Ku dhe kush janë armiku dhe tradhëtia?

Opinione

Ku dhe kush janë armiku dhe tradhëtia?

Nga: Nga Skënder S.KAPITI Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 07:10

Armiqtë tanë kanë përdorur dhe përdorin kundër kombit tonë lloj-lloj përpjekjesh, metodash e marifetesh për të na zhdukur si rracë, si komb dhe si shtet. Kanë përdorur ata dhunën, vrasjet , dëbimin dhe pastrimin etnik, genocidin si dhe hipokrizinë, genjeshtrat, mashtrimet, falsifikimin e historisë: kanë prdorur korrupsionin, paranë dhe agjenturat politike, diplomatike, ekonomike, mediatike e propagandistike, fetare dhe ateiste, shkencore dhe akademike: kanë përdorur, blerë e manipuluar duke lobuar politikanë dhe diplomatë e madje dhe qeveritarë të shteteve perendimore, për të mbuluar e justifikuar qëllimet antishqiptare të tyre për ta zhdukur dhe asimiluar kombin tonë. Armiqtë e kombit tonë dëshirojnë dhe kënaqen që shtetet shqiptare sot të kenë probleme të rënda të brëndshme, konflikte e mosvarrëveshje politike, moszhvillim dhe mosmirëqënie, papunësi, varfëri dhe eksod, mosintegrim dhe imazh jo të mirë ndërkombëtar. Ata gjithnjë kanë ndërhyrë edhe në Shtetin shqiptar prej 100 vitesh për ta destabilizuar dhe për ta asgjësuar edhe atë.

Armiku i dytë i rrezikshëm dhe i dëmshëm gati si ai i pari që e paraqitëm më lart, për kombin, emancipimin dhe për sovranitetin kombëtarë është politika, pushteti dhe administrimi i keq dhe korruptiv prej politikanëve, shtetarëve dhe administratorëve që ata i kanë bërë po që edhe vazhdojnë t‘i bëjnë si shtetit ashtu dhe popullit të vet. Është fatkeqësi për një popull që në krye të punëve të tij dhe të shtetit, pra, është fatkeqësi kur kombi të qeveriset prej një shumice injorantësh, pa asnjë cilësi e karakter patriotik, pa përgjegjesi morale dhe pa ndjesi shpirtërore; është fatkeqësi kombëtare kur politika kriminalizon veten dhe shtetin; kur drejtësia e prish dhe e korrupton veten dhe shoqërinë; kur antiintelektualizmi injoron, dëbon dhe e prangos talentin, aftësinë, intelektualizmin e vërtetë pozitiv artistik, shkencor, filozofik, politik dhe patriotik. Për të mos u zgjatur shumë: prej këtyre tradhetish po e pëson dhe po vuan populli ynë, po vuan shumë dhe prej mjerimit, papunësisë, padrejtësisë; prej antiligjit dhe antishtetit të politikës dhe të politikanëve të papërgjegjshëm dhe të këqinj; po vuan prej depresionit psikik të rëndë shoqëror që ata i kanë shkaktuar shoqërisë; që ja kanë tharë, goditur dhe humbur shpresën mijra e mijra shqiptarëve për të jetuar në atdhe, duke ua injektuar atyre bindjen se e ardhmja, lumturia dhe siguria gjëndet vetëm duke u larguar nga atdheu.

Besoj se është e qartë dhe e di gjithkush se kush dhe ku është armiku? Pra, armiku i parë janë ata: shekullorët, fqinjët shovinistë, të huajt e tjerë që i mbështesin ata: pra, janë joshqiptarët. Ndërsa armiku i dytë është tradhëtia e këtyre të tanëve: janë korrupsioni, hajdutëria, mashtrimet dhe gënjeshtrat e tyre se edhe këto janë tradhëti; janë këta që për pasurimin e vet, për pushtet po dhe për lavdinë e vet kanë 25 vite, më saktë që prej 100 vitesh që luajnë drama fatkeqësish; janë këta që mendojnë dhe që sakrifikojnë të tjerët dhe mundin e vuajtjet e popullit të vet vetëm për kënaqësinë, lumturinë, paranë dhe për pushtetin e vet; janë këta që si më herët në Shqipëri dhe së fundmi në Kosove që nënshkruajnë edhe “Marrëveshje” në dëm të interesave kombëtare, që falin e dhurojnë trojet shqiptare për interesa personale politike e pushteti; janë dhe këta “lidershipët” e pushtetit në Kosovë që nënshkruan “Zajednicën”, një marrëveshje pa miratimin e Kuvendit të Kosovës, pa pyetur për Kushtetutën dhe që përbën një rast të paprecedentë për trajtimin e pakicave kombëtare, të panjohura deri më sot nga ndonjë praktikë, traktat e konventë ndërkombëtare.

Politika shqiptare gjithnjë ka prodhuar lidershipe “të guximshme” për të ndërmarrë e bërë reforma “të mëdha” dhe Marrëveshje në dëm të interesave publike, qytetare dhe kombëtare,si p.sh: reformat komuniste radikale ideologjiko-revolucionare te dhunes e terrorit; reformat e kooperativizimit dhe të shtetëzimeve; reformat radikale të vetizolimit kombëtar; reformën kriminale të luftës së klasave etj.

“ Guximi ” për të rrënuar , shkatërruar dhe degraduar shoqërinë dhe kombëtarizmin prej lidershipeve politike e shoqërore të mbrapshta, prej rrënimtarëve të trashëgimisë së vyer kombëtare dhe të fesë vazhdoi dhe vazhdon akoma edhe pas rënies së komunizmit; me zëvëndësimin e komunizmit shtetëror me nje komunizmin kapitalist që vjedh, grabit dhe përvetëson pronat e fisnikërisë historike shqiptare dhe ato kombëtare: ku ky kapitalizmi komunist i paskomunizmit edhe po vetëdekorohet duke e promovuar veten me qëllimin djallëzor për ta fshehur të kaluarën kriminale të tij; ky kapitalizmi komunist që ka privatizuar dhe përvetësuar jo vetëm pasurinë, politikën, partitë, shoqatat, organizatat e ndryshme të shoqërisë civile, universitetet, të gjitha mediat vizive dhe të shkruara në Shqipëri me ndonjë përjashtim shumë të rrrallë por kryesisht ka kapur politiken, shtetin dhe ekonominë; por ka privatizuar e përvetësuar edhe prerogativat e moralit, të demokracisë dhe të vlerave kombëtare, fetare dhe politike me qëllimin afatgjatë për ta sunduar Shqipërinë dhe shqiptarët, po këta si trashëgimtarë të të parëve komunistë të tyre dhe për t’ua pasuar pasuesve dhe trashëgimtarëve të vet që do vijnë pas tyre maskuar e fshehur pas premtimeve për “Rilindjet” shqiptare, po edhe që është e vërtetë se vetëm ky soj pushteti e politike që i përshkrova më lart po lind e po rilind gjithnjë në Shqipëri si në vitin 1945, në vitin 1992 dhe tani pas Qershorit 2013, si rilindje të vazhdimësive, të këputura përkohësisht por të zëvëndësuara po nga të njëjtët “rilindas” pasues dhe trashëgimtarë politikash krimi, mashtrimesh, korrupsioni, grabitjesh, vjedhjesh dhe tradhëtish që kanë qeverisur dhe po qeverisin Shqipërinë dhe shqiptarët.

“Guximi” i politikës shqiptare bëri hatanë e rrënimin e madh të Shqipërisë në vitin 1997, vazhdoi me nënshkrimin e Marrëveshjes me Greqinë në shkelje flagrante me interesin kombëtar, me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe të së Drejtës Ndërkombëtare, tinëz duke anashkaluar të paktën edhe konsultimin me aleatin tonë strategjik SHBA dhe të shteteve mike të BE, Italinë p.sh. Pra, a nuk lind e drejta për të pyetur se ku e gjejnë guximin si pushtetarët më të lartë me kryeministra dhe ministra të jashtëm të të dy shteteve shqiptare të Shqipërisë dhe të Kosovës të bëjnë pazare dhe të nënshkruajnë marrëveshje që shkelin kushtetutat e shteteve përkatëse dhe madje edhe të Drejtën Ndërkombëtare kundër interesave shtetërore dhe kombëtare, dhe që askush të mos ndëshkohet prej tyre, mirë penalisht , jo se jo, por ama as politikisht përderisa ata vazhdojnë të jenë si më të fortët e politikës dhe të pushtetit në të dy shtetet; por arrestohen e kërcënohen ata që mbrojnë dinjitetin, krenarinë dhe interesin kombëtar.

Si është e mundur që edhe politika më e lartë në Shqipëri si Pozitë dhe Opozitë të mbajnë një qëndrim” indiferent” dhe gjoja “”neutral” për Marrëveshjen “Zajednica” që më shumë është dhe duket si një miratim i heshtur prej saj; por edhe nuk është për t’u habitur se të tillë e kemi parë qëndrimin e politikës gjithmonë në Shqipëri edhe së fundi për marrëveshjen e detit me Greqinë, ku protestuan kundër saj vetëm disa individë intelektualë patriotë, një pjesë shumë e pakët e shoqërisë civile dhe ndonjë parti pa peshë politike, dhe ishqeverisja që e nënshkroi atë Marrëveshje me 27 04 2009 dhe që e rrëzoi Gjykata Kushtetuese në Prill 2010 qeverisi me qetësi deri në fund të mandatit elektoral 2013, dhe kurrë seriozisht opozita e atëhershme politike, dhe në pushtet sot nuk e kundërshtoi, por vetëm me ndonjë retorikë deputeti. Mos të habitet ndokush në Kosovë se përse hesht politika e Shqipërisë, e gjitha puthuajse, për Zajednicën, po edhe tinëzare, mospajtuese dhe kritike ndaj protestës së drejtë të Opozitës kosovare po që në fakt edhe duket hapur se Politika në Shqipëri pozitë-opozitë është kundër protestave dhe opozitës në Kosovë që kërkojnë anulimin e Zajednicës, pasi ajo është në vazhdën e trashëgimisë së politikës së Shtetit shqiptar që ka infektuar dhe atë shqiptare të jashtë Shtetit të Shqipërisë.

Dhe shqiptarët e Kosovës e dinë mire se vetë Mbretëria shqiptare i ka falur troje Jugosllavisë, dihet mirë se kush ishte regjimi komunist sa që për pak edhe Shqipërinë sa nuk e bëri Republikë të shtatë të Jugosllavisë e që problemin e shqiptarëve të Kosovës e ka trajtuar dhe njohur praktikisht si minoritet dhe sa për pakicat kombëtare diplomacia komuniste e Shqipërisë shprehej se ju takon te veprohet sipas ligjeve të shteteve ku ato janë, dhe që i dha kështu të drejtën regjimit serb që Kosovës t’ja hiqte edhe Statusin e Krahinës Autonome që para fillimit të shpërbërjes së Jugosllavisë. Dihet mjaft mirë furnizimi dhe shkelja e embargos së naftës për makinën e luftës së Milloshevicit, deklarimi për pavarësi të kushtëzuar për Kosovën nga PD dhe deklarata në Pekin e ishkryeministrit nga Partia Demokratike e Shqipërisë, S. Berisha në vitin 2008, se problemi Kosovës nuk i përket Shqipërisë; por dihet gjithashtu dhe deklarata e ishkryeministrit socialist Nano që si kryeqytet të Kosovës ai njihte Beogradin. Por duke u ndalur vetëm për rastet më të fundit, për kufirin detar me Greqinë dhe për “ Zajednicën”, si sjellje kaq të rënda antikushtetutshmërie dhe antikombëtare, pyesim tani se pse nuk ka ndëshkim për autorët që i nënshkruajtën ato marrëveshje në shkelje flagrante me Ligjin Themeltar të Shtetit, në një kohë kur ligji dhe drejtësia e të dy shteteve denojnë qytetarët e vet, madje rëndë, dhe për shkeljet ligjore më të vogla dhe ordinere. Por edhe me sportin madje politika manipulon për interesin e vet, si p.sh, me humbjen e ndeshjes së futbollit të Shqipërisë me Serbinë, ku politika e pushtetit na e reklamoi dhe na e serviri si fitore politike dhe të qytetarisë. Se çfarë fitore politike, qytetaro-kombëtare dhe krenarie ishte ajo, atë nuk e dinë dhe se mësuan qytetarët e Shqiperise.

Edhe sot vazhdojnë të “guxojnë ” lidershipet politike e të dy shteteve tona që të pengojnë e të bllokojnë integrimin, që e mbajnë mbajnë peng atë nga moskryerja e reformave për dekriminalizimin e politikës, të moskryerjes së reformes në drejtësi, në mosluftimin e mosndëshkimin e korrupsionit institucional dhe shtetëror, në mosfunksionimin e shtetit ligjor, pra, në mosndërtimin e shtetit ligjor me vlerat e standartet moderne demokratike shtetformuese si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë.

A kanë akoma moral që të qëverisin këta politikanë si në Kosovë dhe në Shqipëri , jo vetëm këta që janë aktualisht po dhe ata që kanë kaluar në opozitë në Shqipëri, kur vetëm në vitin 2015 mijra e mijra shqiptarë nga të dy shtetet u dyndën drejt perëndimit për të kërkuar azil politik, ekonomik e juridik njëlloj si sirianët që largohen prej terrorit dhe luftës civile atje. Po edhe vjen pyetja si ka mundësi që shoqëria dhe populli ta durojnë dhe ta pranojnë e t’i binden kësaj politike të korruptuar që ka prishur, falimentuar dhe paralizuar drejtësinë, shoqërinë dhe shtetin?!

Po mos të harrojmë pa përmendur këtu edhe “harresën e guximshme” të lidershipit politik të shqiptarëve të Maqedonisë që pasi “braktisën” politikisht dhe administrativisht kryeqytetin kombëtar të shqiptarëve, Shkupin ( SHKUP, SHKYP-TAR, SHKYP-ENI); fjalë këto që kanë si rrënjë fjalën Shkup prej së cilës e ka prejardhjen emërtimi kombëtar modern shqip, shqiptar dhe Shqipëri) ; lidershipet politike shqiptare të Maqedonisë që për interesat e tyre personale bëjnë si konflikte të ashpra ndërvete por edhe kompromise e matrapazllëqe me maqedonasit në dëm të interesave shqiptare, sa që kanë arritur deri atje që të rrinë “indifferent” ndaj moszbatimit edhe tani pas rreth 15 vitesh të Marrëveshjes së Ohrit, Marrëvashje që u arrit falë presionit euro-amerikan që u nënshrua prej tyre dhe përfaqësuesve shqiptarë dhe maqedonas. Ajo nuk zbatohet akoma edhe sot prej kaprriçozëve politikë shovinistë maqedonas dhe nuk këmbëngulet seriozisht zbatimi i saj prej politikanëve shqiptarë atje, prej korrupsionit dhe prej interesave dritëshkurta pushteti dhe të interesit personal të tyre.

Pra, a nuk na qënka armiku më i madh brënda nesh, kjo pabesia dhe tradhëtia, mashtrimi dhe korrupsioni brënda nesh, dhe a nuk është aktuale sidomos në Shqipëri thënia e princit romun Sturdza, i cili në vitin 1914 luftoi për mbrojtjen e Durrësit se : “Mjete, armë e të holla hyjnë nga të gjitha anët… për t’ju shërbyer, qëllimeve shkatërronjëse të të huajve. Vetëm po të duash të luftosh për çështjen kombëtare si atdhetar i ndershëm, s’të vjen kurrkush prapa …”. Dhe a nuk është kështu edhe historia e 100 viteve të pas kohes së vitit 1914, që të gjithë patriotët dhe luftëtarët e kryengritjes së Përgjithshme të Kosovës që çuan në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë u vranë nga armiqtë dhe nga tradhëtia; dhe a nuk është historia e Shqipërisë plot me përndjekje, dëbime dhe vrasje të patriotëve dhe nacionalistëve si në Mbretërinë shqiptare por sidomos nga regjimi komunist në Shqipëri, po edhe të patriotëve e nacionalistëve shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi në ish-Jugosllavi.

Edhe sot, po pyes se, a nuk janë të izoluar, të dëbuar e të përjashtuar nga qeverisja, vendimmarrja dhe nga pushteti dhe sidomos nga politika; të përjashtuar, të dëbuar dhe të izoluar edhe nga jeta e aktiviteti institucional shteteror artistik, shkencor, intelektual dhe akademik individët më patriotë, më të aftë dhe më të përgjegjshëm të cilët vetëm sa emigrojnë dhe e gjejnë veten vetëm në perëndim, plagë kjo edhe sot shumë e rëndë hemoragjie kombëtare që nuk duket se ka gjasa e shpresë që të shërohet. Por falë teknologjisë së internetit dhe të disa mediave te pavarura shqiptare dhe me sens patriotic e me ndjesi sociale, sidomos të diasporës që u japin mundësinë atyre që nga jasht Shqipërisë po edhe inteligjencës shqiptare nga Shqipëria që të flasin e të shkruajnë lirshëm mbi të vërtetën dhe realitetin; që të ndihmojnë e të kontribuojnë për vëndin dhe Shqipërinë ashtu si dikur siç kanë bërë rilindasit tanë të mëdhenj nga Stambolli, Bukureshti, Sofia, Vjena, Londra dhe nga SHBA për zgjimin kombëtar shqiptar, për kombin dhe shtetin shqiptar, pasi në shtetet shqiptare pothuaj e tërë media ashtu si dhe “demokracia” janë kapur dhe i shërbejnë politikës, parasë dhe korrupsionit.


Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat