Opinione

Nga: Shkruan: Nehat Hyseni Më: 21 nëntor 2015 Në ora: 11:52

Serbia e Aleksandar Vuçiqit, edhe 16 vjet pas çlirimit dhe pothuajse tetë vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në raport me shqiptarët dhe Kosovën, mbetet e njejtë me atë të Millosheviqit.

Këtë e vërteton katërcipërisht edhe reagimi (i paradokohshëm) primitiv i kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndaj kërkesave të shqiptarve të Luginës së Preshevës për zhbllokimin e reth 105000 (Njëqind e pesë mijë) librave të dërguara nga Qeveria e Kosovës, dedikuar reth 6000 nxënësve të shkollave fillore të Kosovës Lindore, se ato qenkan të bllokuara në Terminalin doganor të Preshevës për shkak se aty na qenka paraqitur, sipas Vuçiqit, "Adem Jashari si hero"!
Prandaj, këto libra na qenkan "burgosur" qe dy muaj dhe nuk mund të arrijnë në destinacion, dmth nuk mund të arrijnë në duartë e nxënësve filloristë dhe mësuesve të tyre.

Ndërkaq, librat e Serbisë për nxënësit serbë në Kosovë, në të cilat thuhet se "Kosova është Serbi" dhe figurojnë përmbajtje të urrejtjes antishqiptare e antikosovare deri në çmendi, qarkullojnë lirshëm në kufi, pa formiar Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Arsimit kurrëfarë komisioni për vlerësimin e përshtatshmërisë edukativo-arsimore e ideologjike për t'u përdorur brenda territorit të Republikës së Kosovës, nga nxënësit dhe mësimdhënësit serbë.

Madje, ministri i arsimit të Kosovës, z. Arsim Bajrami pati deklaruar me krenari e mburrje se, më në fund, ishte "vendosur parimi i reciprocitetit midis nxënësve shqiptarë të Luginës së Preshevës apo Kosovës Lindore me nxënësit serbë në Kosovë".
Por, natyrisht, ndodhi e kundërta. Librat për nxënësit serbë të Kosovës, kjo ministri as që mori mundimin t'i kontrolloj dhe të jep vlerësimin se me ato libra çfarë përmbajtjesh shoviniste, helmuese, antishqiptare e raciste kanë ato, që janë të stërmbushura me dezinformata kuazishkencore dhe me gënjeshtra të tërbuara, fund e krye antishqiptare e antishtetërore, në të cilat Pavarësia dhe Sovraniteti i Republikës së Kosovës, as që përfillet dhe nuk përmendet fare, por Kosovën e trajton si pjesë të Serbisë.

Madje, në ato tekste shkollore nuk gjykohet as politika gjenocidale dhe fashiste e Millosheviqit në Kosovë!

Dhe ato libra vazhdojnë t'i helmojnë kokat e njoma të nxënësve serbë dhe të mësuesve të tyre, pa kurrëfarë pengesash brenda territorit të Republikës së Kosovës, tani, 16 vjet pas "largimit" të Serbisë nga Kosova dhe tetë vjet pas shpalljes së Kosovës shtet i Pavarur dhe Sovran!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat