“New York Times” e konsideron Msgr. Zef Oroshi si pionier të bashkimit të shqiptarëve pa dallim feje

Opinione

“New York Times” e konsideron Msgr. Zef Oroshi si pionier të bashkimit të shqiptarëve pa dallim feje

Nga: Leonora Laçi Shkodër, 2015 Më: 5 shtator 2015 Në ora: 15:56

• Prifti që vendosi atdheun mbi fenë.

Biografia e Zef Oroshit (Çoku) na jepet me detaje nga publicisti Tomë Mrijaj në monografinë që i ka kushtua atij, ku shkruan se:-”Familja e tij ishte pjesë e një prej familjeve më fisnike të Oroshit, fqinjë me Derën e Gjomarkut, ku, ruhej dhe interpretohej më mirë se kudo tjetër”Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Lindi në datë 23 nëntor 1912 në katundin Kaftall të Mirditës. Ku fillimisht hyri në Kolegjin Saverian të Jezuitëve, por pas një viti u dërgua në Seminarin e Vogël në Thiene (Itali). Në 1936 ai hyri atje në Kolegjin Ndërkombëtar, ku studio teologji. Ndërsa në 1940 Zef Oroshi u diplomua në Kongregacioni e përhapjes së fesë në Romë dhe u shugurua nga Kardinali Pietro Fumasoni –Biondi. Po në këtë vit i ndërpreu studimet doktorale dhe u kthye në Shqipëri, ku Ipeshkvi i Mirditës Imzot Frano Gjini e caktoi sekretar të tij, njëkohësisht ai punon si famullitar administrator i Kishës së Shën Kollit në Spaç dhe nga viti 1942, është famullitar i Maria Magdalena në Ungrej. Në vitin 1946, kur Ipeshkvi Gjini ishte i angazhuar me detyra të tjera, ai emëroi Zef Oroshin Këshilltar Dioqezan. Në këtë periudhë, që meshtari i ri kryente këto detyra administrative, Kisha Katolike në Shqipëri, po kalonte periudhën më të zezë dhe më të vështirë në jetën e saj 2000 –vjeçare. Fitorja e komunizmit në Shqipëri do jetë vetëvrasja më e madhe që i bënë shqiptarët vetës. Dom Zef Oroshi në këtë periudhë të ashpër të represionit shtetëror ndaj armiqve të pushtetit, u tregua i matur dhe mjaft aktiv në zonën e Mirditës. U tregua një antikomunist i vendosur duke i qëndruar besnik atdheut dhe fesë. Viti 1951 do ishte mjaft dramatik, pasi në këtë periudhë Sigurimi po ushtronte një presion të madh mbi popullsinë civile, duke qenë se dhe iniciativa anglo-amerikane për të shembur komunizmin në Shqipëri, kishte ndikuar që lufta e klasave brenda vendit të ishte më e ashpër, konkretisht lufta kundër armiqve të pushtetit të cilët që në 1945 kishin mbushur burgjet dhe kampet e internimit duke u torturuar në format më çnjerëzore ngjashëm me kampet e nazizmit, dhe me metodat e tyre. Dom Zefi përveç detyrës fetare, duke parë çdo ditë se çfarë i bëhej popullit të tij Mirditas zgjodhi të ishte aleat i tyre.

Në vitin 1951 Organet e Sigurimit e shihnin si element që duhej “asgjësuar” pasi ishte organizator i kryengritjes në Mirditë anti-pushtetit, Dom Zefi ishte i vetëdijshëm për pasojat dhe u arratis në male bashkë me të tjerë nacionalist, ku më pas do kaloj kufirin për në Jugosllavi, dhe nga aty drejt Italisë për tu vendosur përfundimisht përtej Atlantikut ku dhe i prehen sot eshtrat.

• Imzot Zef Oroshi shkrimtari që zotëronte disa gjuhë të huaja, si; latinisht, italisht, greqisht të vjetër e të re, serbokroatisht, gjermanisht dhe anglisht.

Pasioni për librat ishte i përhershëm shkruhet në veprën e Tomë Mrijaj-t:“ Me orë të tëra, kalonte pranë auditorëve e bibliotekave të famshme italiane, duke lexuar lirshëm e nxënë në disa gjuhë të huaja. Lexonte shumë, mbante shënime, fotokopjime me dorë pesazhe për kulturën e lashtë ilire, udhëtarë, eksplorues, diplomatë, dijetarë e autorë të huaj, që kishin shkruar me shumë respekt për trojet amtare, bisedonte dhe diskutonte me pasion me studentët e universitarë bashkatdhetarë dhe të huaj”.

Poligloti Oroshi përveçse studimeve në Beograd për filologji dhe filozofi në vitet 1952-54, më pas në Romë do të vazhdoj studimet doktorale në teologji që i kishte lenë përgjysem gjatë periudhës së pushtimit Italian. Mons. Zef Oroshi bëri përkthimin e plotë të Besëlidhjes së Re në gjuhën shqipe, ndërsa në 1960 përktheu në shqip “Shkrimi i shenjtë- Katër Ungjijtë dhe Punët e Apostujve”. Njihet kontributi i tij dhe me themelimin e “Lidhjes Katolike shqiptaro-amerikane”, si dhe në 1966 publikoi revistën tremujore anglisht –shqip “Jeta Katholike- Albanian Catholic Life”. Kjo revistë kryesisht e karakterit fetar por dhe me tematika historike e kulturore, duke qenë mjaft aktiv dhe vet Mons. Zef Oroshi me shkrimet e tija.

Shkrimet e Monsinjorit ishin tepër të vyera për mërgatën elitare shqiptare, pasi spikaste shpesh herë me artikujt publicistik në shtypin e diasporës, ja seç shkruan Koliqi, citoj:- “Presim si zogla verës ndoi shkrim t’Uejin”, i shkruan në letërkëmbimet mes njeri -tjetrit, këto letërkëmbime janë të botuara sëbashku me shumë të tjerë në veprën e publicistit Tomë Mrijaj nën titullin “Një jetë e shkrirë për fe e atdhe –Monsinjor Dr. Zef Oroshi”. Imzot Oroshi bënte pjesë dhe në Këshillin Drejtues të Organizatës Panshqiptare Vatra.

• Mons. Zef Oroshi aktivisti i palodhur në diasporën shqiptare të Amerikës.

Aftësitë e tij të shumanshme do ti vë dhe në dobi të komunitetit Shqiptarë në Amerikë. Në 1961 Vatikani e dërgoi në SHBA si udhëheqës shpirtëror të shqiptarëve. Në 1969 ai krijoi famullinë “Zoja e Këshillit të Mirë” në Nju Jork-Bronx, ndërsa në 1974 do të marr titullin e nderit Imzot nga Papa Piu VI-“ Për meritat e tija për Shqipërinë dhe për punën e tij baritore me shqiptarët në emigracion”.

Dom Zef Oroshi ishte mjaft aktiv në vitet 70 pasi në këtë kohë po zhvillohej “ i ashtuquajturi revolucioni kulturor”, ai protestoi për mbrojtjen e bashkëkombësve të cilët po persekutoheshin nga regjimi në Shqipëri, dhe përdori të gjitha mjetet për ti mbështetur dhe nga Amerika e Largët, këtë na e dëshmojnë protestat e herëpashershme pranë OKB-së në Nju Jork në kohën që u pushkatua Dom Shtjefën Kurti.

Ku me 1 prill 1973 Misioni Shqiptar pranë OKB-së në Nju Jork informon Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë se, shqiptarë të diasporës kishin demonstruar me banderola para ndërtesës së Misionit dhe kishin shpërndarë një memorandum të “Komitetit për Shqipërinë e Lirë” për të tërhequr vëmendjen e OKB-së në lidhje me persekutimin fetar në Shqipëri. Një rol të rëndësishëm në gjithë këto aktivitete kishte luajtur Dom Zef Oroshi, arratisur në fillim të viteve 50 nga Shqipëria- shkruhet në veprën e Dr. Markus w.Peters “Përballjet e historisë së Kishës Katolike në Shqipëri 1919-1996”. Po në këtë vepër shkruhet-“ simbas të dhënave që kemi Dom Zef Oroshi e të tjerë po punojnë për të organizuar sëshpejti një demostrat tjetër me një pjesëmarrje me të gjerë pranë OKB-së për të tërhequr vëmendjen e opinionit amerikan dhe përfaqësive të huaja ndaj “gjendjes së rëndë” të klerit në Shqipëri”.

Në veprën e shkrimtarit Mrijaj është shënuar dhe një fakt interesant, takimi i Mons.Oroshit me Nanë Terezen duke e kujtuar këtë ditë me këto fjalë:-“ Personalisht Mater Teresen e kam njofto 11 vjet ma parë. Asokohet, me këshillin e Mons. Landy-t e temin, pat kërkua ajo vetë nga Ambasada Shqiptare e Romës, që t’i lejohej e ama, që të shkonte me vdekë te i biri, kolonel Lazri, në Siçili. Porse qeverija fatose e Tiranës e gjet dhe këtë çashtje të përhime me politikë. Nuk qe leju me dalë dhe e ama vdiq tri vjet ma parë, pa mujtë e bija me e pa për afër pesëdhetë vjet. Por Mater Teresa nuk mundet me u idhnue me kurrkand. Shprehja e saj dhe në këtë rasë qe:” U baftë vullnesa e Zotit”.

Mons. Zef Oroshi njihet për meritat e tij që është skalitur me germa të arta në histori pra për themelimin e Kishës së Parë Katolike “Zoja e Këshillit të Mirë” (sot Zoja e Shkodres), në NY të SHBA, ku themelimi i kësaj kishe mund të konsiderohet me plotë gojën si gurthemel i fesë katolike shqiptare, ku mesha e parë në të u mbajt në krishtlindjet e vitit 1969. Madje Mons.Oroshi ja parashtrojë Nolit idenë e afrimit mes Kishës Orthodokse me atë Katholike, në një formë ku secila Kishë të ruante individualitetin e vet me formë, ligje e tradita. Pasi mori pëlqimin e peshkopit Noli, mori kontakte me Kardinalin Cushing dhe u arrit takimi zyrtar me Kardinalin. Ajo që vlen të theksohej është largpamësia e Mons. Oroshit dhe peshkopit Fan Noli për të afruar komunitetin shqiptar nëpërmjet fesë, megjithëse ideja e Oroshit nuk u realizua.
Me kalimin e viteve dhe malli për atdheun e lodhën së tepërmi shëndetin e Monsinjorit, një episod interesant që ruhet i freskët në kujtesën e studiuesit Mrijaj është një takim i ngrohtë mes këtyre të dyve duke shëtitur bregut të Atlantikut, ku Mons. Oroshi e pyet papritur mikun e tij duke ngritur dorën lart në drejtim të jugut:- A i bie të jetë në atë drejtim Shqipnia? Bashkudhëtari i përgjigjet :- po andej është. Monsinjori ngrihet në këmbë, duke ngrit dhe duart përpjetë duke thënë këto fjalë:-“ E vraftë Zoti Enver Hoxhën e at komunizëm të zi, që nuk na la me jetue në vendin tonë. Po ç’ka i bam na priftat, që u masakruam nga diktatura e tij. Na historikisht e kena dashtë e e dona vendin e popullin tonë, të cilit i kena shërbye përherë me zemër e dashuni”.

S’ kaluan shumë kohë kur Monsinjor Oroshi mbylli sytë përgjithmonë në 15 mars 1989 në Bronx të Nju Jorkut, aty ku ai kishte shërbyer për 25 vite me radhë komunitetit katolik shqiptarë. Për Monsinjorin shkruajten dhe gazeta prestigjioze si Nju York Times, që shkruan:” Msgr. Oroshi ka drejtuar mase 2000 shqiptarë, jo vetëm të krishterë, por edhe myslimanë e ortodoksë. Msgr. Oroshi ka qenë pionier i bashkimit të shqiptarëve pa dallim feje. Për ndërtimin e Kishës “Zoja e Këshillit të Mirë” kanë ndihmuar të gjithë shqiptarët, si: myslimanët, ortodoksët dhe katolikët, pa dallim, të cilët e bënë të mundur këtë në vitin 1969.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat