S.O.S Kosova

Opinione

S.O.S Kosova

Nga: Shkruan: Anton Marku Më: 13 tetor 2015 Në ora: 23:11

Vjenë: 13 tetor 2015, Jeta parlamentare në Kosovë është paralizuar por (ende) jo dhe rrezikuar. Opozita aktuale arriti që, mbase padashje, të krijojë edhe një front tjetër sub-opozitar. Kësaj radhe në mesin e atyre që më së paku do duhej t’i mbante larg: intelektualët e pavarur dhe mediat. Shumë prej tyre pajtohen me faktin se më e mirë është e keqja që tashmë e njohim se sa ajo që nuk e njohim.

Në një shoqëri të dalë nga lufta, e cila ende është më shumë e orientuar nga konflikti se sa nga kompromisi, është e mundur që të tentohet që demokracia të mbrohet edhe me mjete jo dhe aq demokratike. Po të ndodhë kjo rezultati do të prodhonte efekte kundërdemokratike.

Jetojmë në kohën kur shoqëritë politike po integrohen në kuptim të një tregu të hapur liberal, në të cilin votuesit krahasohen me konsumatorët, të cilëve ju bëhet një ofertë, ndërsa ata paguajnë me votën e tyre, e cila në këtë rast paraqet bankënotën për çmimin.

Që demokracia të funksionojë në një shtet nevojitet një minimum mirëbesimi dhe kulture debatuese mes politikanëve, sidomos përfaqësuesve të popullit, partive, qoftë në pozitë apo opozitë, votuesve dhe shoqërise civile.

Kosova e parë nga jashtë
Ka shumë për të kritikuar, jo vetëm këtë qeveri aktuale, por dhe të gjitha të tjerat paraprake. Fajet më të mëdha të saj gjenden jo në të këqijat që janë bërë, por në të mirat që nuk janë bërë, e kanë mundur të bëhen.

Kritika si metodë është element shtytës drejt reflektimit lidhur me një tematikë të caktuar, teori kjo tashmë e pranuar si e tillë. Pra, secili ka të drejtë të kritikojë dhe të jetë i kritikuar. Por, kritika nuk duhet të kalojë në thirrje për betejë për jetë a vdekje dhe as në dyluftim mes përkrahësve të njërës apo tjetrës ideologji apo orientim programor.

Skena politike e Kosovës karakterizohet me një koalicion qeveritar, i cili, i filluar si një bashkëjetesë e imponuar, rezultoi me një martesë ‘‘nga zori’’, ndërsa çdo ditë e më tepër po i ngjan një raporti mes dy ‘‘specive’’ të gjinisë së njëjtë, kjo për të qenë ‘‘politikisht korrekt’’.

Sidoqoftë, duhet pranuar se momentalisht kryeministri Mustafa po detyrohet të paguajë borxhet në të cilat ai nuk kishte hyrë ndonjëherë. Në ecje e sipër, ai po përpiqet të luajë rolin e kapitenit të qetë, që lundron mbi detin e trazuar dhe atë në kohëra të stuhishme. Por, jo gjithmonë po ja arrin të dëshmohet i tillë.

Në anën tjetër, afërsia e tre partive opozitare krahasohet me marrëdhënie intime ‘‘në të zezë’’: -sapo të gjendet dashnori i ri që ua mbyllë syrin ndërrohet partneri. Ajo herë ‘‘udhëhiqet’’ e herë ‘‘drejtohet’’ nga tri (apo katër) liderë që nuk e durojnë hijen e njëri-tjetrit. Në këtë kontekst, nuk thuhet kot se elementet e ngjajshme nuk janë dhe të njëjta.

Opozita e opozitës
Një numër i konsiderueshëm i popullit parapëlqen që të qëndrojë larg nga politika. Një pjesë edhe të mos votojë fare (bojkotues të zgjedhjeve). Në anën tjetër sot intelektualët nuk janë të gatshëm, si dikur, që të identifikohen me politikën apo partitë politike.

Është përceptim i përgjithshëm se opozitës kosovare po i mungon aftësia e plasimit të informatës tek publiku.Ajo nuk po arrin sa duhet të transmetojë idetë, faktet dhe argumentet e saj tek qytetari i zakonshëm. Mesazhi i saj mbase dhe po dëgjohet, por ai nuk po kuptohet. Apo jo mjaftueshëm. Dhe asesi bindshëm. Ajo arriti vet, me shumë se sa kundështarët e saj politikë, të zbehë simpatinë dhe përkrahjen që gëzonte tek shtresat e caktuara të popullit dhe një pjese të mediave. E ato konsiderohen ‘‘syri i tretë’’ dhe ‘‘pushteti i katërt’’ në një vend, kjo dhe per faktin se disponojnë me informata të ‘‘dorës së parë’’ dhe kanë fuqinë që të ndikojnë në opinionin publik, jo rrallë më shumë se sa vet partitë politike, që luftojnë për të ardhur në pushtet.

Evolucioni versus revolucionit
Parimi i evulucionit konstaton se i forti fiton. Ai pasqyron një zhvillim të vazhdueshëm, përgjatë të cilit mbijetojnë vetëm ata që janë të gatshëm për tu përshtatur me rrethanat e reja, të krijuara ndërkohë. Revolucioni është akt i shpejtë përmes të cilit vjen deri tek përmbysja e pushteteve me anë të përdorimit të dhunës duke përdorur si mjet inercionin e masave të paknaqura të popullit. Kjo mbase do të duhej të ndodhte dje, jo nesër.
Kosovës tani nuk i nevojitet patriotizmi militant i njëanshëm. As dramatizimi i ngjarjeve dhe presupozimi i katastrofave që do të ndodhin në të ardhmen e panjohur. Ajo duhet të prodhojë politikanë që do të jenë resistentë ndaj frustrimeve dhe të gatshëm të kalojnë nga modusi i problemit në atë të zgjidhjes. Përndyshe, përnjëmend, nëse populli do të detyrohet të zgjedhë mes autokracisë dhe anarkisë, ai lehtë se do të zgjedhë të parën.

Alternativat
Disa nga sugjerimet e bëra ditëve të fundit si opcione për zvoglimin e tensioneve aktuale bazohen në mundësitë e organizimit të tryezave të partive politike, involvimin e Presidentes në zgjidhjen e krizës, zgjerimin e koalicionit aktual, krijimin e qeverisë teknike (gjithpërfshirëse-kalimtare) me ‘‘këshillimin’’ dhe ‘‘bekimin’’ e ndërkombëtarëve, organizimin e zgjedhjeve të reja, etj. Të kundërtat e kësaj do të ishin protestat (dhe anti-protestat), dhuna, djegjet dhe shkatërrimi i pronës, rrezikimi i jetës së qytetarëve deri tek konfrontimi i hapur që do të mund të sillte ‘‘intifadën’’ kosovare me pasoja të paparashikueshme. Versioni ‘‘light’’, i mesëm i ‘‘ftohjes së gjakrava’’ mund të jetë në bojkotimin ‘‘e kulturuar’’ disamujor i parlamentit nga opozita (apo pozita, Sic!), praktikë kjo e njohur në rajon, sidomos në Shqipëri, dalja e njëanshme e njërës nga dy partitë e mëdha nga koalicioni qeveritar, mbajtja e referendumit për marrëveshjet ndërkombëtare, zhvlerësimi i pjesërishëm i tyre nga gjykata kushtetuese, ngirja e dialogut me Serbinë për një kohë të caktuar, e të ngjajshme.

Sido që të jetë lojaliteti qytetar do duhej t’i përkasë vetëm shtetit, kushtetuës dhe ligjeve të tij e jo partive politike, liderëve apo personave të caktuar.

Në përgjithësi, nuk do ishte premtuese që fundi të duket më i afërt se fillimi. Sidoqoftë, me pak përjashtime, as pozita e as opozita nuk e kanë kaluar (ende) kufirin e toleruar dhe kapërcyer rubikonin e sjelljeve demokratike. Po ndodhi kjo atëherë dikush, diku, do duhej të ndizte sinjalin S.O.S. Kjo do të thoshte se, edhe kësaj radhe, shpëtimi (apo fundosja!) do të vij nga jashtë, jo nga brenda. Si dhe shumë herë në historinë tonë më të re. Për fatin tonë të keq! Apo të mirë! Kush e di!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat