Shoqëri e nepotizmit

Opinione

Shoqëri e nepotizmit

Nga: Leutrim Sahiti, Sociolog Më: 9 shkurt 2016 Në ora: 16:16

Kosova edhe 17 vjet pas luftës së fundit po perballet me probleme të shumta, të cilat shtetin po e bëjnë të brishtë dhe të pafuqishëm për t'u përballur me sfidat që po kalon si brenda, ashtu edhe në raport me politikën ndërkombëtare.

Niveli i lartë i korrupsionit e nepotizmit është i pranishëm jo vetëm në institucionet qendrore e lokale, por edhe në institucionet publike, madje edhe në ato institucione që do të duhej ta luftonin atë, si mediet, shoqëria civile, gjykatat e universitetet.

Sot në institucionet tona, si në ato qendrore e lokale, për të ardhur deri tek vendi i punës, duhet të kesh raporte familjare apo miqësore me njerëzit e pushtetit. Pra mënyra e funksionimit në institucionet tona është e tillë që grupet e ndryshme luftojnë secila për interesat e tyre dhe janë shumë inkluzive, pra nëse nuk ke marrëdhënie miqësore është e pamundur të depërtosh e të bëhesh pjesë e vendim-marrjes. Kjo është logjika e institucioneve tona, madje as në parti politike sa do që sjellë përkahje për partinë, nuk mund të depërtosh nëse nuk je pjesë e grupit udhëheqës.

Janë qytetarët ata që në shumicën e rasteve i detyrojnë të korruptohen qeveritarët e zyrtarët tjerë, si këmbim për përkrahjen që i kanë dhënë në zgjedhje, e kjo ndodhë sepse vota tek ne llogaritet si mjet këmbimi, ku qytetari e voton politikanin në këmbim të dhënies së tenderëve, vendit të punës, apo favoreve tjera.

Pra shumica e qytetarëve sot më shumë vlerësojnë njerëzit e korrupsionit e nepotizmit sesa intelektualët që kërkojnë përkrahjen nga qytetarët në mënyrë legale pa propaganda e premtime joligjore, prandaj institucionet tona sot janë pasqyrë e vetëdijës sonë politike e qytetare.

Por edhe më tragjike është fakti që gjendje e njëjtë është edhe në medie, të cilat sot më shumë i ngjajnë zyrave të zëdhënies së partive politike, sesa medieve të pavarura me qëllim të informimit të drejtë të qytetarëve.

Sot nëse dëshiron të punësohesh apo të jesh i ftuar në ndonjë emision televiziv, duhet të kesh familjarë apo miq që punojnë në medie, prandaj edhe shohim në medie shumë njerëz të pavlerë, që nuk kanë asgjë të rëndësishme për të paraqitur para opinionit publik përmes medieve, të cilat sot veprojnë me logjikën e komercializmit.

Njëjtë ndodhë edhe në institucionet arsimore, e në shoqëri civile, ku niveli i nepotizmit është i lartë dhe kjo vërtetohet edhe me grupacionet brenda universiteteve, ku punësimi ndodhë më shumë në bazë të lidhjeve familjare apo miqësore sesa sipas meritave që kanë kandidatët, apo edhe zgjedhja e dekanëve në shumicën e rasteve është burim i luftës mes grupeve brenda fakulteteve.

Edhe pranimi i kandidatëve në organizata jo-qeveritare bëhet me nepotizëm, të ndikuar nga politika e me mungesë të lirisë së veprimit, si kushtëzim për marrjen e përkrahjes financiare nga politika.

Logjika e nepotizmit ka depertuar edhe atje ku kurrë s'do të duhej as të flitet për këtë dukuri.

Janë institucionet fetare ato që sot veprojnë me logjikën e njëjtë, grupet e ndryshme dhe lufta për pushtet mes tyre dëshmon që si shoqëri vuajmë nga lufta për pushtet e ndikim tek të tjerët.

Të gjitha këto raste dëshmojnë që nepotizmi është transformuar në "vlerë" në shoqërinë tonë dhe se luftimi i korrupsionit e nepotizmit duhet të luftohet në çdo sferë të jetës shoqërore e politike në vend, duke punuar me gjeneratat e reja, në edukimin e drejtë të tyre për të krijuar një shoqëri me kushte të barabarta për të gjithë qytetarët, larg nepotizmit e korrupsionit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat