Arratisja

Opinione

Arratisja

Nga: Nga Edison Ypi Më: 26 shtator 2015 Në ora: 20:56

Të shumtët ëndërronin, disa shpresonin, pak niseshin, edhe më pak ja arrinin, të gjithë donin të arratiseshin.

Prej atyre që niseshin, shumica, pasi përgjakeshin mbi telat me gjëmba ose shqyheshin nga qëni i kufirit, përfundonin në burg. Ata që “çanin ferrën” ishin fare të pakët, numuroheshin me gishtat e dorës.

Kush thotë sot se nuk i ka vajtur kurrë në mendje të arratisej, ka qënë spiun ose pjesë e mekanizmave të pengimit të arratisjes, dhe edhe atij, pikërisht sepse i tillë, e pamundur të mos i ketë vajtur mendja të arratisej, në mos për tjetër, thjesht nga frika që kishte marrë më qafë njerëz.

E vetmja shtrofkull ku për arratisjen flitej hapur, ishte ishulli. Për ishullarët arratisja ishte Kult, ishte veprimi më i lartë që mund të kryhej prej më trimave dhe më vizionarëve, ngjitje në më të lartin pidestal, në Qiell. Nuk ka ndodhur kurrë që ishullarët ta dekonspironin njëritjetrin për arratisjen. Rastet sporadike që dukeshin të tilla, i përhapte sigurimi për ta përdhosur namin e mirë të viktimës dhe të afërmëve të tij dhe për të dekurajuar arratisjen në përgjithësi.

Ishullarët bënin pyetjen; Përderisa “arratisje” do të thoshte ikje nga sytë këmbët prej një vendi ku refuzon të rrish, pse vigjëluesit e arratisjes e përdornin edhe ata këtë term ?

Në kontekst të arratisjes, broçkullat propagandistike ishin më të pabesueshme dhe më qesharakë se në çdo rast tjetër. Tregohej thuajse hapur një shaka për dikend, i cili, duke bërë një autokritikë gjatë një mbledhje kolektivi, kishte thënë; I kërkoj kolektivit të më dënojë me arratisje në botën kapitaliste ku vuajnë për bukën e gojës.

Për të rrallët që shkonin në një vend tjetër për ndonjë punë apo specializim, pra për ata që nuk arratiseshin, nuk thoshin “udhëtoi” apo “vajti” apo ‘iku”, por “doli jashtë shtetit”.

Me “Doli” dhe “Jashtë shtetit”, ishullarët gajaseshin.

Bisedat për arratisjen ishin një dehje, një delir.

Brenda atij deliri bisedat ishullore për arratisjen ishin nga më të bukurat, nga më të shijshmet. Një ishull që nuk fliste për arratisje nuk ishte ishull. Kur një mesnatë po i qartësoja ishullarëve detaje për një silur me propulsion brenda të cilit do arratisesha natën nga Liqeni i Pogradecit, lëndën djegëse të ngurtë apo të lëngët dhe hollësira të tjera, u hodh Ilir Strazimiri e tha fjalët lapidare që të nesërmen bënë xhiron e arqipelagut;

O Edison Ypi, mos u arratis natën. Vetëm ditën për dill që të tmerrohet mileti.

Kush vendoste seriozisht të arratisej, nuk mendonte aspak për pasojat, sado dramatike, sado tragjike, dhe askush nga konfidentët nuk pyeste, nuk kërkonte spjegime. Ta kondicionoje arratisjen me pasojat, ishte egoizëm, meskinitet, dobësi. Arratisja ishte herezia më e madhe që mund të bëhej ndaj asaj lemerie, gjesti më i lartë, më i nderuar, më trimëror, therorizëm, akt i shenjtë, vetflijim, ndeshje me të pamundurën, grisje e hapësirës, ndalje e kohës.

Arratisjet fot rrallë ishin të suksesëshme. Madje edhe kur ishin të suksesëshme, pas ca kohësh, i arratisuri humbte në errësirë, nuk flitej më për të.

Jo rrallë të arratisurit që “çanin ferrën” ishin ca flliqsira të cilët “jashtë shtetit” “i hidhte” sigurimi.

“I hidhte”, edhe kjo i habiste ishullarët. Pse sigurimi nuk “i dërgon” ose “i nis”, por “i hedh” ?

Arratisjet më fatkeqe ishin në Jugosllavi, në Kosovë, prejnga të kthenin.

Më pak fatkeqe, plot plot me peripecira, ishin arratisjet në Greqi.

Arratisjet e suksesëshme, por fort të rralla, ishin në perëndim.

Heraherës pëshpëritej për “të penduar” që vërtet ishin penduar, si dhe të tjerë që i kishin sjellë forcërisht. Të penduarit ishin një ralitet sa i trishtë, i turpshëm dhe i neveritshëm për të cilët flitej me përbuzje.

Rastet më të shpeshta ishin tentativat. “Tentativa për arratisje”, që mund të ishte edhe vetëm një fjalë goje, nuk dënohej kurrë me më pak se 15 vjet burg. Por “tentativën” nuk e linin kurrë pa i shtuar nene të tjera, si të agjitacion e propagandës, për të mos e lënë kurrë me më pak se 20 vjet.

Fshatrat kufitarë, postat e kufirit, telat me gjëmba dhe me korent, qëntë e kufirit, ishin tema nga më të preferuarat për ishullarët. Regjimi kishte ngritur një sistem survejimi aq pervers sa pothuaj të gjithë banorët e fshatrave kufitare ishin informatorë. Ushtarët roja kufiri ishin, si rregull pa përjashtime, vetëm fshatarë. Në fshatrat kufitare veriore silleshin roja nga fshatrat jugorë dhe anasjelltas. Rojat jabanxhinj dhe banorët informatorë bashkëjetonin në armiqësi me banorët. Banorët nuk guxonin të flisnin keq për rojat. Rojat thoshin për banorët e fshatit ku ruanin; Janë shumë të poshtër. Mendjen vetëm për tu arratisur e kanë. Për ta marrë me të mirë fshatin kufitar si dhe për t’i dalë përpara ndonjë eventualiteti të pakëndshëm, ndonjëherë në fshatrat kufitare sillnin “furnizim” me ushqime në sasira qesharake.

Duke vajtur në Korçë, nga Librazhdi e tutje, kontrollorët e njëpasnjëshëm të kërkonin pasaportën, kalimtarët rastësorë, banorët lokalë, të gjithë të shihnin si kandidat potencial për tu arratisur.

Në Durrës kufiri ishte në breg të detit.

Në Pogradec pas orës 9 të mbrëmjes kufiri ishte zalli i Liqerit ku kërciste çizmja e ushtarit.

Në lindje kufiri fillonte në Librazhd.

Në jug kufiri zinte fill në Gjirokastër.

Në veri, po të hyje në Shkodër, e kishe kaluar tashmë kufirin.

Mënyrat e ëndërruara apo të zbatuara ishin një botë halucinante që të linte pa ment.

Variante të ëndërruar;

Me krahë si të Ikarit nga ndonjë majë mali me krahë jo prej dylli, prej pëlhure.

Natë e errët. Komardare e fryrë mirë. Komardare rezervë për çdo eventaualitet të kafshimit të komardares së fryrë nga ndonjë peshkaqen. Çarçaf i bardhë i palosur. Dy bukë. Rrotë djathi. Bidon me ujë. Lopata duart, dhe…drejt e në mes të Adriatikut ose Jonit derisa të kalonte ndonjë anije e huaj që nuk mund të mos e shihte çarçafin e bardhë të valavitej.

Hedhje me dron nga Çervenaka. U bënë përpjekje, po vështirësitë inxhinierike lidhur me motorrin, lëndën djegëse, shuarësin e zhurmës, elikën, nuk e mundësuan kurrë ndërtimin e atij droni.

Variante të zbatuar;

Nga liqenet e Pogradecit apo të Shkodrës me not me trupin e lyer me dhjamë derri ose thjesht mbi komardare gjatë një nate të errët.

Në kokë një sharqi i boshatisur, trupi nën ujë.

Variante të tilla ka ndodhur që të jenë të suksesshëm. Por ka ndodhur, fatkeqësisht një numur herësh, që edhe kur çarësit e ferrës mbi ujrat e liqeneve nuk kapeshin, pasi bënin pak kilometra në drejtim të Maqedonisë ose Malit të Zi, ngatërronin dritat, dritat këndej u dukeshin si dritat andej, dhe ktheheshin nga ishin nisur, ku dihej çfarë i priste.

Si më sipër apo me të tjera mënyra, të gjithë donin të arratiseshin, nga ai regjim kriminal, dhe kjo tokë e nëmur.

Për arratisjen mund të shkruhen mijra volume.

Kjo ishte vetëm një majë gjilpëre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat