Kosova nuk është kjo për çka luftuan etërit tanë!

Opinione

Kosova nuk është kjo për çka luftuan etërit tanë!

Nga: Shkruan: Bahri M. Gashi Më: 6 tetor 2015 Në ora: 17:43

Është e vërtetë e pamohueshme se kjo Kosovë e cunguar, që çdo ditë e më shumë po zhytet në degradim dhe ky trend i mosfunksionimit të çdo gjëje normale, është në shpërputhje të plotë me nevojën dhe meritën martire që kanë qytetarët, duke mos e dërguar në vend amanetin e etërve tanë që u flijuan për lirinë e vërtetë.

Kosovën sot e dallon vetëm nocioni liri, kundrejt robërisë, ndonëse çdo gjë tjetër ka degraduar skajshëm për të keq dhe përkufizohet me mjerimin e Migjenit dhe lutjet e Vaso Pashës, duke filluar nga klanizimi, nepotizmi, mashtrimi, pasurimi, vjedhjet, krimet dhe vrasjet, mos sundimi i ligjit dhe dështimi i sistemit gjyqësor dhe prokurorial, korrupsioni, e deri te skandali i seksit dhe zhvatjeve tani më të zakonshme qeveritare.

Në kohën kur Kosova duhej të lulëzonte në arritjet e saja, ajo po shënon rënie drastike në të gjitha nivelet. Nuk ka sektorë brendashtetëror, që pothuajse nuk ka ngecje, dështim dhe abuzim me detyrën zyrtare. Janë të panumërta rastet që kur zyrtarë të niveleve të ndryshme dhe në role të ndryshme që nuk kanë abuzuar dhe kanë tejkaluar autorizimet zyrtare, ligjore e humane.

Kosova me këtë nivel të ultë dhe amoralitet pushtetarësh dhe papërgjegjësi totale duhet të ndëshkohet sa më parë.

Nuk mjafton fakti vetëm të pajtohemi duke shkruar, folur dhe kritikuar në debate e gazeta, por duhet vepruar me gjendje fizike dhe gjuhë të drejtësisë për ti ndëshkuar keqbërësit e të gjitha fushave që po shkatërrojnë të ardhmen e një populli të shumëvuajtur.

Derisa etërit tanë dikur për kombin, shisnin pasurinë e tyre për çështjen kombëtare, sot pasuria kombëtare shitet për pasurinë personale. Kjo është e pafalshme dhe me çdo kusht duhet ndëshkuar nga ata që u betuan për sundim të ligjit dhe të drejtësisë. Ky lloj i pseudopatriotëve që qirren se luftuan dhe çdo gjë ju takon atyre, është tjetërsim i të qenurit shqiptarit i vërtetë.

Po flasin për demokracinë dhe bllokimin e opozitës në Kuvend, por po harrojnë se Kosova është e bllokuar totalisht, ndonëse nga Kuvendi po provohet të zhbllokohet pikërisht Kosova nga mendësitë e mjerimit kolektiv. që sollën vuajtjen për jetën e qindramijërave qytetarëve të pashpresë, që u dëbuan nga Kosova e pa shpresë.

Kosova është në krizë të thellë, njëherit është në kërkim të gjetjes së një burrështetasi të vërtetë, që garanton ruajtjen e “identitetit shtetëror” dhe “dinjitetin socio-ekonomik”

Këto janë dy nevoja fundamentale të funksionimit dhe qëndrueshmërisë së një vendi shetformues, funksional e demokratik’ e që fatkeqësisht i janë tjetërsuar Kosovës. Mbrojtësit të vlerave të dëshmuara të lirisë së vërtetë për ti krijuar dhe zhvilluar këto dy dinjitete shtetërore, duhet dhënë mundësinë dhe besimin gjithëqytetarë, sikurse që ai ishte dikur në ballë të përkushtimit për liribërjen e vërtetë. Sikur dikur që populli ynë kishte nevojë për te dhe ai iu përgjigj, tani prapë populli ka nevojë për te dhe bashkë me popullin ti përgjigjemi thirrjes për ndryshim të drejtimit të gabuar që po kalon Kosova.

Nëse dikur ishte obligim dhe bëhej thirrje për luftë dhe çlirim kudër forcave pushtuese, që po gjakosnin Kosovës, sot është, po e njëjta thirrje e ndërgjegjes së qytetarëve për ta ndryshuar këtë gjendje të krizës së thellë përmes rrugës demokratike dhe mjeteve që i lejon kjo demokraci, e që kanë për qëllim krijimin e vërtetë të dy nevojave që i theksuam më lartë.

Komuniteti ndërkombëtarë nuk duhet të favorizoj ata pushtetarë, që e kanë katandisë deri në këtë shkallë Kosovën dhe po e paralizojnë të ardhmen e saj. Faktori ndërkombëtarë parasëgjithash duhet më shumë të përkrahë drejtësinë e këtij vendi, meqenëse veç po mirren me punët e brendshme (ditore) të Kosovës nevojën për ndryshim dhe doemos ndëshkimin e atyre klaneve mafioze e pushtetare dhe sekserët e tyre që e degraduan interesin nacional të Kosovës.

Sikur të krijohet përshtypja se në Kosovë duhet të ketë gjithnjë vetëm gjendje “kohë morti”, “ankthi dhe pashpresë” edhe pse u bënë një dekadë e gjysmë që kur Kosova është e lirë. Në interes të kujt është kjo situatë zymtësie dhe shkatërrimi dhe cila është rruga e këtij ndryshimi. Kësaj radhe të gjithë duhet të gjykojmë drejt interesin e shtetfunksionimit për të ardhmen tonë. Pa identitet të fortë shtetërorë dhe pa dinjitet të lartë ekonomik ne do të jemi skllav të të tjerëve në Ballkan dhe poshtërues të vetvetes. Për këtë Kosovë nuk luftuan etërit tanë.

(Autori është anëtar i Kryesisë së AAK-së)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat