Fasule Korçe, pordhë Tirane

Opinione

Fasule Korçe, pordhë Tirane

Nga: Nga Edison YPI Më: 3 shtator 2015 Në ora: 16:08

Kafenetë anës rrugës për në Korçë janë plot me gjithologë. Mendimtarë që mbajnë mbi kurriz hallet e botës, mesoburra të ngrysur me sy të skuqur, pakëz pa rruar, veshja dosido, me gotën e rakisë përpara flasin me zell për gjithçka; Politikën, gjeopolitikën, diplomacinë, intrigat ndërkombëtare, ekonominë, krizat e monedhave, pasojat e luftrave, gjithçka.
Mes Librazhdit dhe Quksit njëri pas tjetrit, auditorë në natyrë, kioska të mbështjella me celofanë për të mos hyrë era, brenda të cilave profesorë të shquar me nam lokal vendosin për fatet e kombit duke ngrënë mëlçi të ngrohta shoqëruar me birrë, salc kosi dhe bukë të thekur.

Rrëzë Qafës së Thanës, panair shurrash. Dhjetra fëmijë, për tu tërhequr vëmendjen makinave, mbajnë në duar tuba që e hedhin ujin lart; “Porsi malli i trimit që buçet përpjetë”.

Anës Liqerit peshkatarët reklamojnë ngjala që përdridhen nën çengela si kurva.
Nga Korça në drejtim të Devollit, ku më të djathtë janë Plasa dhe Belortaja, më të majtë drejt fushës, një kthesë. Sapo ke hyrë në atë kthesë, thith një tjetër ajër, merr një tjetër frymë.

Kreshpanji.

Zot më ruaj nga nëpunësat, shefat, funksionarët, kryetarët.
Kreshpanji, kreshpanjarët, ata më duhen.
320 banorë.
68 Shtëpi.
1 traktor për 2 shtëpi.
Rreth 50 autovetura.
Motoçikleta dhe biçikleta pa numërim.
-Sa tokë ka Keshpanji ?
-840 hektarë. Marrim dhe 600 hektarë të tjerë me qira nga fshatrat përreth.
-Si ia dilni t’i kultivoni gjithato hektarë ?
-Ka përparuar kapitalizmi këtej nga ne. Kemi 120 krahë pune, 180 të tjerë i blejmë këtej rrotull.
-Çfarë mbillni në këto toka ?
-250 ton fasule kokërrmadhe në vit.

Kreshpanj është vendi më i mirë në botë ku fasulja kokërrmadhe bëhet më e shijshme, më e madhe, më e bukur, më e pastër, më e shëndetshme se kudo tjetër. Bëhet edhe nëpër fshatrat rrotull, por jo si në Kreshpanj. Nga 10 në 100 vjeç këtu punojnë të gjithë. Nuk kemi në fshat kafenera, bilardora, gjëra qefi. Qefi ynë është puna. Fasulen tonë vjen e merr greku e mbyll në kanaçe llamarine. Ato fasulet që emigrantët shqiptarë në Europë e gjetkë i blejnë nëpër supermarketa janë fasulet tona, fasulet e Kreshpanjit.

Eksportojmë 1 milionë dollarë fasule kokërrmadhe në vit. Po deshe të dish më tepër pyet profesorat nëpër kafenera. Fasulet i prodhojmë ne kreshpanjarët, spjegimet i japin profesorët. Ju andej nga Tirana keni të mëdha pordhët e fasuleve tona. Ne këtej nga Kreshpanji kemi të mëdha fasulet e pordhëve tuaja. Ne me fasule ju me pordhë, fasule Korçe pordhë Tirane, hajt ta ndërtojmë kapitalizmin me fasule dhe pordhë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat