Shqiptarë në ndeshje, katilë në qeverisje

Opinione

Shqiptarë në ndeshje, katilë në qeverisje

Nga: Nga Dionis Xhafa Më: 5 shtator 2015 Në ora: 07:08

Në ndeshjet, sidomos ata të Kombëtares, vihet re një pasion i dendur i politikanëve shqiptarë që ata të komentojnë rreth ngjarjes në fjalë.

Nuk mungojnë thuajse asnjëherë urimet nga Edi Rama, Sali Berisha, Hashim Thaçi dhe Ali Ahmeti.

Përpos faktit se Rama dhe Berisha ngjajnë sikur “rivalizojnë” njëri-tjetrin kush poston më përpara, një risi ka qenë urimi nga lideri i BDI-së në Maqedoni për Kombëtaren Shqiptare.

Ahmeti ka postuar një fotografi, që ngjan pastërtisht që është krijuar me photoshop dhe që e paraqet veten, duke patur prapa simbolikisht “Kullën Eiffel”, mbi të cilën “lartësohet flamuri shqiptar”.

Ali Ahmeti, ndryshe nga liderë të tjerë politikë, sidomos ata në Shqipëri, e përdor më rrallë adresën e tij të Facebook.

“Patriotizmi” i të gjithë liderëve politikë tanë është shumë për tu vënë në dyshim, pasi dihet se patriotizmi i vërtetë nuk është të ngresh flamurin, por të punosh për interesat e vendit tënd në mënyrë sa më të drejtë.

Në rastin konkret, Ali Ahmetit, sapo i ka “plasur bomba” në “shtetin e bombave”.

Jo më tepër se dy ditë më parë, u raportua se në librat shkollorë në Maqedoni mësohet se “shqiptarët janë të ardhur dhe se disa kanë qenë maqedonas, por me islamizimin janë shqiptarizuar”.
Dhe, për më tepër ministër i Arsimit është Abdilaqim Ademi, po nga BDI-ja.

Po a ka fyerje më të madhe se kjo? A mund të jetë normal një shtet, që vetëm denigron një etni, pa të cilën zor se do të ekzistonte?
Maqedonia është republika më absurde në rajon, “delja e zezë e Ballkanit”, ku ndryshe nga vendet e tjera që pakicat i trajtojnë mirë, këtu etninë shtet-formuese e shtypin, e shtrydhin.

Ky është vetëm një nga dhjetëra e qindra problemet e Ali Ahmetit me “patriotizmin” e vërtetë, me atë që përpara valëvitjes së flamurit kërkon punën në terren.

“Patriotizmi”, për shumicën e politikanëve shqiptarë është si “mjegulla për ujkun”, që errëson shikimin e “qytetarëve dele” dhe që më tej pa frikë mund të lëshohen përmbi to.

Fotografia e Ali Ahmetit e postuar në Facebook, por jo vetëm ajo, janë raste ekzemplare të faktit se me patriotizmin luhet kaq hapur, kaq dendur, kaq tinëzisht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat