Vlera kombëtare dhe vepra madhore shkencore e akademik Mark Krasniqit nuk vdes kurrë

Opinione

Vlera kombëtare dhe vepra madhore shkencore e akademik Mark Krasniqit nuk vdes kurrë

Nga: Prof.dr.Mehmet HALIMI Më: 1 shtator 2015 Në ora: 14:57

Kumti i hidhur,i cili u përhap këto ditë dhe mori dhenë,se akademiku,profesori,shkencëtari e shkrimtari,luftëtari i lirisë dhe mbrojtësi i të drejtave të popullit të vet,u nda vetëm fizikisht prej nesh,por vepra dhe kujtimet për Të, mbetën të përhershme dhe të përjetshme.
Ky lajm i pikëllueshëm jehoi dhembshëm dhe trazoi zemrat shqiptare anembanë rruzullit tokësor.U përhap edhe përtej Atlantikut, në Amerikën e largët e kudo, ku jetojnë shqiptarë,ku flitet e frymohet shqip,e gjithandej në trojet shqiptare se nga trualli ynë stërgjyshor,u shkul një lis i madh shekullor,që bënte hije për një popull e për një komb,i cili mbronte popullin e atdhenë – si shqiponja folenë.Sepse njeriu ka rëndësi për shoqërinë e atdheun vetëm deri atëherë kur i shërben besnikërisht atij dhe me gëzim e me nder dhe faqebardhë vdes për Të.
Ndaj për këtë kolos të shkencës shqiptare,që nderoi Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës e mbarë kombin shqiptar,në mediat tona gojore e shkrimore për një burrë të madh, për një shkencëtar të shquar e shkrimtar të adhuruar, u thanë fjalë të mëdha miradije e kuptimplota, e u dhanë edhe vlerësime meritore,profesionale,politike e shkencore ,me një tonë sa të dhembshëm e pikëllues, po aq krenar e adhurues nga shkencëtarë e shkrimtarë,burrështetas e gazetarë,miq e dashamirë të popullit shqiptar ,por edhe miq të vetë akademik Mark Krasniqit,i cili vlerësohet e lartësohet nga të gjithë ata që e njohën,e dashtën dhe e çmuan, këtë punëtor të palodhshëm të shkencës e të artit dhe të çështjes kombëtare shqiptare.
Këtu në vijim,po zë ngoje,po përfol ose po citoj disa nga këto vlerësime e cilësime,merita dhe epitete kushtuar punës e respektit të akademikut tonë të çmuar e të nderuar,që ndriçojnë e portretizojnë personalitetin e punën e madhe shkencore e shoqërore të këtij autoriteti të shquar të shkencës e të çështjes shqiptare,si për shembull: Ai u cilësua si bashkuadhëtar besnik dhe krah i djathtë i idealeve të Presidentit Rugova; ai la gjurmë të pashlyeshme në fushën shkencore,por edhe në fushën e veprimtarisë patriotike e politike; ai ishte një personalitet i shquar i kombit shqiptar,ishte një ikonë e urtësisë kombëtare dhe shqiptarizmit.Ai dhe vepra e tij do të jetojnë përgjithmonë në altarin e pavdekësisë të burrave më të shquar dhe të vërtetave të kombit tonë; Intelektual i kalibrit evropian,ai do të mbetet i përjetshëm në kujtesën e secilit njeri që pati rast ta njoh dhe do të çmohet si figurë emblematike në panteonin kombëtar.
“Mark Krasniqi u shfaq si lulebore në kohën e ngricave para Luftës së Dytë Botërore,dhe në stuhinë e kohës nisi ecjen e kërkimin e pranverës së lirisë,që e pandehu me të drejtë ta gjente te nxënia e diturive.Prandaj,ai i rreket shkollimit dhe me suksese të larta thith nektarin e diturive shkollore për t’iu rikthyer vendit të tij,Nënëlokes së tij – Kosovës,së cilës i shërben gjithë jetën me laps( Lapsi është arma ime –M.Gjevori) e me zemër.Ishte një rilindës tipik i bindur se “vetëm dritë e diturisë do t’ na shpjerë përpara”(S.Zogaj)
“Si një mësues model i vjershërimit.Ai mbeti përherë fanar dritë e pafikur,kumbim kushtrimi i pashuar për kombin e Shqipërinë Etnike.Ai mbeti kushtrim i lirisë së Kosovës e pjesëve të tjera të etnisë shqiptare me një të vetmin qëllim e porosi:”BASHKIMIN KOMBËTAR SI TË DREJTË NATYRORE E TË PATJETËRSUESHME”. Jeta e vepra e tij do të jetojë si shembull model dhe për brezat që do të vijnë.Ai ka lënë një opus të madh të krijimtarisë letrare që do të shfletohen e mësohen nga to brez pas brezi...(S.Berisha),disident kundër politikës hegjemoniste të Beogradit.Ishte veprimtar humanist dhe mbi të gjitha u shqua në mbrojtjen e të drejtave kombëtare,politike e njerëzore të shqiptarëve në Kosovë,në Maqedoni e në Mal të Zi(Harri Bajraktari).
Ëngjëllori Mark Krasniqi jeton në kujtimet tona si një shenjëtor.Fjalët e tij ishin vepra(O.Ferizi,kryetar i SHKSH “Salih Çekajt”),Prijës i letërsisë për fëmijë(ZËRI).Akademik Mark Krasniqi,i cili për ASHAK-un ka qenë shembull dhe figurë emblematike e Kosovës ,jo vetëm për punën shkencore që ka bërë,por edhe për qëndresën që ka pasur në momente më të vështira historike nëpër të cilat ka kaluar Kosova(Mulliqi,në Zëri,3l gusht 2Ol5).Ndaj “Sot bota shqiptare do të jetë më e varfër,sepse ajo ka humbur një intelektual të një kalibri të veçantë,të cilin e ka karakterizuar urtësia e tij,ndaj sot të gjithë janë të pikëlluar për humbjen e një figure emblematike,ka veçuar J.Bajraktari(Zëri,3l gusht 2ol5 ) “.Ai,ndonëse nuk jeton me ne në institut,në përurime librash,në debate shkencore,në orët letrare,në ballë të institucioneve,madje deputet dhe udhëheqës i gazetave e revistave tona të çmuara,ai aty “është” i tëri.”(T.Selimi).
Të gjitha këto vlera shkencore e njerëzore , akademik Mark Krasniqi i arriti dhe i përvetësoi falë dëshirës e vullnetit,energjisë intelektuale,shprehisë e dashurisë për punë,vendosmërisë për synime e qëllime të qarta e të larta, ai i realizoi drejt idealit për çlirim e bashkim kombëtar.Ai ishte personalitet me autoritet,që i kishte hije vendi e kuvendi,duke artikuluar e shqiptuar fjalë me rend e me vend , si kripa me karar e fjalët me kandar,që çonin peshë në kuvend e plotësisht të arsyeshme e të logjikshme zinin vend,nga njëra anë, dhe puna pa ia nda ,shpesh e qiti në ballë të vendit e në krye të kuvendit,duke kryer detyra me rëndësi në pozita të larta shkencore e shoqërore dhe edukativo-arsimore në institucione të ndryshme shkencore e arsimore,nga ana tjetër.Si i këtillë ai,jo vetëm i çmoi vlerat kombëtare,i kultivoi dhe i ruajti ato,por edhe vetë u bë vlerë e çmueshme dhe e shenjtë kombëtare.Si burrë i mençur dhe i ditur,ishte i drejtë,i ndershëm dhe guximtar.Sepse nga trimi ka frikë edhe vdekja.Ai ishte i vetëdijshëm se “Dinjiteti i një shteti varet në fund të fundit nga dinjiteti i individëve,që e formojnë atë”.Ndaj,ai deshi që të jetë një pjesëtar dhe qytetar besnik i atdheut dhe me gëzim e nder të jetojë,të punojë e të veprojë dhe në fund të vdes për Të,faqebardhë,ballëlartë e krenar,duke na dhënë një shembull jetësor se si një shekullor,ëngjëllor e shenjtëror, i shërbeu popullit e atdheut të vet të shenjtë e të shtrenjtë,duke ia kushtuar një jetë punë,në fund ia dhuroi dijen,gjakun e eshtrat atij.
Dhe nëse bëjmë një krahasim kushtimor të rezistencës shkakore se guri, ndonëse është i fortë,por hekuri e thyen,kurse hekurin zjarri e shkrinë ,ndërsa zjarrin e fikë uji,kurse ujin e mbajnë retë,por retë i zhdavaritë era,ndërsa stuhisë së erës njeriu i qëndron dhe i përballon,mirëpo sëmundja e mposht njeriun,kurse vdekja është gomë që shlyen jetën fizike të njeriut,por ajo nuk mund ta shlyej veprën madhore të një krijuesi,shkencëtari e shkrimtari apo krijuesi të arteve të bukura. Vlera kombëtare dhe vepra madhore shkencore e shoqërore,gjeografiko- etnologjike e artistike në shërbim të popullit e të atdhuet e akademik Mark Krasniqit, nuk vdes kurrë.Ai është vdekatar që e ka mundur vdekjen dhe ka fituar përjetësinë,ndaj në përmendoren e tij le të qëndrojë vetëm viti i lindjes.Sepse krijuesit e mëdhenj kanë vetëm lindje,ata nuk kanë vdekje.Pikërisht atëherë kur vdesin,ata lindin.Sepse “Poetët fillojnë të jetojnë vetëm atëherë kur vdesin”(Petrarka).
Prof.dr.Mehmet HALIMI,anëtar korrespondent i ASHAK-ut

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat