Me Rektorin!

Opinione

Me Rektorin!

Nga: Afërdita Morina-Biffar Më: 7 tetor 2015 Në ora: 16:34

Ja një arsye e fortë për të ngritur zërin e protestës qytetarët e Kosovës. Ja një plagë e hapur që tash e 15 vite në Kosovë, vazhdon të kulloj gjak e qelb. Dhe, kur u gjet një “mjek” që po merret seriozisht me plagën, madje në përpjekje mbinjerëzore për ta shëruar atë, hienat që plagosen për vdekje tempullin e dijes dhe shkencës, egërsohen, aktivizohen dhe hidhen në aksion kundër tij, kundër Rektorit.

E ku jemi ne si shoqëri ? A na ka zënë gjumi dimëror apo kemi pësuar goditje tmerrësisht të rënda, për të na hedhur të gjithëve në gjendje letargjie, të pashpresë për tu zgjuar e këndellur sërish. Pse nuk ngritemi të gjithë, si dikur kur protestonim në mbrojtje të identitetit e të qenies tonë. A nuk është Universiteti tempulli, i cili, të gjithë ne do të donim që fëmijët të na i ushqeje e kalitë me dije e shkencë.

A duhet të protestojmë vetëm kur na sulmojnë nga jashtë e kur mendojmë se jemi para rrezikut fizik. Jo, të dashur qytetarë, duhet të protestojmë edhe për ta mbrojtur Rektorin, Universitetin, dijen..sepse ka dy lloje të rrezikut për një popull. Ai fizik, që ne e mbijetuam dhe zhbërja e heshtur nga harta e trendeve të avancimit në dije, shkencë e teknologji, pa të cilat një shoqëri shndërrohet në kufomë të gjallë.

Kësaj të dytës kam frikë që nuk do të mundemi t’i mbijetojmë kur shoh, se sa gjakftohtë sillemi përballë sulmeve të atyre që punuan e po punojnë sistematikisht për ta shkatërruar tempullin e dijes, sulmeve ndaj një njeriu të mirë, një profesori të dëshmuar dhe një rektori që tenton të vë rend dhe ngritë nivelin e standardet ne Universitet. Jo me kot, Platoni tek vepra “Republika”porosit se "Asnjë skemë e jetës shoqërore nuk është më e rëndësishme se arsimimi dhe edukimi I brezave", sepse procesi i edukimit të brezave është procesi dhe faktori më vendimtar, për vendin dhe kombin, në konsolidimin e vlerave të një shoqërie moderne e të përparuar.

Në Kosove, dëgjohen çdo ditë ankesa për degradimin e arsimit, në të gjitha nivelet, por me theks te veçantë në atë universitar. Pothuajse të gjithë ankohen, se studentët kanë nivel të ulët formimi dhe nuk dalin aspak të përgaditur pas studimeve, prindërit ankohen se po investojnë për arsimimin e fëmijëve të tyre, por nuk jane të të sigurt aspak se kjo gjë, do t’u vlejë në të ardhmen. Ankohet e tërë shoqëria, se po rritet një brez pa dije dhe kas dyshime të bazuara së pas ndërrimit të gjeneratave, Kosova do të jetë e mbushur plotë me gjysmë analfabetë qe prodhuan klanet mafioze dhe kasta e profesorëve mediokër…Vazhdojmë e ankohemi të gjithe dhe të gjitha ankesat i vlerësojmë të drejta por fatkeqësisht, askush nuk levizë nga vendi për ta bërë asnjë hap për ta përmirësuar gjendjen.

Presim që të ndodhë mrekullia, që një njeri i vetëm, Rektori me një grusht të vogël mbështetësish të na e bëj Universitetin lule e dritë, por mundësisht, mos të na e kërkoj mbështetjen, e as mos ta pres këtë sepse ne jemi strukur si struci dhe po e shikojmë vjedhurazi tragjikomedinë që klane mafioze, grupe kriminale dhe haraçmbledhës, po e zhvillojnë tash e 15 vjet, dhe atë jo vetëm në Universitet.

Se çfarë masakre i është shkaktuar dijes, arsimimit dhe shkencës nga këta që duan që “kungulli tu shkoj edhe me tutje mbi uje”, e di kushdo që ka pasur mundësinë ta prek këtë realitet universitar, një armatë e tërë njerëzish që kanë kaluar nëpër ato dyer këto 15 vjet janë dëshmitar të kësaj gjendjeje të mjerë e të pafalshme. Pse heshtin sot ? Pse nuk therrasin me sa zë që kanë : “Po, ne jemi dëshmitarë të asaj tragjedie dhe ne jemi ata që fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve tanë nuk duam ta përjetojnë fatin tonë!”.

Pse nuk bëhemi bashk kundër atyre që me tituj shkencor të shpikur e të trilluar po na e instalojnë regjimin e territ, injorancës dhe analfabetizmit të vulosur në diplomat që i lëshojnë si të ishin bileta të prera nga konduktorë të autobusit.

Edhe cka duhet të ndodhë që ne si popull të zgjohemi. Në çfarë amullie të rënd kemi rënë, që s’po arrijmë të zgjohemi dhe t’ju themi fuqishëm BOLL MA.

Pse jemi kaq indiferent ndaj të mirës së përgjithshme dhe nuk merremi as me të ardhmen e fëmijëve tanë, që pa i pyetur fare i sollëm në këtë bote! Prandaj, a nuk do të duhej të ndjehemi përgjegjës për të ardhmen e tyre? Ky popull që pranoj varfërinë deri në rjepje nga po këto klane, tash ngadalë duket se do ta pranojë edhe varfërin në tru.

Nëse vuanim për një shembull të mirë pas të cilit do të shkonim, ja ku e kemi tash Rektorin qe u shfaq si feniksi por të cilin nëse nuk e rrethojmë me trupat tanë për ta mbrojtur nga hienat, do ta lëmë të shuhet ende pa i ndriquar skutat më të errëta që vuanin për një fije drite, për ta mbrojtur nga ajo kastë e fëlliqur që vec varfërisë që na e sollën, po tentojnë të na e shuajnë edhe shpresën, se dikur një fije drite mund të na ndriqoj ne, fëmijët tanë, fëmijët e fëmijëve tanë dhe të ardhmen e këtij vendi.

Të ngritemi edhe ne që e duam Univeristetin, dijen, sa herë ndizen e provokohen reaksione negative ndaj Rektorit, protesta e reagime që vijnë të orkestruara nga kuzhina e atyre pedagogëve e mesimdhënësve universitar të cilëve degradimi në Universitet gjatë ketyre 15 viteve, u ka shkuar për shtati dhe, për pasojë, u intereson ta mbajnë edhe me tutje gjendjen në “status quo”.

Duhet të ju tregohet ku e kanë vendin faqezinjtë të cilët janë emëruar e graduar në mënyrën më klienteliste të mundshme dhe tani duan me çdo kusht të ruajnë “establishmentin” dhe ta sigurojnë vazhdimësinë, se në të kundërtën rruga e tyre, në afate më të gjata kohore do te jetë rruga për ti dërguar prapa grilave, si ndëshkim për krimin ndaj të ardhmes së shoqërisë tonë.

Sigurisht, që do t’i manipulojnë studentët e ti nxjerrin në rrugë kundër Rektorit, sepse reformat dhe ndryshimet e filluara nga ai,nuk u shkojnë për shtati kësaj kaste matrapazësh, pedagogësh, shefash departamentesh e dekanësh, të cilët kurrë nuk kane bërë një punë shkencore e as një botim të mirëfillt origjinal.

Si mund të presim e shpresojmë se nuk do të provohet varrosja e Rektorit nga ata që titujt, avancimet e emërimet i kanë marrë nëpërmjet qeverive të këtyre 15 viteve, në zarfe me emra të të rekomanduarve nga bosat e politikës.

Si të mos çarten e hallakaten këta njerëz kur tash e sa vite marrin para e paga të majme nga parat e popullit të varfër pa nxjerrë gjë në dritë veç territ e analfabetizimit.

Reformat e nisura nga Rektori, do të nxirrnin të tillët jashtë loje dhe do të krijoheshin mundësi, që të vinin në Universitet, njerëz të aftë, bile edhe të diplomuar jashtë Kosove, të cilët për shkak të mungesës së “miqve me pushtet”, rrinë rrugëve dhe bëjnë ndonjë punë sa për të mbijetuar.

Prandaj, hajde ta ngritemi edhe ne me zërin tonë, në mbrojtje të Universitetit, të protestojmë kundër atyre që po frikësohen se po u shembet piramida e krimit, që kanë ngritur në tempullin e dijes.

Ta ngremë zërin në mbrojtje të Universitetit, të gjithë bashkë, të vihemi krah rektorit ta mbështesim fuqishëm me zemër e me mendje, e po pati nevojë edhe me trupat tanë, sepse siq thoshte Sami Frasheri; “Arsimi dhe qytetërimi i ngjajnë diellit që kur lind ndriçon vetëm majat e maleve të larta me një dritë të zbehtë por, pa shkuar gjatë, i forcohet drita dhe nga shkëlqimi i tij përfitojnë përrenjtë më të thellë dhe fushat e luginat!”

Mos të lëmë kesaj radhe ta ndalin atë dritë e shkëlqim, qe po na duhet aq shumë si shoqëri e si vend, që terri i injorancës e ka pllakosur e kapluar si mos më keq.

Popull im, ta mbështesim Rektorin, për hirë të fëmijëve tanë dhe për hirë të së ardhmes së tyre, për hirë të së ardhmes së këtij vendi që pret t’i dalim zot.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat