Nipi i Xhemajl Abrisë…

Opinione

Nipi i Xhemajl Abrisë…

Nga: Dibran Demaku Më: 25 prill 2016 Në ora: 09:12

E kisha njohur që në fëmijëri.Të gjithë e thërrisnin Smajl.Smajl Bahtiri.As sot e kësaj dite nuk e di nëse ishte ky emri i tij i vërtetë. Mbase në librin e të lindurve emri i tij ishte Ismail, por ja që të gjithë fshatarët e fshatit tim e thërrisnin me emrin Smajl. Mbase edhe ky shkurtim i emrit të tij tregonte se një të vërtetë për të: se ishte i nderuar dhe i respektuar nga të gjithë. Smajl Bahtiri. E Bahtiri ishte babai i tij. Ndërkaq Bahtiri ishte i biri i Xhemajlit. I Xhemajl Seferit apo i Xhemajl Abrisë-Pleqnarit të Kosovës.

Smalj Bahtiri ishte simbol i mirësisë i burrërisë dhe menqurisë. Dhe mirësinë, burrërinë e menqurinë e kishte trashëguar nga gjyshi i tij-Xhemajl Abria. Si i tillë Smajl Bahtiri-Xhemajli do të nderohej e respektohej nga të gjithë bashkëfshatarët e fshatit të vetë, të rrethinës dhe më tej.

Fjala e tij gjithmonë dhe gjithëherë zinte vend. Ai ishte burrë-katërqind dërhem-siç thuhej në popull. Ngado shkonte ishte simbol i pajtimit dhe i unitetit. Si dikur gjyshi i tij-Xhemajl Abria, edhe Smajl Bahtiri, në popull do të njihej si njeri i pleqërimeve dhe pajtimeve.

Tërë jetën e vetë ia kishte kushtuar këtij misioni fisnik dhe kombëtar! Familje të tëra të fshatit të tij, të rrethinës dhe më gjërë i kishin shpëtuar plagës shekullore të hakmarrjes falë fjalës pajtuese të Smajlit. Familje të tëra i kishin shpëtuar territ të ngujimit dhe kishin shijuar rrezet e ngrohta të diellit dhe të lirisë falë mirësisë, menqurisë dhe vendosmërisë së Smajlit!

Përveq kësaj Smajl Bahtiri-Xhemajli ishte kujdesur gjithmonë dhe gjithëherë që fisnikja dhe kombëtarja jonë të ruhej dhe të kultivohej në mendjet dhe në zemrat e bashkëfshatarëve të tij, të rrethinës dhe më tej. Ai ishte kujdesur gjithmonë që nëpër dasma dhe gazmende të ndryshme të ftoheshin këngëtarë e njerëz të penës e të pushkës, në mënyrë që popullit t`i jepeshin shembuj se si duhet qëndruar e luftuar për të mirën, fisniken dhe kombëtaren.

Smajl Bahtiri edhe kur nuk kishte asnjë dasëm,do të ftonte këngëtarë të njohur popullor në kullën e tij të trashëguar nga i gjyshi-Xhemajl Abria, dhe aty do të kriste kënga folklorike e patriotike,për fshatarët e tij, të rrethinës e më tej, që do të ishin mysafirë të ftuar të tij.

Smajl Bahtiri-Xhemajlaj,nipi i Xhemajl Abrisë, kishte dhënë koontribut të jashtëzakonshëm edhe në shkollimin dhe emancipimin e femrës shqiptare të kohës së tij. Ai ngado kishte shkuar kishte ngritur zërin duke shtuar “se ne si komb do të përparojmë e do të fitojmë lirinë vetëm atëherë kur t`i japim lirinë femrës tonë, motrës tone!Dhe liri për femrën tonë, për motrën tone,është shkollimi dhe emancipimi i saj”!

Kur të tjerët kishin hezituar apo kishin dyshuar në fjalët e tij,ai pra,Smajl Bahtiri-Xhemajlaj, për t`i bindur të gjithë ata që hezitonin apo dyshonin në fjalët e tij, kishte dërguar të bijën e tij në shkollë të mesme, dhe pas atij momenti nuk ishte penguar më asnjë vajzë e fshatit të tij dhe rrethinës që të vazhdonte shkollimin.

Të gjitha këto që u thanë më lartë për figurën e njohur popullore dhe kombëtare të Smajl Bahtrit,nipit të Xhemajl Abrisë ruhen dhe janë të freskëta në mendjet dhe në zemrat e të gjithë atyre që e kanë njohur atë. Përveq në mendje dhe në zemrat e atyre që e kanë njohur, figura e Smajl Bahtirit-Xhemajlajt, ruhet edhe në dokumentet e kohës së tij. Dhe ato dokumente janë fotografi e fakte ku shihet figura e tij gjatë fjalimeve të tij nëpër kulla e oda të ndryshme të Drenicës e më gjërë.

Përveq kësaj figura e tij është përjetësuar edhe në fotografitë e shumta të tij, në mesin e këngëtarëve popullor të kombit,të atyre këngëtarëve që ai edhe kur nuk kishte dasmë apo ndonjë moment të gëzimit jetësor, i ftonte ata,pra këngëtarët popullor, që me këngët e tyre të mbanin gjallë ndjenjat kombëtare për liri dhe pavarësi.

Sepse Smajl Bahtiri-Xhemajlaj ishte i bindur se Liria do të vinte se s`bën duke shtuar se “dielli një ditë do të agojë edhe për ne dhe ata që mundohen, atë,pra diellin, që ta mbulojnë me shoshë do të ikin një ditë me turp!”
Këto radhë për Smajl Bahtirin-Xhemajlajn, përndryshe nipin e Xhemajl Abrisë, i shkrova i nxitur nga shumë foto të tij në mesin e këngëtarëve të njohur popullor Sali e Feriz Krasniqi, në faqe interneti!Dhe derisa i shihja fotot e tij në mesin e këngëtarëve apo shahirëve popullor,Sali e Feriz Krasniqi,ndjeva një krenari të ligjëshme!...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat