Injoranca, begati e pashtershme e politikanëve

Opinione

Injoranca, begati e pashtershme e politikanëve

Nga: Ejup Ajdini Më: 30 nëntor 2015 Në ora: 07:23

Nëse mbështetemi në mendimin e Benjamin Franklinit se“Demokracia dhe plus injoranca e popullit, është rruga më e shkurtër drejtë despotizmit nëpërmjet demagogjisë”, atëherë s’do mend se rehatia dhe mirëqenia e politikanëve sigurohet nga injoranca e disa turmave votuese. Ndër ne, kjo gjendje nuk është e sotme, por, kjo zgjat më shumë se dy dekada e gjysmë. Kjo gjendje zgjat kaq shumë, pasi një pjesë e elektoratit gjendet në injorancë të thellë, një pjesë nuk voton fare dhe një pjesë gjendet në mërgime të largëta. Edhe nga ata që votojnë dhe janë aktiv në jetën politike, nëse krijohet një subjekt politik opozitar, apo një fraksion më largpamës brenda partisë, pushtetarët e asaj apo kësaj partie kanë plot mekanizma që t’i asgjësojnë ato nga jeta politike. Për këtë, mekanizmi më “famëkeq” është pjesa injorante e elektoratit, i cili ka lëpirë një kockë që ia ka hedhur pushteti dhe ai duke e mbrojtur kocin e vet, se po e lëpijnë edhe të tjerët, është në gjendje që të kafshojë çdokënd që i del përpara politikës së padronit të vet.

Në rrethanat tona, pjesa më madhe e politikanëve tanë janë të ,,pafajshëm”, pasi rrjedhin nga rrethi shoqërorë injorant, vetë janë injorantë, i marrin votat nga injorantët, veprojnë brenda një shoqërie injorantësh, zbaviten duke u treguar ,,përralla” injorantëve për ,,sukseset” e tyre mediokre, me të vetmin qëllim që t’i mbajnë nën sundim shtresat përparimtare dhe veçmas idealistët, të cilët edhe shpesh përfundojnë tragjikisht, herë-herë pa nam e nishan. Kjo nuk ndodh vetëm te ne, por edhe në shumë shtete të tjera, përveç disa shteteve më të përparuara të botës, ku në të kaluarën historike edhe te ata ka qenë në gjendje të njëjtë, që nga koha e Inkuizicionit e deri vonë.

Siç shohim, faji është te elektorati!... Shtrohet pyetja se, si ka mundësi që për njëzetepesë vjet ,,demokraci” elektorati nuk është në gjendje t’i kuptojë hallet dhe vuajtjet e veta, nga i vijnë ato dhe të kërkojë udhë të re për largimin e këtij fati të keq, këtij ngërçi politik që i ofrohet nga pulitka injorante njëzetepesëvjeçare?!.... Tanimë, pasi populli e ka humbur besimin në udhëheqjen e vet, ka kaluar në iluzione të rrejshme se gjoja problemet do na i zgjidh Evropa, Amerika, Gjermania,Turqia etj., pa qenë të vetëdijshëm se pa e ndryshuar gjendjen tënde, askush nuk ta ndryshon atë.
Edhe sot e kësaj dite nuk jemi në gjendje ta ndihmojmë dhe ta shpëtojmë vetveten, edhe pse politikat tona kundërmojnë erë të keqe nga të vjellat e politikanëve! Këtë e dinë edhe vetë politikanët tanë në Maqedoni edhe më gjerë, por ata e kanë gjetur ,,ilaçin dezinfektues” kundër aromës kundërmuese të politikës së tyre edhe atë me një fjali të vetme: ,,S’ka më të mirë! Të mirë, të këqij, populli na voton!” Kësisoj, mendojnë ata, dhe ,,ashtu është”, pasi ky ,,ilaç” u bën mirë turmave votuese injorante dhe përkrahësve të politikës së fëlliqur.

Dikur, në fillimet e para të ,,demokracisë” në Maqedoni, nga kuzhinat e ish sistemit doli parulla: “Sërish duhet t’i votojmë pushtetmbajtësit komunistë, pasi ata ua dinë sherrin shkijeve, se duke u mësuar këta të vuajturit e popullit, shkijet do na mundin. Pastaj duhet të jenë të pashëm e të ngrënë mirë që t’i bëjnë ballë shkavit”. Hajde milet, hajde!... Edhe këtë parullë elektorati e gëlltiti, votoi kundër vetvetes, i votoi njerëzit që dikur ishin në pozita shtetërore dhe ndonjërin e çuan nga komiteti si deputet. Hajde elektorat hajde! Sistemi ndërroi, por përfaqësuesit e popullit ishin të njëjtët. Aty-këtu partia shtynte në listën zgjedhore edhe ndonjë personalitet të familjeve idealiste, sa për t’u ,,parë” ndryshimet politike, për të cilën gjë ishin të sigurt se idealisti do të mbetet i vetmuar në mesin e pushtetarëve klasikë. Kjo ishte mbrojtja më injorante e vetvetes dhe kësisoj, asnjëherë nuk u krijua një mentalitet i ri kundër mashtrimit politik në mesin e elektoratit tonë. Asnjëherë nuk arriti një vetëdija e të menduarit kolektiv për lirinë dhe të drejtat e tyre qytetare e demokratike.

Që atëherë e sot kanë kaluar njëzetepesë vjet ,,demokraci” dhe sërish na përcjell i njëjti fat dhe sillemi me të njëjtin mentalitet. Sërish krijohen parulla të ngjashme, parulla të një mentaliteti të kaluar, që gjithmonë patën për qëllim hipnotizimin e elektoratit injorant, përmes të cilëve, politikanët e rrejshëm (rezilët e kohës moderne), jo vetëm që vinin në pushtet me kollaj, por, përmes tyre edhe u shtypën njerëzit e një politike idealiste, duke krijuar klimën e fajit të pafaj. Përmes këtyre parullave dhe njerëzve me mendje të mashtruar edhe sot e kësaj dite vazhdon mashtrimi i keq dhe primitiv i elektoratit, vetëm e vetëm që të ruhet e paprekur epoka e rezilëve, që, sipas Benjamin Franklinit, “dinakëritë dhe tradhtitë janë praktika të budallenjve, që nuk kanë mjaft tru për të qenë të ndershëm”.

Kjo politikë njëzetepesëvjeçare ndër ne nuk është asgjë tjetër, veçse primitivizmi mbrojtës ndaj të keqes dhe një tendencë hipotetike për të krijuar një mentalitet të ri të të mashtruarish në mjedisin e shoqërisë sonë. Njëherit, përmes këtyre parullave me mentalitet që i takojnë të kaluarës, në politikën e kohës sonë politikanët hipokritë kanë edhe një qëllim tjetër, veçmas që t’i hipnotizojnë shpirtrat e thyer dhe t’i luftojnë mendimet idealiste dhe të rebeluarit brenda partisë, apo brenda shoqërisë në tërësi.

Kjo propagandë banale, apo arsyetimet e tilla i bën përmes njerëzve të porositur, se gjoja ky veprim politik, kjo marrëveshje, ky konsensus, ky lëshim, apo ai tjetri veprim, bëhen për strategji më madhore, të cilat i di partia, nuk mundet çdokujt t’i tregohet çdo gjë etj. Këto primitivizma politikë nuk janë asgjë tjetër veçse shpëlarje e trurit të popullatës për tradhtinë e radhës, pasi kësisoj ruhet vazhdimësia e politikanëve matrapazë dhe skajshmërisht të rrejshëm.

Populli është i mirë dhe pikërisht për këtë edhe vuan me dekada, të cilën e dëshmon edhe thënia e Napolonit: “Bota vuan shumë, jo për shkak të dhunës së njerëzve të këqij, por për shkak të njerëzve të mirë”. Kjo ndodh pasi që gjatë fushatës elektorale partitë politike premtojnë gjithçka, pastaj premtimet i bëjnë me strategji të veçantë, duke u thirrur në patriotizëm, në Zot, në vende pune, në ndërtimin e udhëve etj., dhe këtë, njerëzit e mirë e të paditur e besojnë lehtë dhe kështu i gëlltitin rrenat e matrapazëve. Ata u besojnë, pasi vetë ata nuk dinë të rrejnë dhe kësisoj i besojnë rrenës. I besojnë, pasi janë besimtarë të paditur, pa fajin e tyre. Ata nuk e dinë se patriotizmi verbal ka kaluar një shekull më parë, kurse sot bota e civilizuar kërkon patriotizmin praktik, si në ekonomi, arsim, shëndetësi, teknologji moderne, në ekologji etj. Bile-bile, në Evropën e civilizuar, nëse një politikan gjatë zgjedhjeve nuk bën elaborat për ekologjinë e vendit ku jetojnë ato zgjedhës, ai politikan nuk fiton kokërr vote. Pra, kjo mirësi e popullit, apo mosdija e tij e thelluar e bënë popullin armik të vetvetes dhe këtë armiqësi e realizon përmes zgjedhësve të vet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat