Qoshet e tryezës së rrumbullakët

Opinione

Qoshet e tryezës së rrumbullakët

Nga: Fadil Lepaja Më: 10 shkurt 2016 Në ora: 10:48

E kanë kapur, shtetin. Nga jashtë edhe nga brenda. Prej sofrës e kanë kapur dhe këmbëkryq e kanë ulur në tryezë të rrumbullakët. Krejt kjo do të ishte veç një proces i natyrshëm emancipues, sikur të mos pretendohej që të ndodhë brenda një gjenerate të vetme. Kështu kjo po ka pasoja... (para)politike.

Kështu, Ramushi u ul në qoshe të sofrës, pra të tryezës së rrumbullakët. Kjo tryezë, e rrumbullakët ( theksi bie pikërisht te kjo fjalë) është thirrur nga Presidentja e vendit, për me e ndërmjetësua një dialog në mes pozitës dhe opozitës të cilët vitin që shkoi kurrqysh nuk arritën me i bë dy llafe bashkë, në shtëpinë e llafeve, në parlament. Opozita po qiste tym nga ...dikah!

Kështu, përfaqësuesi i vetëm i opozitës, u ul në qoshe, diqysh si ndër faj. Pranë tij dy karrige bosh e kafshonin në ndërgjegjje dhe nuk e linin rehat në sofrën e madhe politike që e “shtroi” e para e vendit. Kjo sofër politike ishte shtruar me “prodhime” politike vendore dhe ndërkombëtare, dhe paraqet vazhdimin e traditës, pra “Darkën e lamës” në politikë.

Zëvendës-kryeministri dhe ministri i jashtëm, e “shau” rëndë Ramushin, veç pak minuta pasi dolën nga mbledhja e rrumbullakët. Madje edhe në turrin e tij në Dukagjin, që e ndërmorri atë mbrëmje, atje ku konsiderohet baza e Ramushit, ai e zbrazi krejt zemrën. Zemra e tij duhet të ket mbetur bosh, pa dashuri për opozitën e cila kurrqysh nuk po e voton për president.

Tash, nuk është se ai, zakonisht i zgjedh shumë fjalët, por kësaj radhe ishte veçanërisht i rrumbullaktë, dhe me qoshe.

Rivalin e tij të cilit dikur i shtroi tepihun e kuq, e quajti edhe zhurmagji. Krejt kjo mori formën e sarkazmës, kur e propozoi atë edhe për pjesëtar të ekipit negociues për demarkacionin me Malin e Zi. Pyetja e madhe në fund të këtij monologu politik të tij është: Kë po e rrënon këtu z.Thaçi: veten apo z. Haradinaj?

Neni 83 i Kushtetutës së Kosovës përcakton se : “Presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikë së Kosovës”. A përfaqëson z. Thaçi këtë unitet? A duhet për këtë rol, diçka më tepër se numrat? Por kush mund të mendojë kthjelltë në këtë çmenduri.

Sidoqoftë, qysh e dini edhe vet, koalicioni qeverisës, në emër të Kosovës ka bërë një marrëveshje për normalizim marrëdhëniesh me Serbinë, e cila për pasojë i bëri marrëdhëniet në vend krejtësisht jonormale. I çmendi! E ku ka më çmendi?

Në vend se policia me hedhë lotësjellës, qysh është edhe rendi, e qysh ndodhë në të gjitha vendet e botës, te ne këtë e bënte opozita. Madje edhe vet lideri i opozitës. Në vend se në parlament të debatohet për zhvillimet në shesh, dhe të dënohej përdorimi i lotësjellësit nga ana e policisë, në shesh po bisedohej për përdorimin e lotësjellësit në parlament, nga opozita dhe po dënohej ... ! Lëre krejt! Në vend se opozita të mohojë hedhjen e lotësjellësit, ajo publikisht kërcënon se do të hedhë sërish lotësjellës. Kur e pyesin se ku e kanë marrë lotësjellësin, opozita thotë se ua kanë dhënë segmente të policisë. E keni humbur fillin ende? Të bëjmë edhe një xhiro verbale?

S’ka nevojë. Të gjithë tashmë e kemi të qartë se normaliteti është vetëm një kompleks i panevojshëm prej të cilit vuan politika jonë dhe sidomos mediat. Ani çka nëse nuk është normale. Është gjeniale.

Hajt, më thoni kush është kujtuar të hedh lotsjellës në parlament, deri sot? Ku ka debate ma shumë sesa te ne për demokracinë?

Tash përgjigjja e opozitës në përpjekjen e miqve tonë që edhe gjendja në vend të normalizohet, është që të anulohet marrëveshja për normalizim me Serbinë. Koalicioni, nuk e bëri të madhe punën e marrëdhënieve normale me opozitën, sepse kjo nuk ishte kusht nga bashkësia ndërkombëtare, por gjendja ka ndryshuar. Miqtë tonë, tash duan normalizim të marrëdhënieve edhe brenda Kosovës. Kjo i ka vu në siklet edhe marrëdhëniet në mes koalicionit. I ka bërë jonormale. Me një fjalë, në përpjekje për normalizim, u çrregullua gjithçka. U çmend!

E keni dëgjuar atë shprehjen, e palogjikshme: “ e rrumbullaktë dhe me qoshe”? Me kënde, de?! Nuk ka ashtu, do të thonë njerëzit e arsyeshëm. Ku ka rrumbullak e me kënde?!

Ka, qysh nuk ka. Ka në politikë! Shprehja “tryezë e rrumbullaktë” është veç metaforë, përmes së cilës sugjerohet se në atë tavolinë bisedojnë njerëz të veshur me fuqi dhe respekt të barabartë. E Ramushin e ulën në qoshe.

Pra, qysh e do rendi, Presidentja e vendit, ishte ulur në krye të tryezës së rrumbullakët. I vetmi përfaqësues I opozitës, ishte ulur ... po e dini. Në mes të tyre përfaqësuesit e pakicave, që përfaqësojnë superfuqi te ne ... dhe koka euro-atlantike. E në bisht dy karrige bosh, ku duhej të ishin ulur përfaqësuesit e dy partive opozitare, të cilat me vet mungesën e tyre I kanë vu një bisht të madh tryezës.

Ulja e pa baraspeshuar e bënte atë tavolinë veç në formë të rrumbullakët, duke ja marrë kështu krejt kuptimin e sajë politik. Kjo tavolinë nuk mund të merret si metaforë. Politike jo se jo!

“Bishti” gjithsesi mungonte. Ajo pjesë e opozitës e cila tash sa muaj, po I vë bishtin publik republikës, ishte thirrur për të legjitimuar procesin me prezencën e tyre. Po të mos ishin ata që munguan, demokracia jonë nuk do të kuptohej se ka bisht. Punë me bisht thonë, te ne. Ka bisht kjo punë. Do të thotë punë me pasoja. Gjithsesi se demokracia jonë edhe nëse nuk ka bisht, ka pasoja. S’po funksionon. E kanë kapur, nga të gjitha anët.

Disa thonë se nuk funksionon sepse është kapur shteti. E përmendëm qysh në fillim këtë punë, por nuk po kuptohet gjithkund njëjtë. Se si është kapur, apo nga kush, pak kush po e thotë qartë. E qytetarët krejt këtë më tepër po e shohin si një debat erotiko/politik. Në Kosovë, në zhargon, me thane se e kanë “kapë”, ka kuptim edhe erotik, me një fjalë... “sex”!

“Të kapi, Hasani”, po e pyeste nikoqirja zemërgjerë nga Tirana, një refugjate nga Kosova, e cila në vitin e madh 1999 kishte ikur nga dhuna serbe dhe ishte strehuar atje , bashkë me familjen. “Qyqe”, klithi ajo, dhe e skuqur deri në vesh, dhe doli nga dhoma.

“Po kjo çfarë pat”i, po pyetej e hutuar e zonja e shtëpisë, e cila nuk e kuptonte se pyetja e sajë, në Prishtinë kishte krejt tjetër kuptim. Kështu edhe me përpjekjet politike nga Tirana, apo nga kryeqytetet e tjera, që përpiqeshin me ndërmjetësua pa e pasur të njohur kuptimin e shprehjeve politike.

Në Prishtinë, kohëve të fundit , “kapja” ka kuptim sa erotik, po aq edhe politik. Po ja bëjnë atë punën...shtetit, de.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat