Mungesa e bekimit të flamurit kombëtar në çdo 28 Nëntor nga Kryepeshkop Anastasi

Opinione

Mungesa e bekimit të flamurit kombëtar në çdo 28 Nëntor nga Kryepeshkop Anastasi

Nga: Arben LLALLA Më: 28 nëntor 2015 Në ora: 07:21

Në këtë përvjetor të 103 të shpalljes së pavarësisë, nuk mund të mos bëjmë një vështrim dhe të shohim sesa të pavarur realisht janë institucionet e shtetërore dhe shpirtërore që kanë ngritur për mbi një shekull.

Sa të pavarur e kemi drejtësinë, policinë, ushtrinë dhe administratën shtetërore dhe se sa jemi ne të vetëdijshëm e vigjilentë për rrezikun e penetrimit të individëve, aktivistë, mercenarë të interesave antikombëtare në to. Sa të pavarura i kemi xhamitë dhe kishat, që siç po e shohim po bëhen çerdhe të influencave të rrezikshme të huaja për traditën tonë e qendra indoktrinimi të rrezikshme. Po kur të gjithë e kanë vëmendjen tek xhamitë rebele, por le të shikojmë dhe Kishën Ortodokse Autoqefale për të parë lidhjen e saj me këto festa, pra kontributin e saj në çështjen kombëtare.

Këto ditë, intelektualë ortodoksë shqiptarë më kontaktuan për të uruar festat kombëtare dhe në konfidencën e komunikimit tonë i pyeta nëse vazhdon tradita ortodokse e Dhoksologjisë së Flamurit, shërbesë e përkthyer nga Noli i madh. Me keqardhje m’u përgjigjën që kjo bëhet vetëm në Korçë, por dhe aty, peshkopi e jep bekimin me ndrojtje nga presioni që ndjen nga eprori i tij në Tiranë. Por me shaka, më thanë, se të paktën këtë vit, për herë të parë ua uroi festat Kryepeshkopi grek Janullatos, po si gjithmonë në gjuhën greke, jo se nuk mund t’i mësonte dot dy fjalë shqip, por se kështu do t’i dilte më perfekte ironia dhe ofeza për intelektualët shqiptarë, t’ua uronte në greqisht, që t’u kujtonte se janë akoma larg, apo e kanë të pamundur patjen e një Primati dhe kisheje ortodokse shqiptare.

Sigurisht këtë e bëri pas gati një muaji më parë, kur më 28 tetor, vetë ai dhe anëtarët grekë të Sinodit të KOASH, u shpërndanë nëpër varrezat e ushtarëve grekë, të ndërtuara në prona të tjetërsuara kishtare, për të psallur po greqisht, përkujtimoret për heronjtë e rënë në 1940 në trojet e “vorioepirit”, siç pretendohet në fjalët përkujtimore që mbahen me këtë rast.

Ku është fuqia intelektuale dhe politike për të ushtruar presion kryepeshkopit Anastasios që të thotë në shqip urimin dhe t’a bekojë në kishë flamurin tonë kombëtar sipas traditës? Sa e pavarur është Lidhja e Intelektualëve Ortodoksë, që në dukje shihet si e pavarur, por është e kapur nga njerëz besnikë të Janullatosit? Gjysma e të cilëve, janë të punësuar nëpër institucionet e hapura prej tij dhe trajtohen me paga të majme, dhe gjysma tjetër janë të katapultuar në administratën publike dhe gëzojnë pozicione të larta. Ata që mendojnë për shqiptari, nuk kanë shanse të jenë as të punësuar në kishë, por as të emëruar në poste publike, sepse politika e Janullatosit nuk i pëlqen, janë të papërshtaçëm, ata thjesht bëjmë një qëndresë të heshtur nëpër kafene.

Kështu, edhe sivjet në festën e Pavarësisë së Shqipërisë flamuri ynë kombëtar nuk do të bekohet nga kryepeshkop Anastasi ashtu siç e do tradita. Intelektualët ortodoksë shqiptar pranë tij shtiren sikur e duam atë, por edhe ai shtiret sikur i do ata, nxitja e dashurisë dhe e respektit të dyanshëm midis tyre është paraja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat