Negociatat Kosovë-Serbi rrezikojnë të krijojnë një shtet jo funksional të Kosovës!

Opinione

Negociatat Kosovë-Serbi rrezikojnë të krijojnë një shtet jo funksional të Kosovës!

Nga: Dr.Nijazi Halili Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 10:26

Kur përflitej mundësia e normalizimit të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, dialogu thuhej se është forma e vetme dhe më e mira e mundshme për të arritur këtë qëllim. Sot mund të themi se është dëshmuar e kundërta. Krejt çka ka sjell ky dialog i pabarabartë dhe pa kushte për Serbinë është forcimi i Serbisë brenda Kosovës dhe lehtësimi i rrugës së saj drejt anëtarësimit në BE. Ky proces vazhdimisht ka prodhuar marrëveshje të dëmshme për Kosovën, ka legjitimuar strukturat paralele dhe kriminale të Serbisë në veri, ka forcuar pozicionin e saj jo vetëm brenda Kosovës por duke fuqizuar atë edhe si faktor në rajon. E me të gjitha këto zhvillime, deri në fund, po duket se krejt çka do të prodhoj ky proces është autonomi për veriun duke krijuar një shtet jo funksional të Kosovës.

Sa herë përmendej çështja e veriut, në këtë proces dialogu, një nga justifikimet për trajtim me kujdes të veçantë të kësaj pjese ka qenë realitetit në terren dhe respektimi i kërkesave të popullatës lokale duke aluduar në serbët e asaj pjese. Sot faktet edhe mund të flasin për një shumicë serbe në veri të cilët nuk e pranojnë autoritetin e Kosovës në atë pjesë. Mirëpo as sesi situata faktike atje nuk do të thotë se duhet të kushtëzojë veprimin tonë.

Gjatë shqyrtimit të situatës në veri, duhet të kemi parasysh zhvillimet në tërësi. Që nga paslufta e deri më sot, në atë pjesë kanë ndodhur shumë ngjarje të rënda që kanë shërbyer në krijimin e atij realiteti.

Si ngjarjet e 3-4 shkurtit të vitit 2000, në të cilat u vranë dhjetë shqiptarë dhe u keqtrajtuan shumë të tjerë, ashtu edhe vrasjet dhe dëbimet e mëvonshme dëshmojnë për atë se çka në të vërtetë ka ndodhur në Mitrovicë. Gjatë gjithë kësaj kohe ishte qeveria e Serbisë me ndihmën e strukturave të saj kriminale, të cilat sot po legjitimohen përmes negociatave, e cila organizoi sulmin për dëbimin e shqiptarëve nga ajo pjesë duke krijuar artificialisht një realitet i cili sot po përdoret në negociatat Thaçi- Daçiç për të legjitimuar të drejtën e serbëve për autonomi.

Pra Serbia vazhdimisht ka përdorur dy karta: në mënyrë të dhunshme, artificialisht ka krijuar situatën faktike në terren e cila pastaj e ka legjitimuar atë si palë negociuese për atë pjesë, rasti i fundit krijimi i Asocionit të Komunave me shumicë serbe, dhe demarkacioni me Malin e Zi, seriozisht e kanë thelluar krizen politike, ekonomike dhe përspektiven e vendit për të intergruar në familjen europiane.

Gjatë këtij procesi janë arritur marrëveshje që dalë ngadalë po e formësojnë autonominë e veriut. Me këto negociata vetëm sa po legalizohen strukturat paralele e kriminale të Serbisë e nuk po shuhen ato siç na patën premtuar shumë zyrtarë të qeverisë së Kosovës. Krejt çka kemi parë përgjatë këtyre negociatave janë lëshimet që ka bërë Qeveria e Kosovës për temat e ndryshme që janë trajtuar pas disa raundeve të bisedimeve, fillimisht është hequr dorë nga kërkesa për shuarjen e strukturave paralele për t’u kërkuar vetëm transparencë rreth financimit të tyre nga Beogradi duke harruar se pikërisht këto struktura po e mbajnë peng situatën atje si dhe duke harruar dëmet dhe krimet e kryera nga pjesëtarët e këtyre strukturave.

Madje tani përveç legalizimit të tyre po flitet edhe për një lloj amnistie. Tash, pjesëtarët e këtyre strukturave kriminale jo vetëm që po pranohen por edhe mund t’i bashkëngjiten FSK-së ose policisë së Kosovës.

Pra pikërisht këto struktura dhe çështja e tyre po shihet si e lidhur ngushtë me autonominë e asaj pjese.

Zyrtarët e Serbisë këto dy çështje po i shohin si të lidhura dhe që duhet të zgjidhen bashkërisht. Është arritur edhe marrëveshja për fondin zhvillimor për veriun që mund të konsiderohet si hapi tjetër drejt zhvillimit të autonomisë së veriut. Ky fond, i ndarë nga buxheti i Kosovës, i territorializuar dhe me motiv etnik, i menaxhuar nga një grup tjetër e jo nga Kuvendi i Kosovës shpalos planin për një entitet autonom.

Ky proces i negociatave ka shërbyer në fuqizimin e Serbisë brenda Kosovës por edhe e ka afirmuar atë si faktor stabiliteti në rajon. Qysh nga fillimi, mund të themi se ky proces ka nisur si nevojë për Serbinë, për të dëshmuar ajo fqinjësinë e mirë, që t’i lehtësohet rruga drejt integrimeve evropiane. Pra për këto negociata ka pasur nevojë Serbia e jo Kosova. Duke e parë rëndësinë që ky proces ishte favorizues për Serbinë, ishte mundësia e fundit që qeveria e Kosovës të kushtëzoj pjesëmarrjen në negociata. Por lëshimet që vazhdimisht ka bërë qeveria e Kosovës vetëm sa e kanë trimëruar Serbinë. Madje pjesëmarrja në negociatat e kryeministrit Mustafa, si dhe e presidentes Jahjaga e kanë rehabilituar Serbinë.

Krimet e bëra ndaj popullatës Kosovare, po ashtu edhe udhëheqësit aktual të saj, të cilët si gjatë luftës edhe përgjatë këtij procesi, në Kosovë kanë prodhuar dhe mbështetur dokumente dhe politika të dëmshme për Kosovën. Madje ata në vazhdimësi kanë treguar se ende nuk kanë hequr dorë nga Kosova. Ky proces bëhet ende më i rrezikshëm kur kemi parasysh qasjen e bashkësisë ndërkombëtare karshi Serbisë. Ata me qëndrimin e tyre me ose pa dashje vazhdimisht po e inkurajojnë Serbinë drejtë Kosovës duke mos kërkuar as heqjen e Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë e as kundërshtuar platformën e dëmshme të presidentit Nikoliç. Me mbështetjen e këtij dialogu të dëmshëm për Kosovën po duket se bashkësia ndërkombëtare ka qëllim parësor ndarjen e Serbisë nga Rusia edhe me kushtin e fuqizimit të saj në Ballkan që nënkupton vazhdimin e politikave të dëmshme karshi Kosovës.

Negociatat Kosovë-Serbi rrezikojnë të krijojnë një shtet jo funksional të Kosovës. Shumë shpesh, pjesëmarrja në këto negociata na është arsyetuar me përfitimet të ndryshme si: njohja nga pesë shtete e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, arritja e marrëveshjeve për integrim në BE, njohja e Kosovës nga Serbia, etj. Mirëpo, nuk duhet të harrojmë se asnjëra nga këto nuk i garanton Kosovës funksionalitetin si një shtet normal. Të gjitha këto kushte tashmë i ka përmbushur Bosnja dhe Hercegovina por ajo edhe më tutje vazhdon të cilësohet si shtet mjaftueshëm jo funksional për t’u integruar në mekanizma ndërkombëtar.

Deri në fund të këtij procesi, me gjithë këto marrëveshje të dëmshme që po arrihen, po duket se shteti i Kosovës do të dëmtohet aq rëndë sa që krejt çka do të ndodh është normalizim i marrëdhënieve të Serbisë me BE-në dhe fuqizim i saj i mjaftueshëm për të vazhduar bllokimin e Kosovës qoftë në rrafshin ndërkombëtar apo përmes ndarjes së saj përbrenda, me autonominë në veri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat