Kosova, vend i paradokseve

Opinione

Kosova, vend i paradokseve

Nga: Shkruan: Anton Marku Më: 7 shkurt 2016 Në ora: 16:02

Të jetosh sot në Kosovë do të thotë të ballafaqohesh me kundërthënie nga më të ndryshmet. Disa serioze. Të tjerat më pak. Ka vite që kërkohet të ushqehemi me bio-prodhimet që bën toka jonë pjellore, e së cilës gjithnjë e më tepër po i mungojnë bujqit. Një pjesë e bëjnë. Të tjerët thirren në lirinë e konsumatorit dhe vazhdojnë të zgjedhin ato gjëra që mendojnë se ju bëjnë më mirë shëndetit të tyre, edhe ashtu të brishtë. Të japësh pa qenë i detyruar dhe të marrësh atë që nuk të takon është kthyer në vlerë universale. Pothuajse të gjithë pajtohen me këtë mënyrë të ‘‘kryerjes së punëve’’. Kosovarët nuk kanë qenë asnjëherë aq të njohur për ndonjë talent në lojën e ping-pongut.

Por, ja që polikanët e këtij shteti ka kohë që kanë hyrë në një teren që nuk e njohin mirë. Dhe loja vazhdon. Me shtet. Shumica e pëlqen muzikën amerikane. Nga oaza. Një grup, numerikisht më i vogël, por energjik, është i bindur se tingujt e vërtetë vijnë nga lindja. Nga shkretëtira. Të rinjtë po ikin ‘‘dit‘ e nat’’. Të moshuarit po mbesin. Po të kishin mundësi do largoheshin edhe këta. Së paku ditët e fundit të jetës t’i kalojnë larg ajrit të kontaminuar. Nga gazi. Nga tymi. Në fund të fundit, po ndodhi ndonjë katrasis apo ekzodus i madh, duket se në Kosovë do mbesin vetëm VV dhe Lista Srpska, dhe atë jo për hir të saj por të shteve fqinje. Lart dhe poshtë hartës.

Shitësit e mjegullës

Me gjithë kampanjën e lansuar nga VV për konsumimin e produkteve vendore dhe bojkotimin e atyre të huaja (kryesisht nga Serbia), të gjitha statistikat që kanë të bëjnë me shkëmbimin tregtar të Kosovës tregojnë se partneri më i madh i saj është mu Serbia. Pastaj vjen Maqedonia, përderisa shteti ‘‘amë’’ i shumicës së popullatës kosovare, Shqipëria mbetet shumë larg këtyre dy vendeve. Për më keq, nuk ka tregues që lë vend për ndryshime pozitive në vitet në vazhdim. Përkundrazi. Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë t’i shesin njëra-tjetrës kryesisht fjalë. Të mbushura, gjysmë të mbushura dhe të thata. Dhe diploma. Nga gjeografia. Dhe biologjia.

Korrupcioni, kjo bukë e përditshme

Kosova është vendi me prezencën më të madhe ndërkombëtare për kokë të banorit në Evropë. Ndoshta dhe në botë. Këtu që nga përfundimi i luftës apo shpallja e Pavarësisë veprojnë (e vegjetojnë) që nga UNMIK, BE, OSBE, NATO (përmes KFOR-it) e shumë organzima tjerë që janë e nuk janë të dukshëm për syrin e qytetarit të zakonshëm kosovar. Një pjesë e tyre janë të thirrur që të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupcionin, të cilët, për fat të keq, ashtu siç para pak javësh e bënë publik edhe barometrat vjetor ndërkombëtar, janë dhe vazhdojnë që në mënyrë ‘‘stoike’’ të jenë më të lartit në tërë kontinentin e vjetër. Ky është dhe shkaku kryesor që investuesit potencialë hezitojnë të sjellin të hollat e tyre, të fituara me dije e djersë, në një vend ku ky fenomen është i shpërndarë që nga rojtari në koperativën bujqësore e deri tek deputeti apo ministri, po aq sa buka që shtetasit e tij e konsumojnë përditë. Dhe atë nëse e kosumojnë të gjithë.

Edhe paqe edhe luftë

Në rrafshin politik, Kosova dhe Serbia vazhdojnë të luajnë me dy palë letra. Në njërën anë që të dyja përpiqen që para BE të tregohen të përkushtuar për bisedime lidhur me ‘‘të gjitha çështjet e hapura’’ dhe në mënyrë të diciplinuar shkojnë e vijnë në Bruksel, duke tentuar që secila të paraqitet më e angazhuar se pala tjetër në nëshkrimin e marrëveshjeve, për të cilat edhe vet e dinë se ose do të zbatohen me vështirësi ose nuk do të implementohen ndonjëherë. Në rastin e fundit vetëm naivët kanë mundur të besojnë se kryeministri aktual i Kosovës do t‘i qëndrojë besnik fjalës që e shqiptoi (pa ja kërkuar ndokush) dhe në fillim të këtij viti të mos niset për në kryeqytetin e BE. Mbetet të shpresohet se numri i këtyre ‘‘autogolave’’ në të ardhmen do të reduktohet. Ideale do të ishte të mos kishte më të tillë.

Në anën tjetër edhe Beogradi e edhe Prishtine vazhdojnë ‘‘luftën me mjete tjera’’ duke përdorur diplomacinë si instrument i bindjes së shteteve mike dhe më pak mike se mu ata dhe jo ana e kundërt kanë të drejtë. Në këtë fushë, Kosova me vetëm një njohje përgjatë një viti të tërë, përjetoi së fundi edhe dy disfata të dhimbshme: në UNESCO dhe Këshillin e Evropës. E vetmja e arritur në këtë sferë, dhe ajo jo aq si rezultat i bisedimeve në raport me Serbinë, ishte parafrazimi i MSA-së, e cila ishte më shumë arritje e atyre indvidëve, grupeve dhe institucioneve që ishin të angazhuara në këtë process për vite të tëra, pra edhe para se dialogu të fillonte, se sa i ndonjë veprimi efektiv diplomatik nga ana jonë.

Retorika evropiane definitivisht nuk mjafton që Kosova të jetë më afër BE. Ajo përkundrazi vetëm sa ka stagnuar.

Pra, caku lëvizës vetëm sa po largohet nga horizonti dhe atë vetëm për faktin se ne po zvarritemi përpara ngadalë.

Shumë ngadalë. Të tjerët as që po ecin. Po vrapojnë. Sidomos fqinjët tanë në veri, lindje e perëndim. Jugu nuk mund të merret si bazë krahasimi. Ai vazhdon të merret me erërat. Dhe mullinjtë. E vet dh të huaj.

Amerika dhe IS

Sipas anketave të zhvilluara së fundi nga agjenci me renome ndëkombëtare, kosovarët janë populli më pro-amerikan në botë. Dhe mund të jetë se është ashtu. Por, kësaj i kundërvihet argumenti se për kokë të banorit, Kosova ka më së shumti luftëtarë në radhët e IS. Kjo asesi nuk do të thotë se shumica dërmuese e banorëve të Kosovës është rreshtuar përkrah të ashtëquajturit ‘‘shtet islamik’’. Por vet e dhëna se ata burra e gra që ju bashkangjitën këtij konflikti të largët dhe absurd, janë lindur dhe rritur në shtetin më të ri të Evropës, tregon se diçka nuk ka shkuar në rregull me promovimin e vlerave qytetëruese dhe liberalë në Kosovën e pasluftës.

Në këtë aspekt, faji nuk bie vetëm mbi klerikët lokalë me pikëpamje radikale dhe ekstreme, por edhe mbi strukturat e sigurisë, të cilat nuk kanë qenë sa duhet syhapur për të parandaluar shfaqjen e kësaj dukurie, e cila ka rrezik të marrë përmasa edhe më shqetësuese. Sidoqoftë, rreshtimi i Kosovës përkrah perëndimit në luftën kundër terrorizmit lë të shpresohet se në këtë ‘‘fushëbetejë’’ do të bëhet më shumë se sa deri më tani.

Dyer të mbyllura-dritare të hapura

Kosovarët vazhdojnë të mbesin të vetmit qytetarë evropianë të cilëve ju mohohet lëvizja e lirë dhe qarkullimi pa viza në pjesën tjetër të Evropës. Dhe kjo nuk është pasojë e mosgatishmërisë së saj për të hapur dyert për ne, por e faktit se ato dyer vazhdojnë të mbahen të mbylluara. Me gozhda. Nga mbrenda.

Jo nga jashtë. Për më tepër, përderisa ish-ministrja e integrimeve evropiane të Kosovës në prononcimet e saj hezitonte të përmendte data konkrete se kur pritet të bëhet liberalizimi i vizave, pasardhësi i saj, ai i tanishmi, në këtë post fare nuk e ka problem që të ofrojë data dhe muaj konkret se kur kjo do të ndodhë. Një herë u lidh ngusht për publikimin e raportit të progresit dhe fundin e vitit 2015, pastaj për muajin shkurt 2016 dhe pritjet e ‘‘arsyeshme’’ për rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian.

Deklaratat e fundit të tij nënvizojnë se kjo ‘‘ditë historike’’ do të (për)jetohet pas qershorit të këtij viti. Mbase në këtë pikë dhe mund t’i japim të drejtë. Kjo pasi ai kësaj radhe nuk zbuloi vitin se kur Evropa do këndellet dhe shpërblejë kosovarët me ‘‘hapje’’ portash. Kjo mbase dhe do të ndodhë. Më optimistët besojnë se diku rreth vitit 2020. Disa javë para apo prapa nuk do të këtë shumë rëndësi. Qofshin të gabuar në këtë parashikim. Ata. Jo Kosova.

Në të njëtën prizëm, të kërkosh që shkosh në Evropë në kohën kur numri më i madh i refugjatëve nga Evropa janë mu kosovarët, është një paradoks i llojit të veçantë. Tani e pak më shumë se një vit në skenë dolën ata, të cilët, pasi që ju mohua dalja nga dera, gjetën një derëdalje tjetër-atë nga dritarja, dhe i hynë Evropës ‘‘mu në mes’’.

Dhe atë jo pak por shumë. Me dhjetëra mijëra. Duke ikur. Me vrap. Me turr. Të dëshpëruar, lodhur e dërmuar nga jeta në ‘‘parajsën’’ e premtuar nga politikanët lokalë që po i mbajnë peng që nga 1999-ta. Dhe të gjitha gjasat janë se do vazhdojnë ta bëjnë të njëjtën gjë. Deri në të sosur. Të tyre. Jo të politikanëve.

Fëmijë i padëshiruar

Më shumë se sa të tjerët, LDK si parti institucionaliste e shtetformuese dhe PDK e AAK si përfaqësues të ‘‘denjë’’ të krahut ‘‘më luftarak’’ të luftës, janë munduar të tregohen pragmatikë, racionalë, zemërgjerë e dorëlëshuar në raport me shtetësinë e saj, ende jo plotësisht të përmbyllur, Pakuptueshmëria e të kuptuarit të realitetit të krijuar në kohët e fundit është e dhëna se duket se për Kosovën sot janë të gatshëm të luftojnë ‘‘gjer në frymën e fundit‘‘ vetëm dy ekstreme të kundërta që nuk durohen mes vete, dhe atë për interesa totalisht të ndryshme: VV dhe Lista Srpska.

E para as që e ka dashur sinqerisht këtë shtet ndonjëherë, së paku jo në formën si është bërë dhe si është sot, ndërsa e dyta nuk e pranon që ky shtet të ketë lindur ndonjëherë. Për të parët nuk është i pranueshëm fryti. Për të dytët ajo vazhdon të jetë beronjë. As njëra as tjera nuk dëshirojnë që shteti i Kosovës të mbesë aty ku është: në Kosovë. VV do donte ta shihte në Shqipëri. Lista në Serbi.

Çfarë kontrasti: të të duan dhe më së shumti ata që nuk ju gëzuan kurrë lindjes sate.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat