. Më shumë mendojmë për palën tjetër, se si do ta kuptojë, si do të ndjehet, se sa për veten tonë për njeriun tonë.

Nuk kemi kuadër profesionist, apo nuk kemi kurajë? Ç’po ndodh me ne? Derisa të tjerët shpikin histori e rrënjë, ne i rrimë larg së vërtetës sonë, duke i lënë rrënjët të kalben në thellësinë e historisë. Është meritë e gjeturisë së gazetarit që mohimeve dhe shtrembërimeve të historianëve maqedonas ua vë përballë dijetarët e shkencëtarët e pakontestueshëm, siç janë: Plini, Herodoti, Kurt Rufi, Pausania, Livi, Prokopi i Cezaresë, Herakli, Marceliusi, Straboni, Taciti, Didori, Aristoteli etj.

Përse nuk e themi të vërtetën për Pjetër Bogdanin, Për Lazër Mjedën, për Kolë Bojaxhiun, për Bajram Currin, Hasan Prishtinën, Jashar Erebarën, Nënën Tereze, për bejlerët patriotë, delegatë kuvendesh historike për fatin e popullit tonë. Shkupi ka qenë kryeqytet i Dardanisë, i Vilajetit të Kosovës... A thua sa i dinë këto fakte nxënësit e shkollave tona. Shumë pak, mbase aspak. Por si t’i akuzojmë fëmijët, kur ministria jonë e arsimit ua lë në dorë ta shkruajnë historianët maqedonas.

Kur qeveritarët tanë të hollat tona (të buxhetit të përbashkët), ia japin Akademisë Maqedonase për ta shtrembëruar e denigruar historinë tonë! (Nga pak është për t’u çuditur edhe me heshtjen e historianëve e arkeologëve të Tiranës dhe Prishtinës, duke mos i dal zot të vërtetës historike kombëtare. Kjo pjesë e historisë, është pjesë përbërëse e mbarë historisë së popullit shqiptar.) Po këta qeveritarë as kërkuan falje prej popullit, as nuk u shqetësuan fare. Vazhduan të bëjnë veshin e shurdhët dhe të sillen në mënyrën më servile. U desh të vijë Marin Mema nga Tirana të na thotë Shkupi është ilir, Shkupi është shqiptar, Shkupi është juaji, gjegjësisht yni. Ne nuk po themi se historianët tanë s’kanë bërë gjë në këtë drejtim.

Është vendi këtu të përmendim kontributin e çmuar që kanë dhënë disa nga historianët tanë, si psh. Qerim Lita, Skënder Hasani, Vebi Xhemaili, Ramiz Abdyli, Nebi Dervishi, Reshat Nexhipi, etj.., e ndonjë tjetër në zbardhjen e të vërtetave historike të Shkupit, megjithatë pjesa antike e tije ende nuk ka parë dritën e vërtetë. Mirëpo, duke marrë parasysh, siç e cekëm edhe më lartë, nivelin arsimor të popullatës sonë, e cila vazhdon të lë për të dëshiruar, emisionet televizive, janë më efikase e më të drejtpërdrejta dhe më lehtë përthithen nga shkupjani, ose shqiptari i këtyre trevave.

Ky dokumentar nuk u ndalet vetëm në të vërtetat historike dhe në përpjekjet e ethshme për t’u fshehur këto nga historia e politizuar skajshëm e historianëve të sotëm maqedonas, por ai flet edhe për aktualitetin e kryeqytetit tonë, të cilën Vardari e ndanë në dy pjesë shumë të ndryshme, pjesë që nuk i ngjajnë njëra tjetrës. Pjesa ku jetojnë maqedonasit, ka fare pak dallim nga çdo qytet evropian dhe pjesa ku jetojnë shqiptarët, e cila gjithashtu nuk dallon shumë nga qytetet e prapambetura të Afrikës.

Kamera e Top Channel – it , këtë e thoshte aq qartë, sa nuk do ta bënin njëqind shkrime gazetash e revistash. E ka këtë përparësi televizioni, por ja që, ta theksojmë edhe njëherë, shtëpitë televizive shqipe të Shkupit, nuk janë aq të disponuara ta shfrytëzojnë.

Siç dihet, kontributet e mëdha e të ndjeshme, kanë edhe riskun e vet. Edhe gazetari i nderuar Mema, e përjetoi në shpinën e vet, duke u arrestuar e maltretuar nga ana e policisë maqedonase për orë të tëra.
E vërteta dhemb e djeg. Ka çmimin e saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat